Këto ditë i është kushtuar vëmendje e madhe një ish të burgosuri, konkretisht Faton Hajrizit.
S'do të doja shumë të ndalem tek rasti i fundit lidhur me vrasjen e një polici serb dhe plagosjen e një tjetri në Loznicë të Serbisë, ku emri i Faton Hajrizit lidhet me këtë vrasje, është për tu shqetësuar se si një person ikë nga burgu dhe bëhet kaq i famshëm në mediat, shoqëri dhe me gjerë.
Fatoni mori mbështetje të madhe pas daljes nga burgu, në rrjetet sociale ai u konsiderua si trim, hero dhe legjendë. Në veçanti pas vrasjes së tij pas refuzimit për t'u dorëzuar, Faton Hajrizi edhe më shumë ka përforcuar epitetin e atyre që e vlerësojnë si hero. Por a mund të quhet i tillë një person që jo vetëm kishte vrarë një ushtar rus të KFOR-it në Skenderaj dhe kishte plagosur dy shqiptarë pas një mosmarrëveshjeje.
Por, veprat penale nëntë herë i arratisuri nga burgjet e Kosovës, nuk i kishte ndalur as në moshën madhore. Kërcënime, plagosje, vjedhje nën kërcënimin e armëve janë disa nga veprat që rëndojnë ndaj njeriut që sot nuk jeton më. Nisur nga këto është e habitshme glorifikimi i figurës së tij.
Promovimi i figurave të tilla nuk është i shëndetshëm për shoqërinë. Ka njerëz që emrit të tij i vendosin epitete të larta, disa janë më të arsyeshëm dhe nuk e shohin tek Fatoni njeriun e duhur që duhet marr si shembull. Tek e fundit Faton Hajrizi është produkt i kësaj shoqërie që edukimin e ka të dorës së dytë me ndëshkimin që është në rend të parë. Për këtë më vjen keq për fatin e tij, uroj mos të ketë askush fatin e tij. Shoqëria do të jetë më e shëndetshme kur edukimin e ka prioritet, Fatoni është pjesë e kësaj shoqërie që nivelin edhe të arsimit e ka të ulët.
Ai, sot më nuk jeton, por emri i tij do të përmendet gjatë, për dike hero e për dike viktimë, kriminel e çka jo tjetër.