Triumfi moral mbi krimin

Opinione

Triumfi moral mbi krimin

Nga: Xhevat Ukshini Më: 13 korrik 2024 Në ora: 20:11
Xhevat Ukshini

Atë Luigj Palaj u vra nga ushtria malazeze me 7 mars të vitit   1913 në Janosh të Gjakovës, derisa po dërgohej, nën përcjellje ushtarake, në Pejë, bashkë me shqiptarë të tjerë të prangosur. Vrasja e tij nuk ishte një akt aksidental a arbitrar individual i një oficeri të veçantë malazez, por një strategji politike frikësimi e mbetërisë së pasprovuar malazeze në politikën ndërkombëtare. Atë Luigj Palaj në këtë kohë ishte me shërbim fetar në Gllogjan, si të thuash në vatrën e luftës. Dhe si meshtar, ai kishte treguar guxim dhe interesim edhe për njerëzit e gjakut të tij që ishin në hallë, por nuk bënin pjesë te grixha e besimtarëve të tij, të cilëve, pa asnjë lëkundje,  u kishte dalë në mbrojtje. Ushtria malazeze atëbotë e kishte pushtuar një pjesë të madhe të Rrafshit të Dukagjinit, duke i siguruar kështu mbretërisë së vogël shkëmbore  ballkanike një sipërfaqe toke  pjellore që do të mund të prodhonte sasi të mëdha drithi për popullsinë e saj të vogël.

Një vit para shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, Mali i Zi dhe Serbia ishin ende dy shtete të veçanta, dy mbretëri aleate që ishin hedhur në luftë, në Luftën e Parë Ballkanike qysh në tetor të vitit 1912, kundër Turqisë Europiane, dhe i kishin „çliruar“  në mënyrën e tyre edhe territoret  dhe popullsinë shqiptare. Çlirim për ta do të thoshte njëkohësisht  edhe asimilim dhe vrasje për ata që e kundërshtonin këtë formë „bamirësie“. Malazezët, këtë gjë e dinte secili, nuk do të ndaleshin në mes të rrugës,  te asimilimi fetar. Synimi i tyre themelor ishte asimilimi i plotë i shqiptarëve, i katolikëve dhe muslimanëve.  Ata, atëbotë, ndiheshin tepër të fortë. Krajli i tyre që kishte mbështetjen e  madhe të Rusisë e dinte se pa këtë asimilim me shqiptarët nuk do të kishte qetësi asnjëherë, por ai, me sa duket, nuk e dinte se jo gjithçka mund të bëhej me Moskën. Ky krajl injorant kujtonte se në botë nuk kishte shtete të tjera të fuqishme përpos Rusisë cariste. Por atë që e dinin malazezët për shqiptarët,  e dinin edhe shqiptarët për malazezët dhe ëndrrat e tyre politike, kështu që kjo politikë e konfrontimit të hapur herët a vonë do të çonte në një luftë të madhe, e cila do të vinte shumë kohë më vonë, në fund të shekullit XX, por në këtë ndeshje të madhe, megjithatë, ata,  malazezët, do të mungonin. Malazezët e kuptuan më në fund  se shqiptarët e Luigj Palajt nuk ishin e nuk kishin qenë kurrë armiqtë e tyre. Edhe në kohën tonë këto dy vende, Mali i Zi dhe Serbia, janë shtete më vete, po më jo mbretëri, por republika që  mbajnë pothuajse në çdo gjë që ka lidhje me Kosovën qëndrime të kundërta. Edhe ne, në ndërkohë, kuptuam se Mali Zi per se nuk është më armiku ynë, sadoqë ai në vazhdimësi është nën trysninë e Beogradit për të ndryshuar politikë në raport me shqiptarët në përgjithësi e me ata të Kosovës në veçanti. Shkurt, historia e armiqësive tona është shumë e përgjakshme dhe e egër, por dy popujt tanë e kanë kuptuar se kjo armiqësi ishte absurde dhe se vetëm paqja mes tyre i shërben interesave të tyre afatgjata. Megjithatë, përvoja e keqe e ndërsjellë nuk mund të zhbëhet. Pas vrasjes së Luigj Palajt më 1913 është derdhur edhe shumë gjak i pafajshëm shqiptar, mjafton të kujtojmë Masakrën e Tivarit në vitin 1944. Por edhe nga gjëra të tilla mund të nxirren mësime, qoftë edhe me shumë vonesë.

Serbia në këtë kohë, në fillim të shekullit XX, e kishte pushtuar Rrafshin e Kosovës, një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit dhe Shqipërinë veriore  londineze deri në Tiranë dhe Durrës, gjysmën e saj, duke i siguruar vetes një dalje në det dhe shumë fusha pjellore, të cilat asaj  nuk i mungonin si Malit të Zi, pasi që  kishte, ndër të tjera, luginën pjellore të Moravë. Megjithatë, këto territore kishin për Serbinë një vlerë të madhe strategjike, sepse falë Shqipërisë veriore edhe Serbia bëhej një vend bregdetar i Adriatikut.  Historinë dhe arsyen e  këtij ekspansioni territorial e ka shpjeguar filozofi serb Aleksandar Pavlović në librat e tij „Figura neprijatelja: preosmišljavanje srpsko-albanskih odnosa nastoji“ ( Figura e armikut: Përpjkje për rimendimin e marrëdhnieve serbo-shqiptare)  dhe „Imaginarni albanac: simbolika Kosova i figura albanca u srpskoj kulturi“ ( shqiptari imagjinar: simbolika e Kosovës dhe figura e shqiptarit në kulturën serbe). Vojvodinën si territor, Serbia do ta marrë më vonë, kur tashmë ajo ishte kthyer në një mbretëri të madhe   serbo-kroato-sllovene dhe kishte arritur deri në Alpet sllovene në veri.

Malazezët, duke mos e njohur skenën politike europiane mirë, gjatë Luftës së Parë Ballkanike kujtuan se kishte ardhur çasti i tyre i hakmarrjesë kundër shqiptarëve dhe, duke kujtuar se tashmë shqiptarët ishin një popull bonjak e i braktisur nga Europa, nuk bënë asnjë dallim mes shqiptarëve, e derdhën gjithë mllefin e tyre ndaj fqinjëve jugorë me të cilët në të kaluarën i lidhnin shumë armiqësi.  Për ata, malazezët, shqiptarët kishin qenë dhe kishin mbetur gjithmonë vetëm shqiptarë, pavarësisht se cilës fe i takonin. Në novelën e Atë Anton Harapit „Andrra e prêtashit“ jepet një pamje e kësaj marrëdhënie të tendosur. Qofshin ata katolikë apo muslimanë, malazezët që të gjithë donin t‘i bënin ortodoks në fillim dhe, pastaj, t‘i asimilonin edhe etnikisht. Me këtë turr të tërbuar malazezët  kujtuan se duke vrarë fratin shqiptar që nuk e kishte lënë vetëm grixhën e besimtarëve dhe shqiptarëve të tjerë, do të thyenin më shpejtë shqiptarët. Mirëpo, punët shkuan ndryshe. Malazezët u detyruan të ndërrojnë kursin e tyre politik provincial për arsye se Europa politike reagoi fuqishëm, duke dalë në mbështetje të shqiptarëve katolikë.

Vrasjen e Atë Luigj Palajt shqiptarët ndoshta do ta kishin harruar,  siç i kanë harruar edhe shumë vrasje të tjera politike gjatë historisë së tyre sikur poeti ynë kombëtar Atë Gjergj Fishta të mos ia kushtonte  atij një poezi, njërën nga poezitë më të mira dhe më të dhimbshme të tij. Atë Gjergj Fishta i ngriti në njëvjetorin e vrasjes martirit Atë Luigj Palaj të parën përmendore, përmendorën me lëndë frymore të artit të poezisë, e cila na bëri që të mos a harrojmë për asnjë çast këtë dëshmor. Në anën tjetër, siç mësojmë tani së voni një françeskan tjetër i madh, Atë Shtjefën Gjeçovi, na ka lënë një dëshmi  tjetër të madhe  kundër harresës, dorëshkrimin prej 82 faqesh për jetën dhe veprën e Luigj Palajt, i cili sot ruhet në Bibliotekën tonë Kombëtare në Tiranë. Dorëshkrimi mbanë titullin e gjatë : „Diftesat, mbi xanjen, mundime e dekë t’Atë Luz Paliqit, O.F.M. i cili kje mbytë me 7 të Marcit 1913 e shti në nji gropë në katunit të Janoshit, shi aty ku e njomi tokën me gjak të vet!”. Nëse poezia e poetit Gjergj Fishta njihet gjerësisht në publikun shqiptar, dorëshkrimi i Shtjefën Gjeçovit, duke qenë se nuk është botuar deri më tani asnjëherë, njihet më në fund vetëm për ekzistencën, por jo për përmbajtjen e tij. Lexuesi shqiptar sot ka nevojë për njohjen e plotë të  këtij dorëshkrimi, në mënyrë që të mësojë  nga ai fakte e të dhëna autentike nga dëshmitarë sypamës të vrasjes makabre.  Gjeçovi e dokumenton vrasjen e sivëllait të tij rregulltar dhe fratit bashkëvendas. Këto  dëshmi materiale, që janë ruajtur, sigurisht kanë lozur një rol vendimtar edhe në shpalljen i lumtur të Atë Luigj Palajt. Gjaku nuk humb, thuhet në Kanunin e Lekë Dukagjinit.  Në vargjet e Fishtës  kujtesa për krimin e llahtarshëm merrë këtë trajtë:

„E gjaku i ktij Meshtarit
T’kjoftë falë per komb t’Shqyptarit.“

Por këto dëshmi janë të nevojshme sot sidomos për ne shqiptarët, përtej kufijve fetar që ende na ndajnë. Kjo nevojë bëhet edhe më ultimative në këtë vit kur Atë Luigj Palaj është shpallur i lumtur  nga Papa Françesku në Vatikan. Lumturimi apo beatifikimi, siç quhet në terminologjinë latine kishtare, i jep një personaliteti fetar në mënyrë automatike një dimension ndërkombëtar. Dhe kur dihet se ky personalitet ishte dhe qytetar i një qyteze të Kosovës, i Janjevës, atëherë detyrimet morale për botimin e këtij dokumenti libror për vrasjen e tij,  bëhen edhe më të mëdha, në fakt kthehen, në njëfarë mënyre në  obligime juridike. Dihet: kush nuk e dëshmon krimin, është me kriminelët. Sot në mbarë botën katolike dihet për jetën dhe vrasjen e Atë Luigj Palajt. Çdo besimtar katolik në botë përmes vrasjes së tij mëson diçka edhe për popullin shqiptar, dmth. mëson se vrasjet e shqiptarëve që në fund të shekullit XX quheshin me një term teknik spastrim etnik paskan një histori të gjatë, se ato paskanë filluar pothuajse njëqind vjet më herët, në fillim të shekullit XX kur qenka vrarë një prift françeskan jo vetëm pse pati guximin të mbrojë grixhën e tij që i nënshtrohej trysnisë së ushtrisë malazeze   për kalim masiv nga katolicizmi në pravoslavlje, por edhepse ai mbrojti edhe shqiptarët e tjerë që s’i përkisnin besimit të tij, por që i nënshtroheshin të njejtit shtrëngim. Shkurt, ai mbrojti njerëzit që kërkonin ndihmë, duke dëshmuar se besimi dhe guximi i tij ishin mbinatyror. Për Atë Luigj Palajn apo Atë Luz Paliqin, siç e quan Atë Shtjefën Gjeçovi në dorëshkrimin e tij, dihet se i përkiste fisit Sopi, pra përkatësia e tij shqiptare nuk mund të vihet kurrësesi në pikëpyetje. Shqiptarët katolikë të Janjevës i janë prezantuar botës shumë herë si kroatë dhe jo si shqiptarë pikërisht për shkak të besimit. Si turqit ashtu edhe serbët ishin të  interesuar që t‘i paraqisnin shqiptarët si një grup etnik me fe islame, me fjalë të tjera si një lloj mbetje osmane, siç i quan në librin e tij „Thellësia strategjike“ ish kryeministri dhe ministri i jashtëm turk Ahmet Davutogllu. Kështu serbët dhe grekët finokë, dikur me mbështetjen e tërthortë turke, e siguronin mbështetjen politike të Europës Perëndimore.

Disa të dhëna elementare jetëshkrimore për Atë Luigj Palajn.

Atë Luigj Palaj u lind  në Janjevë më 14 prill të vitit 1878. Prindërit e tij, Toma e Paulina Palaj, e pagëzuan të birin me emrin Mati. Pas mbarimit të shkollimit fillestar, ai i vazhdoi studimet e tij për teologji  në Shkodër, Troshan dhe, më vonë, në Itali. Atje ai  më 23 shtator 1896 iu bashkua rendit të Shën Françeskut. Në vitin 1903 e fillon shërbimin baritor në katundin Baz të rrethit të Lezhës, një vendbanim ky i provincës shqiptare me lidhje të këqia   me qytetin e Lezhës. Në këto vite shërbimi, Atë Luigj Palaj mblodhi lëndën e nevojshme për ndërtimin e kishës së re në katundin Gllogjan ku kthehet pas disa vitesh shërbimi në Baz. Guri themeltar në prani të ipshkvit Lazër Mjeda dhe një ushtaraku austriak u vu gjatë muaj  pas vrasjes së tij.

Nga fundi i shkurtit 1913 malazezët filluan persekutimin e shqiptarëve katolikë, duke nxjerrë si pretekst dorëzimin e armëve. Bariu guximtar, Atë Luigj Pali,  u kap ndërsa po vizitonte besimtarët e tij në katundet e ndryshme dhe u çua në Burgun e Gjakovës. Edhepse keqtrajtimi i shqiptarëve katolikë publikisht motivohej me mbledhjen e armëve, synimi i vërtetë i malazezëve ishte konvertimi i tyre në ortodoks, kështu që vizita e Atë Palajt te besimtarëve në këto momente kritike ishte në funksion të ruajtes  së  fesë së  të parëve, e cila ishte në rrezik. Ata nuk duhet të ndiheshin të vetmuar e të lënë vetëm përballë këtij rreziku të madh. Me këtë bindjje dhe besim, Atë Luigj Palaj s‘i jepte pesë para rreziqet që i kanoseshin.

Malazezët kur e kapën, kërkuan prej tij ta mohonte publikisht fenë katolike.  Natyrisht, ai nuk e bëri këtë gjë, ndaj dhe e rrahën dhe e fyen në mënyra të ndryshme poshtëruese, pastaj e burgosën dhe e nxorën para një gjykate, që e shpalli fajtor për  shpifje. Si të dënuar, nga Gjakova e nisën për në Pejë, bashkë me 52 të burgosur të tjerë. Dëshmitarët sypamorë treguan më vonë se Atë Luigj Palaj u keqtrajtua rëndë fizikisht gjatë rrugës, saqë ai nuk mund të ecte, hiqej zvarrë. Megjithatë, edhe në këtë gjendje ushtarët malazezë e ngacmonin, e pështynin dhe e fyenin. Në këto momente të vështira në golgotën e tij i ofrohet një pop dhe i thotë se jetën mund ta shpëtosh vetëm nëse i bie mohit fesë tënde dhe kthehesh në ortodoks. Edhe këto kërcënime që ishin njëkohësisht dhe premtime djallëzore për të shpëtuar jetën nuk e dobësuan fratin e munduar shqiptar. Ai të gjitha këto i shikoi me përbuzje e përçmim. Atë Luigj Palaj s‘u përkul dhe as s‘u thye, duke iu treguar këtyre bishave se jeta e tij pa fenë dhe popullin e tij nuk vlenin bash asgjë. Kështu e mbytën atin e ngratë shqiptar, duke e therrur me bajoneta. Kjo vrasje bëri jehonë të madhe mes shqiptarëve të kohës dhe sidomos  në Europë ku shumë gazeta shkruan për këtë tragjedi të famullitarit shqiptar. Njëra nga gazetat europiane shkruante se „nuk mund të mendohej se diçka e tillë mund të ngjante në Europën e shekullit XX.“ Ndoshta për Europën ky shekull ishte shekull i dritës, por për shqiptarët ishte shekulli i barbarisë dhe i mizorisë. Gazeta britanike  „Leeds Mercury“ dëshmon,  ndër të tjera, se Atë Luigj Palaj kur shkoi Gjakovë iu bëri thirrje shqiptarëve për të mos pranuar pushtimin malazez. Gazeta britanike shkruan më tej se malazezët në këtë kohë kishin filluar t’i konvertonin me dhunë shqiptarët myslimanë dhe katolikë në fenë ortodokse. Keshtu me 7 mars të vitit 1913 e vranë Atë Palajn në  Janosh afër Gjakovës.

Vrasjet dhe keqtrajtimet e shqiptarëve u intensikuan në vitet në vijim,  edhepse me pretekste të tjera. Pas bashkimit të malazezëve me serbët nën një mbretëri të vetme terrori shtetëror mbi shqiptarët shkoi drejt majave. Viktimë e këtij terrori u bë   edhe vetë autori i dorëshkrimit për Atë Luz Paliqin, Atë Shtjefën Gjeçovi, i cili vritet në Zym të Hasit nga xhandarët serbë në tetor të vitit 1929.

Saktësisht shtatë muaj pas vrasjes së Atë Luigj Palajt, më 7 tetor 1913, në praninë e Kolonelit austro-hungarez z. Schüler, përfaqësuesit të qeverisë malazeze z. Spasojeviç, Imzot Lazër Mjedës dhe në praninë e një turme të madhe  rregulltarësh e besimtarësh, u bekua guri i parë i Kishës së re në Gllogjan, kurse, një ditë më vonë, më 8 tetor 1913, të njejtit njerëz  u mblodhën afër Janoshit, te varri i Atë Luigj Palajt.

Në baladën e Atë Gjergj Fishtës është dhënë pamja e këtij momenti tragjik:

„Barbarët… e mbyten! E pra
Ky ‘i dhunë kurrkuj s’ia bani;
Nuk bâni kand me kja:
Per t’keq s’i duel kurr zani;
Per Atme e shejten Fé
Punoi me t’drejtë m’ket dhé.“

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat