Njohësit e historisë së marrëdhënieve të shqiptarëve me popujt dhe botën arabe, e dinë mirë, se asnjë popull në Ballkan dhe Evropë nuk ka pasur raporte dhe marrëdhënie më të mira se sa shqiptarët me botën arabe, duke filluar qysh nga shekulli 16-17-të e deri në fund të shekullit 20-të, përfshirë këtu Kosovën bashkë me Shqipërinë, kur për shkak të ri-okupimit të saj nga regjimi kriminal i Beogradit në vitin 1989, marrëdhëniet e saj me këto vende do të ndërpriten gati në tërësi, për shkak se ishte e pamundur që të vendosej çfarëdo lloj bashkëpunimi me këto vende.
Të mos takohet asnjë udhëheqës i Kosovës me asnjë liderë të vendeve arabe përgjatë 16 viteve që nga shpallje e pavarësisë së Kosovës, është ky një qëndrim abuzues dhe një mosveprim i çuditshëm për të mos vendosur marrëdhënie bilaterale me këto vende, gjë e cila nuk ka se si të shpjegohet ndryshe, veçse si izolim i qëllimshëm i vendit tonë ndaj një bote, me të cilën shqiptarët tradicionalisht kanë pasur lidhje, qoftë kulturore, historike, qoftë familjare..!?
Madje, ky vakum i pakuptimtë do të zgjas deri në ditët e sotme, duke injoruar çdo lloj bashkëpunimi me këto vende të pasura me naftë, dhe, kjo kryekëput me fajin e politikanëve tanë injorantë dhe në masë të madhe islamofobë, duke mos guxuar që nismën për bashkëpunim me këto shtete ta merrte mbi vete asnjë ministër dhe ministri për punë të jashtme e Kosovës.
Me një fjalë, ky stagnacion në raportet e Kosovës me botën arabe, për fat të keq, do të vazhdojë edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, dhe ç’është më e keqja, marrëdhëniet e Kosovës nuk do fillojnë të vendosen as me ato shtete arabe të cilat pa hezitim e njohën pavarësinë e Kosovës, siç ishin; Arabia Saudite, Katari, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Jordania, Omani, Kuvajti, Jemeni, Libia dhe Egjipti, duke e shmangur çdo lloj kontakti dhe bashkëpunimi me këto shtete, madje as pas hapjes së ambasadave të Kosovës në disa nga këto vende, duke mos bërë asnjë përparim në këto marrëdhënie, përjashto bashkëpunimin simbolik me Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA).
Pra, as me vendet tjera arabe, siç është Egjipti, Tunisi, Libia, Algjeria, Maroko, Siria, Palestina, Iraku, etj., nuk janë vendosur kurrfarë marrëdhëniesh, duke ngritur ndaj tyre një bllokadë totale, çështje kjo për të cilën do duhej të debatohej në Kuvendin e Kosovës, marrë pas parasysh faktin, se ata të cilët iu kanë frikësuar bashkëpunimit bilateral të Kosovës me botën e pasur arabe, Kosovës si një shtet në formim e sipër, i kanë sjellë dëme tepër të mëdha në fushën ekonomike, financiare, kulturore, tregtare, etj., dhe kjo krejtësisht për shkaqe të pajustifikueshme.
Shembulli më drastik që ka ndodhur në dëm të Kosovës, ka qenë njohja e Kosovës nga Egjipti në vitin 2013, shtet i cili për fajin e udhëheqësve të Kosovës këtë njohje pas një viti e ka ngrirë, duke mos ndërmarrë asnjë hap për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Egjiptin, me shtetin të cilin e kanë themeluar dhe ndërtuar shqiptarët në shekullin 18-të e deri në gjysmën e shekullit 20-të, të cilin për 150 vite e ka sunduar Dinastia e familjes së Mehmet Ali Pashës, me pinjollin e fundit të saj, mbretin Faruk.
Prandaj, duke marrë parasysh faktin, se qeveritarët e Kosovës pa asnjë arsye i kanë vënë drynin bashkëpunimit bilateral me gjitha vendet arabe, për shkaqe krejtësisht banale, por edhe për shkak të bindjeve të tyre anti-fetare, në vend se të luftojnë për çdo votë që mund të merrej nga këto 22 vende, ata për shkaqe halucinative si dhe të frikës nga Perëndimi i krishterë, botës arabe dhe bashkëpunimit bilateral me këto vende i vunë bllokadë hekuri, duke e izoluar Kosovën kundrejt kësaj bote në fushën ekonomike dhe diplomatike.
Nëse kësaj miopie dhe ankthi politik i thonë diplomaci dhe politikë e jashtme e Kosovës, atëherë le të na shpjegojnë, se çfarë nënkupton të qenit shtet i pavarur si dhe çfarë kuptimi ka sovraniteti i Kosovës, i cili kur janë në pyetje marrëdhëniet e Kosovës me vendet arabe, ai nuk ka ekzistuar fare në politikën dhe diplomacinë e jashtme të Kosovës.
Mjerisht !