SHBA-të bastion i demokracisë dhe i paqes në botë nuk duhet të lejojnë që posti i presidentit të lihet në duart e pleqve. SHBA-të duhet të udhëhiqen nga kuadro të reja me vullnet, vizion, energji dhe urtësi maksimale.
Joe Biden me mençurinë e tij e kuptoi se në moshën e tij 81 vjeçe përkundër dëshirës dhe qëllimeve të mira nuk mund të kontribuojë maksimalisht për t’i mposhtur sfidat para të cilave ndodhen SHBA-të, ndaj edhe më 21 korrik 2024 vendosi të tërhiqet nga gara për president të SHBA-ve në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor të këtij viti.
Joe Biden si politikan në SHBA është i pranishëm tashmë më shumë se gjysmë shekulli, prej tyre tre dekada në postin e senatorit, dy mandate si Zv’ presidentit i Barak Obamës dhe një mandat 2020-2024 si president i SHBA-ve.
Joe Biden ishte mbështetës i flaktë dhe këmbëngulës i sulmeve të NATO-s ndaj caqeve ushtarake të Serbisë gjatë gjenocidit serb në Kosovë në vitet 1998/99 dhe përkrahës dhe mik i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.
Donald Trump kandidat i Republikanëve gjithashtu mendoj se duhet të tërhiqet nga gara për president të SHBA-ve dhe se duhet të jetë i vetëdijshëm ta kuptojë se mosha e tij 78 vjeçe nuk garanton që ai të meritojë të jetë president i SHBA-ve, përkundër ambicies e dëshirës që të jetë për herë të dytë president i SHB A-ve.
Këtu duhet shtuar edhe fakti se ndaj personalitetit të Donald Trump ekzistojnë edhe shumë akuza seksuale për aventura ndaj femrave, akuza të keqpërdorimeve ekonomike me fshehjen e tatimeve, akuza për sulmin në Kapitol Hill pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2020, si edhe dhe akuza për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në shtëpinë e tij.
Atentati ditë më parë kundër Donald Trump gjatë fushatës së zgjedhjeve ku fatmirësisht shpëtoi me një lëndim të vogël duhet t’i shërbejë si paralajmërim serioz.
Donald Trump dhe deklaratat e tij se do ta ndërpret luftën në Ukrainë, ose luftën Izrael-Hamas, ose se do t’i zvogëlojë shpenzimet për NATO-n, si edhe deklaratat e tjera bombastike gjatë fushatës zgjedhore, flasin qartë se edhe Republikanët duhet të vendosin që në vend të Donald Trumpit për president të SHBA-ve të kandidojnë një kandidat tjetër, i cili duhet të jetë i përgatitur dhe i arsyeshëm për tu përballuar me sfidat që i presin SHBA-të karshi vatrave të luftës, rreziqeve për shpërthimin e vatrave të reja të luftës dhe ballafaqimit me bllokun e rrezikshëm ushtarak BRICS ku marrin pjesë Rusia, Kina, India Koreja e Veriut, Irani, Afrika e Jugut dhe Brazili.
Donald Trumpit askush nuk mund t’i garantojë si do ta ketë gjendjen e tij shëndetësore në këtë moshë që është gjatë fushatës zgjedhore dinamike dhe intensive, ose eventualisht pas fitores dhe mandatit të dytë që pretendon të jetë president SHBA-ve.
Lidhur me frikën që po përhapet në media se me ardhjen e Donald Trumpit si President i SHBA-ve do të ketë një qasje krejtësisht ndryshe dhe negative ndaj Ballkanit, Serbisë dhe Kosovës, përgjigja jonë është se as Donald Trump dhe as njerëzit rreth tij nuk duhet të kenë iluzione të tilla, sepse çdo gjë varet nga përcaktimi i Zotit Krijues, i cili vendos për gjerat jetike në botë, e jo g ambiciet meskine personale të kujdo qofshin.
Unë si gazetar jam moshatar me Donald Trumpin dhe relativisht jam në gjendje të mirë shëndetësore dhe me mendje të çiltër, por megjithatë mendoj se po të isha në vendin e Donald Trumpit, nuk do ta preferoja garën dhe fitoren për president.
Kjo për vetë faktin se me moshën 78 vjeçe në të cilën ndodhemi në hapërimet e fundit të jetës, ku nuk dihet se çka na sjell e nesërmja, zgjedhja më e mirë do të ishte të jetojmë një jetë të kujdesshme dhe më maturi ndaj shëndetit sepse kjo moshë në të cilën ndodhemi është shumë delikate dhe e pa parashikueshme pavarësisht nga joshja e dëshirave tona.
Në SHBA ekzistojnë kuadro të reja e të përgatitura në mënyrë të shkëlqyeshme dhe cilësore për tu ballafaquar me problemet brenda SHBA-ve dhe me sfidat dhe krizat ekzistuese botërore të cilat mund të shtohen me kriza të reja, që lypin një angazhim dhe punë intensive, të kujdesshme dhe rraskapitëse për të arritur zgjidhje në të mira për SHBA-të dhe të mbarë njerëzimin.