A jemi shoqëri e traumatizuar apo e pa edukuar me plot defekte?!...

Opinione

A jemi shoqëri e traumatizuar apo e pa edukuar me plot defekte?!...

Nga: Ismail Muçiqi Më: 10 korrik 2024 Në ora: 15:48
Autori Ismail Muçiqi

Fenomenet që po shfaqen kudo në shoqërinë kosovare, të cilat po e rëndojnë jetën e qytetarëve, janë argumentet mjaftueshme që dëshmojnë se njeriu për njeriun është bërë i padurueshëm. Pothuajse në jetën e përditshme, arroganca po bëhet fenomeni më negativ në shoqërinë kosovare. Mungesa e edukatës familjare dhe arsimore paraqesin mungesën e kulturës së komunikimit të njerëzve të ndryshëm, të cilat bëhen të padurueshme duke u ekspozuar në mjetet e ndryshme të informimit në Kosovë.

Arroganca është dukuri që e prish balancën e kulturës njerëzore të një populli me tradita të lavdishme shekullore. Mjerisht, sot shumë rrallë ose fare nuk shohim apo dëgjojmë shembuj pozitivë të autokritikës, të individit, të institucionit apo të shoqërisë në përgjithësi. Arroganca gjendet në kontinuitet në ekranet televizive të ashtuquajtur mediume informative, të cilat veprojnë dhe punojnë në Kosovë.

Debatet e ndryshme me tema të caktuara përmes analistëve dhe opinionistëve janë bërë molla sherri për ruajtjen dhe kultivimin e raporteve ndërmjet njerëzve, fillimisht nga familja dhe më gjerë. Moderatorët, analistët, deputetët, politikanët vrapojnë për të promovuar veten në vend që të japin diçka të vlefshme për audiencën. Askush nuk pranon kritikë konstruktive, të gjithë e akuzojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë kaos para syve të qytetarëve të cilët janë të ngopur me këto fytyra të përditshme që po e zbehin imazhin e shoqërisë kosovare.

Vërtetë na mungon vetëdija, kultura dhe sjellja për të respektuar normat morale, njerëzore dhe ligjet që janë në fuqi, por nuk duan koment. Disa media private, të cilave nuk u dihet prejardhja dhe misioni i tyre, kanë kaluar çdo kod të etikës duke hapur tema të ndryshme negative që po krijojnë huti dhe përçarje në mes të popullit.

A jemi shoqëri e traumatizuar? Këtë mund ta analizojmë dhe të bindemi nga familja deri tek instancat më të larta të shtetit. Përditë dëgjojmë dhe lexojmë për dukuri të ndryshme negative që ndodhin në kafene dhe restorante, në familje dhe në mjedise të ndryshme, në rrugët kryesore dhe autostradat, ku shoferët ngasin mjetet duke shkelur rregullat dhe ligjet e fuqishme, të cilat janë obligative për t'u respektuar nga individët.

Këto defekte po manifestohen kudo, në institucionet publike të shtetit, me qëllim për të realizuar aspirata pa meritë të individit për të përfituar për veten. Këto sjellje të papranueshme, me sindrome patologjike, mjerisht janë bërë përditshmëri e sjelljeve të individëve që krijojnë kaos dhe pakënaqësi te qytetarët e ndershëm.

Në sistemet e ndryshme shoqërore, autokritika e individit dhe institucionit ka qenë normë dhe balancë në proceset e ndryshme nga familja deri tek institucionet më të larta të shtetit. Të gjithë kemi nevojë ta korrigjojmë vetveten dhe të pranojmë dobësitë dhe gabimet që bëjmë në jetën e përditshme.

Të akuzosh tjetrin duke mos pranuar defektet e tua personale është hipokrizi që çon në humnerë. Këto dukuri negative do të vazhdojnë deri sa shoqëria kosovare të vetëdijesohet dhe të bindet se ndërtimi i personalitetit të vërtetë të njeriut fillon nga edukata e mirëfilltë familjare, nga institucioni i vërtetë arsimor, nga rrethi në të cilin jetojmë dhe nga respektimi dhe zbatimi i normave ligjore dhe kushtetuese të shtetit të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat