Spektri politik shqiptar pa të nesërmen?!

Opinione

Spektri politik shqiptar pa të nesërmen?!

Nga: Sami Mulaj Më: 17 korrik 2024 Në ora: 09:22
Autori Sami Mulaj

Aq shkëputje ka nga realiteti i gjithë spektrit politik shqiptar sa të krijohet përshtypja se në trojet e shqiptarëve gjithçka ka por politikë jo….

E si mund të ketë politikë a bërje politike kur nuk ka asnjë bashkërendim a asnjë bashkëbisedim midis forcave politike që me emra e liderë i kapërcejnë mbi njëqind.

Asnjë tryezë pune nuk bëhet midis specialistëve të politikave të partive, as të një ane të spektrit politik, e as midis kundërshtarëve politikë e kjo si në Shqipëri, në Kosovë, në Malin e Zi e as në Maqedoni e Serbi,…kur kjo duhet të ndodhte jo vetëm në mes të partive shqiptare, por edhe midis partive deri edhe hapur kundërshtare serbe, malazeze e maqedonase.

Në se misioni politik i partive është të sjellin politikë bërje për zhvillim të trojeve shqiptare, ato nuk vijnë pa diskutime e bashkëpunime edhe midis kundërshtarëve historikë e të rinj të politikës, sepse jetojmë prej shekujsh në një rajon dhe përgjegjësit kanë qenë e mbeten të përbashkëta.

As për të sotmen e as për të ardhmen nuk shtrohen pikëpamje a mendime për të venë shinat e ardhmërisë e të zhvillimit. As nuk vihet ujë në zjarr për të rrahur mendime e sjellë ide përparimtare përmes kulturës përparimtare për të punuar me ekipe profesionale që mbajnë mbi shpinë zhvillimet e reja kombëtare, rajonale e për tu alternuar edhe në politikat evropianë e ndër atlantike.

Në traditën shqiptare, edhe në beteja e luftëra të egra shqiptarët nuk janë larguar prej kuvendeve, edhe nuk janë trembur e kanë biseduar edhe me fqinjët e jo rrallë edhe kanë përparuar e kanë mbijetuar duke ruajtur vlera kombëtare që edhe mund të krenohemi.

Sot politika ka rrëshqitë në duar të pasigurta liderësh diletant që nuk kanë histori jete a pune suksesi dhe partitë janë “boshatisë” e janë kthyer në një magje me krunde që sjellin jo bukë por bollgur që nuk e hanë as qentë.

Anëtarësia e partisë është bërë një masë njerëzish që principet demokratike për të zgjedhur më të aftët, e më të mirët është zëvendësuar me një turmë “brohoritjesh” të liderit që guxon e nëpërkëmbë deri dhe normat më elementare të përgjegjësisë që ka përpara vendit e përpara zgjedhësve të vet.

Ata me vendimet absurde e arbitrare kanë shkatërruar partitë duke i kthyer në organizime pa bosht, pa struktura e pa vendimmarrje.

Politika në Shqipëri e në gjithë trojet shqiptare bëhet vetëm në ekrane “klane” që nuk ju dihen pronarët e që mbajnë ndez një debat “shterpë”dite që ndjekësit e kualifikuar e dashamirësit e politikës e të ekranit shqip folës i bën me vjellë. Aty nuk jepen fotografi të politikë bërjes shqiptare e rajonale, aty nuk shtjellohen ide e argumente porse vetëm përplasje “gjelash” që kopjojnë liderët e pa skrupull e arrogantë.

Me altoparlantët e politikës shqiptare në ekranet e Tiranës e të Prishtinës nuk ka politikë, aty nuk ka profesionalizëm e përgjegjësi morale e kombëtare…Aty ka vetëm tellall që politikë bërjen shqiptare po e poshtërojnë e denigrojnë çdo ditë dhe në korë e të pa përfaqësuar ata po shpërfytyrojnë të tashmen e të ardhmen e shqiptarëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat