A janë të cenuara dhe nëpërkëmbura vlerat e demokracisë në Kosovë?

Opinione

A janë të cenuara dhe nëpërkëmbura vlerat e demokracisë në Kosovë?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 korrik 2024 Në ora: 14:29
Autori Rexhep Elezaj

Demokracia si koncept dhe sistem shoqëror, qëkur ajo ka filluar të zbatohet në Evropë pas Revolucionit francez (1789 – 1799), ajo ka kaluar nëpër faza dhe periudha të ndryshme, si në praktikë, ashtu dhe teori, sepse ajo nuk u ndërtua tek të gjithë popujt njësoi, duke marrë gjatë rrugës ngjyrim nacional, ndryshe në Gjermani, dhe ndryshe në Francë, Angli, etj. Pra, ajo u zhvillua duke iu përshtatur natyrës dhe specifikave të secilit popull veç e veç, që në realitet një diversitet i tillë demokracinë si vlerë të re njerëzore e bënte gjithnjë e më të pasur në përmbajtje, si dhe më funksionale në praktikë.

Por, ajo çfarë demokracinë në botën perëndimore në Evropë e bën shumë më të avancuar për nga substanca dhe mënyra e zbatimit të saj në praktikë nga sistemet tjera, siç ishte (është) ai komunist, social-liberal, etj., janë pa dyshim, niveli tejet i lartë i të drejtave themelore të njeriut, e drejta e shprehjes, fjalës dhe mendimit të lirë, por edhe thellësia dhe gjerësia e të drejtave të njeriut në jetë, pastaj sundimi i ligjit nga poshtë-lartë, si dhe kalimi i sovranitetit të plotë të shtetit në populli, gjegjësisht vullneti i lirë i votuesve për t’i zgjedhur prijësit e vetë politik dhe shtetëror në mënyrë të lirë dhe demokratike.

Një gjë është e sigurt, se popujt e civilizuar evropian pas LDB-re ia kanë dalë, që bashkërisht të ndërtojnë një sistem unik të vlerave të demokracisë, e që ndryshe quhen vlera universale të njeriut, të cilat dallojnë shumë pak nga njëri tek shteti tjetër, ngase zbatimi i tyre bëhet mbi baza dhe parime të njëjta morale dhe juridike, siç është mbrojtja me kushtetutë e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, liria e mediave, liria e lëvizjes, e drejta për punë dhe sigurim shëndetësor, pacenueshmëria e pronës private, etj., ku të gjitha të drejta themelore të njeriut janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë, pa dallim race, ngjyre, feje, gjendjeje sociale, etj.

Dhe tani vijmë tek pyetja konkrete;

Sa ka arritur të zhvillohet sistemi i vlerave demokratike në Kosovë pas luftës çlirimtare (qershor 1999) e deri më sot, sa janë të mbrojtura liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, siç është e drejta për jetë, sa janë të garantuara liritë e shprehjes, fjalës dhe mendimit të lirë, sa janë të mbrojtura dhe të garantuara me kushtetutë dhe ligje të drejtat e punëtorit, mësuesit, bujkut, të burgosurve, të votuesve, të drejtat e sigurisë dhe pacenueshmërisë së pronës private, të drejtat e trashëgimisë, etj.

A ka në Kosovë mungesë dhe shkelje në zbatimin e të drejtave të individit, si shtyllë kryesore e shoqërisë, sidomos të punëtorëve, të drejtës për sigurim shëndetësor, të drejtës në vendimmarrje individuale dhe kolektive në shumë fusha të jetës, si në politikë, ekonomi, etj.

Për shembull, a është vlerë demokratike mohimi nga ana e drejtorit apo Këshillit drejtues, në cilëndo organizatë punuese, i të drejtës së punëtorit për pjesëmarrje në vendimmarrje për ruajtjen e të drejtave të tij në punë,

A është vlerë demokratike abuzimi dhe mohimi i të drejtës së mërgimtarëve për votim në zgjedhjet parlamentare që mbahen për çdo katër vite në Kosovë,

A është vlerë demokratike, punësimi i njerëzve sipas afërsisë familjare, përkatësisë partiake dhe regjionale, pra sipas logjikës së nepotizmit, dukuri kjo e cila në Kosovë është e rrënjosur thellë në shoqëri,

A është vlerë demokratike, grabitja dhe uzurpimi i privilegjeve shtetërore në nivel qendror dhe komunal, derisa për të varfrit nuk kujdeset pothuajse askush, shih vetëm rrugët e qyteteve të Kosovës të mbushura për plotë lypsarë që kërkojnë lëmoshë çdo ditë,

A është vlerë demokratike diskriminimi i pensionistëve me një pagë meskine prej 100 eurove në muaj, dhe pa kurrfarë sigurimi social dhe shëndetësor,

A është vlerë demokratike, marrja e diplomave në fakultete, shkolla të mesme dhe patentë-shoferë përmes mitos dhe korrupsionit, dhe shih pastaj numrin enorm të ndeshjeve me fatalitet nëpër rrugët e Kosovës,

A është vlerë demokratike, shkyçja e ujit dhe e rrymës së qytetarëve për mos pagesë të saj në vlerë prej vetëm 100 erove, hiç rastin e firmave të mëdha që nuk e paguajnë rrymën dhe ujin me rregull,

A është vlerë demokratike, emërimi i konsujve dhe ambasadorëve përmes lidhjeve familjare, miqësisë me politikanë “të mëdhenj”, sipas linjës partiake dhe korrupsionit, dhe jo sipas meritokracisë dhe konkursit të hapur,

A është vlerë demokratike, futja në listën për deputet e disa kandidatëve sipas bindjeve të lideri partiak, gjegjësisht sipas afërsisë me të, duke ia marrë votat njërit për t’ia dhënë tjetrit simpatizant të liderit, vetëm që i preferuari i tij duhet të bëhet patjetër deputet,

A është vlerë demokratike, shpërndarja e buxhetit nëpër komuna sipas linjës partiake, por edhe e subvencioneve në bujqësi, sipas preferencave personale dhe miqësisë me ministrin, dhe kështu me radhë deri në pambarim..!?

P.S. Këto “vlera demokratike” në Kosovë të sipër përmendura, në vendet demokratike evropiane, nuk e gjen dot asnjë rast të një shkeljeje të tillë në praktikë, sepse shkelja e vetëm njërës nga këto vlera, vlerësohet dhe konsiderohet baras me çdo krim moral dhe politik, dhe shkelje të këtilla në këto vende nuk ndodhin kurrë, ngase, së pari ata nuk i lejon edukata familjare, shkollore, si dhe morali i lartë i ndërtuar përmes vlerave të sistemit arsimor-edukativ, duke filluar nga çerdhet e deri në Parlament.

vendet demokratike të Evropës nuk ka fare njerëz të privilegjuar, por as politikanë të favorizuar, sepse që të gjithë janë të barabartë njësoi para ligjit dhe Kushtetutës, që të gjithë janë qenie të barabarta njerëzore para popullit dhe para Zotit, këtu nuk ka klasë dhe as kastë politike të privilegjuar dhe mbi ligjin, dhe as tajkunë e as oligarkë të privilegjuar mbi shoqërinë. Çdo gjë është e vendosur në vendin e vetë, dhe atë vetëm sipas meritave dhe rezultateve në punë, vetëm sipas suksesit dhe aftësive personale në firmë, në shkencë, ekonomi, sport dhe kulturë, ngase vetëm kështu mund të ekziston shteti dhe shoqëria demokratike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat