Fenomenet e kohës: Kapitalizmi i dehumanizimit në Kosovë!...

Opinione

Fenomenet e kohës: Kapitalizmi i dehumanizimit në Kosovë!...

Nga: Ismail Muçiqi Më: 22 korrik 2024 Në ora: 14:18
Autori Ismail Muçiqi

Ndryshimi i sistemit në Kosovë nga sistemi Komunist (Socialist) duke u tranzituar në sistemin e Ekonomisë së Tregut (kapitalist), ka sjellë në skenë shumë meta dhe devijime në të gjitha aspektet e zhvillimit të një shoqërie normale. Kosova, e cila doli nga lufta e plagosur me vuajtje dhe skamje, ishte e papërgatitur për shokterapinë e cila erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Evropës dhe vende të tjera perëndimore për të përballuar ligjet dhe normat e reja të cilat vijnë nga vendet më të zhvilluara kapitaliste. Pothuajse 90% e qytetarëve të Republikës së Kosovës ishin prekur rëndë nga lufta duke humbur të gjithë pasurinë dhe asetet ekonomike të familjeve të tyre. Gjatë kësaj periudhe, ndërsa populli luftonte për të siguruar një kulm mbi kokë për të vazhduar jetën pas dëbimit nga Serbia, një shtresë e profiterëve të luftës, e cila ishte pasuruar përmes mënyrave të ndryshme kriminale, arriti të përfitonte duke blerë fabrika dhe burime ekonomike për interesat e tyre personale.

Procesi i privatizimit në Kosovë ishte i turpshëm dhe i kriminalizuar nga figura politike të ndryshme që menjëherë pas lufte morën pushtetin në Kosovë. Naivisht, shumë ndërmarrje shoqërore u blenë nga individë të ndryshëm që në çdo aspekt ishin të përfshirë në forma të ndryshme të korrupsionit dhe kriminalitetit. Agjencitë e privatizimit punuan pa kritere të cilat duhet të ishin përcaktuara paraprakisht nga rregullativa ligjore të shtetit të Kosovës. Kështu, pa kritere normale që garantojnë zhvillimin e çdo sektori, këto ndërmarrje dhe fabrika u blenë nga individë joprofesionalë, shumica prej tyre analfabetë dhe pa shkollë, gjë që e kërkonte koha. Tani, këta individë po zhvillojnë bizneset e tyre duke shkelur të drejtat elementare të punëtorëve, duke injoruar mundin dhe djersën e punëtorëve të tyre që kontribuojnë në ndërmarrjet e tyre.

Është vështirë për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e vlerave evropiane të anatemojë punëtorin në fabrikë ose në ndërmarrje të çdo sektori të procesit të privatizimit, nga "agallarët familjarë" të cilët nuk kanë asnjë vlerë humane njerëzore dhe të mos flasim për kulturën apo humanizmin e tyre. Ky tip i njerëzve, i cili ka përfituar nga privatizimi i pasurive të popullit, tani nuk ka asnjë respekt për të ardhurat e ulëta të punëtorëve, për kushtet e tyre të punës dhe për fatin e tyre që punojnë për ekzistencën e tyre.

Është e mjerueshme të shohësh intelektualin në një ndërmarrje të privatizuar nga një analfabet, i cili i shkel integritetin dhe dijen profesionale të cilën e ka fituar me mund dhe punë. Këto dukuri po i shohim kudo në ndërmarrjet dhe fabrikat që u privatizuan dhe u blenë nga profiterë të ndryshëm të cilët po pasurohen më tej përmes punës dhe pasurisë së mëparshme të popullit. Kjo fatkeqësi që i ndodhi Kosovës është një nga më të mëdhatat për shtetin dhe qytetarët e saj. Kjo ngjan me periudhën kur në qytetin e Chicagos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, punëtorët u ngritën në këmbë për të kërkuar të drejtat elementare që pronarët e kishin shkelur pasi kishin marrë në dorë fabrikat dhe kapitalin.

Vërtet, dehumanizimi është një krizë morale dhe njerëzore nga ata të cilët kanë rrëmbyer burimet dhe ndërmarrjet shoqërore, e cila tregon shifra të përditshme, ku dëgjojmë që punëtorët po humbin jetën në punë dhe objektet e ndërtimit të këtyre "pashollarëve" që kanë bërë kapital. Të gjithë ata që kontribuuan në këto procese, ku intelektuali dhe profesionisti bëhen shërbëtorë apo skllopunëtorë të një individi analfabet që ka përfituar nga mafiat e privatizimit, janë të drejtpërgjegjshëm për çfarë kanë bërë këtij populli dhe do të mbeten në faqen e zezë të historisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat