Poetët “rebelë” pushkatoheshin, Kadare e Agolli hymnizonin partinë dhe Enverin!

Opinione

Poetët “rebelë” pushkatoheshin, Kadare e Agolli hymnizonin partinë dhe Enverin!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 17 korrik 2024 Në ora: 08:24
Xhevat Mustafa

më 17 korrik 1977 poetët Genc Leka e Vilson Blloshmi pushkatoheshin me urdhëra arbitrarë e çnjerëzorë të Enver Hoxhës dhe Ramiz Alisë për kokëkrisjen, kurajon, rebelizmin, vendosmërinë... për të mos u bërë shkrimtarë të oborrit enverian apo të “realizmit socialist”, por për të mbetur SHQIPTAR, SHKRIMTARË, QYTETARË të lirë...,në të kundërt të tyre shkrimtarët e mëdhenj, kolosët e letërsisë së realizmit socialist, pragmatistët dhe konformistët apo “biznesmenët” me ideal, tesera, mandate deputeti, privilegje...Ismail Kadare dhe Dritero Agolli mbetën ata që kishin qenë e në “llogoret” ku kishin qenë...! Ata "nuk ishin në dijeni” se çfarë kishte vendosur Enveri dhe prokurorët e tij e “nuk kishin çfarë të bënin" që t’ua shpëtonin jetët e lehtësonin dënimin!?

Sepse në atë kohë ishin deputetë në "Kuvendin Popullor", domethënë në kuvendin apo “stanin e kopesë” së deputetëve të Enverit...si dhe në poste të tjerë!? Sepse ata e kishin për detyrë apo angazhim personal, paguheshin mirë e shpërbleheshin bollshëm brenda e jashtë vendit për t’i shkruar vjersha, poema, romane...hymnizues dhe zbukurues..., duke na e reklamuar monstrën dhe djallin si njeri me zemër të madhe e të butë e si engjëll...!? Por, edhe antishqiptarin e tërbuar e ndoshta serbin safi si shqiptar e patriot të madh, si askush tjetër në Shqipëri...!!!???? Sepse, siç janë justifikuar vetë e siç mund t'i justifikojnë adhuruesit e tyre, Enveri, jo e pamundur dhe e përjashtueshme kategorikisht, as nga unë, mund t'i ndëshkonte rëndë, edhe me jetë ata të dy!!!???

Por, shkrimtarëve, piktorëve, skulptorëve, artistëve - deputetë dhe “bojaxhinj” apo “bejtexhinj” të Enverit, teorikisht e jo pa rreziqe, u mbetej edhe alternativa e një letre apo ndërhyrjeje si grup deputetësh, shkrimtarësh, artistësh...tek diktatori, “çuditërisht e jo rastësisht” dashamirës dhe “engjëll mbrojtës” për ata, me lutjen që të shikonte mundësinë e ndryshimit të masës së dënimit për poetët “antiparti e kundërrevolucionarë” nga pushkatim me burgime afatgjatë, edhe në 20-30 vjet...! Mund ta justifikonin këtë kërkesë edhe me qenien e poetëve në prag të ekzekutimit me pasjen prej tyre të stilografëve e stilolapsave si armë, me qenien pa rrezikshmëri shtetërore e sociale si dhe familjarë, për më tepër me familje të reja dhe përmbytur nga skamja...!

Për diplomaci, krahas hermetizmit ideor e poetik, mund t’i kritikonin Gencin e Vilsonin edhe për faje e mëkate të tjera të pabëra, që i kishte fort qejf Enveri...Ndoshta nga kjo letër e tyre zemra e Enverit, nga hekur e gurë zbutej e bëhej ca më e butë dhe mendja e tij, për një çast e çliruar nga skleroza, ndërronte mendim...? Nuk dihet që poetët e partisë e të Enverit ta kenë bërë në atë kohë këtë trimëri “të çmendur”, këtë akt apo “kryevepër”, që do t’u shtonte ndjeshëm, masivisht për nga ana sasiore e pafundësisht nga ana kohore, kontributet, respektin, mirënjohjen, lavdinë...Nuk dihet ta kenë bërë edhe 11 vjet më vonë, kur Ramiz Alia, që ishte “shumë më i butë” nga Enveri, sidomos ndaj tyre, kishte urdhëruar që më 10 gusht 1988 të pushkatohej poeti Havzi Nela!? Domethënë, nuk kanë guxuar të mendojnë për jetët e reja të poetëve rebelë, TË LIRË E TË VËRTETË, sepse në plan të parë kanë pasur postet, mandatet, privilegjet e veta individuale e familjare, partiake e shtetërore, ose me një dozë vulgariteti, kokat dhe prapanicat e tyre...!? Sepse, SHQIP apo troç, ata kishin për detyrë e mision vetëm të ngrinin duart, ti miratonin vendimet e diktatorit e ta duartrokisnin për çdo vendim, fjalim, propozim, pordhë...!!!??? Edhe më rëndë e pajustifikueshëm: “të kriheshin” me nge, edhe në pasqyrat e paradhomave apo wc-ve të kabineteve të Enverit e të Ramizit, kur POETËT jo të “realizmit socialist” vriteshin enverisht e ramizisht...!?

Le t’i referohemi bashkëkohësisë së disa veprave të tyre. Vilson Blloshmi pushkatohej, duke pasur si akuzë kryesore apo bazike perlën poetike për nga ideimi dhe niveli artistik SAHARAJA, 1974, Ismail Kadare botonte veprat e tij në poezi dhe prozë, si edhe të mëhershmet kushtuar hapur apo ca më me përkujdesje për ta fshehur partishmërinë me gjethe fiqsh, “Dimri i vetmise se madhe”, 1973, “Linja të largëta”(Shënime udhëtimi), 1973, “Nëntori i një kryeqyteti”, 1975, “Koha, vjersha dhe poema”, 1976, “Emblema e dikurshme”, tregime e novela, 1977, “Dimri i madh”, 1977, “Ura me tri harqe”, 1978, “Prilli i thyer”, 1978... Për të qenë sa më objektiv, po në harkun kohor të këtyre viteve, Dritero Agolli shkruante në prozë romanet “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, 1973 dhe “Njeriu me top”, 1975 dhe poemën “Nënë Shqipëri”. Sidomos në romanin e parë “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, ndryshe nga Ismail Kadare, që vazhdonte në linjën dhe stilin e tij, shkrimtari Dritero Agolli mund të thuhet se nis “çveshjen e shpatës” për të goditur artistikisht të këqijat e sistemit enverist. Dihet se ky roman nuk i shpëtoi kritikës së partiakëve enveristë fanatikë, edhe me poste të larta në parti e qeveri si dhe me autoritet në fushën e kritikës letraro-artistike.

Fatmirësisht, ndoshta për kontributet si shkrimtar dhe si drejtues i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë e sidomos për qenien në gjirin e KQ të PPSH-së e deputet, ky roman nuk iu barazvleftësua Driteroit me Saharanë e Vilson Blloshmit dhe nuk i kushtoi sa atij...! Pas kësaj retrospektive kohore dhe faktike mund të vazhdoj me një konkluzion personal e subjektiv! Jam shprehur sa ishte gjallë dhe gjatë ditëve të homazhit e të zisë për vdekjen e tij se Ismail Kadare u bë kolos, me njohje masive e vlerësime të larta në botën shqiptare e në plot vende të tjera, më shumë se nga talenti dhe niveli artistik, më së pari nga maja e piramidës partiake e qeverisëse, domethënë, nga Enveri, Ramizi, Nexhmija...!

Së dyti, nga koha, koniunktura, sistemi, propaganda diktatoriale, pragmatizmi, oportunizmi, fati...Së treti, nga qenia e tij tepër inteligjent dhe i kulturuar për të notuar gjatë në detin më së shumti me dallgë të tërbuara të Shqipërisë në vitet 1960-1980, në të cilin u mbytën plot figura të larta partiake dhe shtetërore, pa iu llogaritur fare meritat dhe kontributet gjatë LANÇL e në periudhën e gjase socializmit...! Apo për të dalë jo vetëm i gjallë, por edhe pa iu prekur një qime floku nga “Piramida e Keopsit” shqiptar, mbushur me “gjarpërinj” dhe “nepërka” me “helme vdekjeprurëse” ose shumë gjatë nëpër burgje gremisëse! Natyrshëm apo logjikshëm mund të shtrohet pyetja: përse edhe Ismail Kadare e Dritero Agolli, edhe pse në krijimtarinë e tyre mund të gjendeshin doza oponence dhe nëntekstesh “heretike” nuk patën fatin e poetëve Vilson Blloshmi, Genc Leka dhe Havzi Nela si dhe të ish byroistëve, ish ministrave dhe zv.ministrave... të pushkatuar pa mëdyshje e mëshirë nga Enver Hoxha e Ramiz Alia?

Një nga përgjigjet mund të jetë. sepse u duheshin dhe do t’u shërbenin në frontin e letërsisë shumë gjatë, edhe pas vdekjes së tyre...! Jam i bindur se edhe ky shkrim i imi, më shumë homazh me rastin e 47 vjetorit të pushkatimit të poetëve Vilson Blloshmi e Genc Leka, do të keqkuptohet dhe keqinterpretohet nga kadarejanët fanatikë, ngjashëm me enverianët e flaktë. Këtyre po u përgjigjem me një fragment nga analiza brilante e Alfons Grishajt, publikuar në Shkodra.web dhe në facebook më 14 korrik 2024. “...Thonë se Kadare e bëri Shqipërinë të njohur në arenën ndërkombëtare…Kësaj i thonë logjikë fëmijësh. Shqipëtarët janë kombi më i vjetër i Europës, siç e pranoi më në fund dhe Makron! Ne jemi njohur me Aleksandrin e Madh, Pirro, Teuta, Papa Klementi, Skënderbeu, Marin Barleti, Mehmet Ali Pasha, Aleksandër Moisiu, Mbreti Faruk, Mbreti Zog, Gjergj Fishta, Stan Dragoti, Vëllezërit Belushi, Ibrahim Kodra, Enver Hoxha, Ibrahim Rugova, Danny de Vito, Roberto Deniro, Paul Walker, Bekin Fehmiu, Ferid Murati , (dhe të tjerë që dolën më vonë), duke kulmuar me St.Nënë Tereza, fituese e Çmimit Nobël në vitin 1979, shtatëmbëdhjetë vite para se Kadare të pranohej në Akademinë Franceze, arritja më e madhe e jetës tij.

Nëse injorantët e shkolluar kërkojnë t’a fillojnë historinë e Shqipërisë me Kadarenë, o janë të çmendur, ose bëjnë shaka. Ndërsa unë, preferoj këtë të fundit...!” se unë mendoj për të tretën: kanë ligësi gjenetike e të përjetshme, duke vënë idhujt dhe kultet e tyre partiakë mbi Shqipërinë dhe Kombin! Po e mbyll këtë shkrim me POEZINË SAHARAJA, sepse siç është bërë e njohur, kjo u përdor nga prokurorët dhe “recenzentët letrarë” të Enverit, më dogmatikë e më të pashpirt edhe se ai, si “krimi më i rëndë” i Vilson Blloshmit!

“Saharaja”

Saharaja, larg është Saharaja,

Saharaja shkëmb e rërë e gurë,

Që ka shok veç emrin e saja

Dhe ngaqë s’sheh ëndrra, s’sheh as drurë.

Saharaja s’di të ëndërrojë.

Ajo bluan gurë me mend’ e saj…

Saharaja s’ka këngë të këndojë,

Saharaja s’ka as lot të qajë.

Saharaja nuk ka miq e shokë,

Saharaja nuk ka bijë, as bir.

Saharaja është një copë tokë,

Thonë se dhe me natën s’shkon mirë.

Natës s’i pëlqen në Sahara,

S’i pëlqen të ketë veç gurë për shtrojë;

Fjalë e dashuri e njerëz s’ka;

Perç’ e saj e zezë s’ka ç’të mbulojë.

As dhe një s’e di si është kandisur

Me kët’ plagë mbi shpinë rruzullimi,

Por se thonë në botë është stisur

Kur i duhej njerëzisë mallkimi.

Kur ai për keq e mban në gojë,

Saharaja e mban vesh e qesh.

Saharaja fillon të gëzojë,

Kur ne mallkohemi mes nesh.

E kur bie ndrojtur rrez’ e diellit

Dhe mbi gurët e pamyshkët ndrit,

I ngjan vello savani i qiellit,

Shkretëtirës shket e shkrepëtit.

Prandaj, kur urrejtjen e fortë e nxehur

Mbi dikë mallon e shfryn e shan,

Që nga skuta del kujtimi i dehur

Dhe thërret menjëherë Saharanë.

Kur mallkimi shfryn e kur kujtimi

Në pusin e harresës tret…

Kur hyn dielli e kur hesht thëllimi,

Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat