Shqiptarët duhet të jenë imun ndaj kësaj platforme, sepse vetëm kështu luftohet bota serbe në tokën tonë!
Një nyje e dhunës psikologjike është kurthurue me “qëndrime dhe veprime pa përdorimin e forcës fizike, por e përceptuar si armiqësore, kërcënuese, kontrolluese dhe poshtëruese me efekte ndjenje të frikës, të fajit, turpit dhe inferioritetit"!Kjo dhunë tejet komplekse e politikës serbe, me mjeshtri u instalue ndaj shtetit të Kosovës dhe shqiptarëve në rajon, falë naivitetit tonë koherent për pushtet drejtë pasurisë, mendjemadhësisë dhe hasmërisë ndaj njëri tjetrit dhe për njëri tjetrin! Lakmia perfide e grupeve të politikës, individit dhe besimit ishin ndihmesat anësore nëpër dekada, për politikën serbe e cila shoqërohet haptas me inspirimin permanent për të ngjallë apetitet hegjemoniste. Mos uniteti ynë nëpërmes partive politike drejtë një platforme gjithëpërfshirëse përballë bisedimeve me Serbinë është kopja më e keqe e tanë kësaj hallakame në të cilën jemi zhytë këmbë e krye! Kjo është për të vajtue, sepse ato që i dëshiron shteti serb ndaj nesh, ne shqiptarët ia bëjmë vetëvetes! Nuk jemi bashkë, urrejmë njëri tjetrin, dhe jemi bë të pa besë ndaj njëri tjetrit.
Në këtë kontekst, të marrësh si shembull pozicionin e Donald Trumpit në Amerikë është fyrje për politikanët tanë dhe partitë politike, sepse këta tanët ishin në politikë “për pasuri”përpara D. Trumpit, kurse Trumpi kaloi nga biznesi te pasuria dhe pastaj i hyri politikës. Sot, këtyre tanëve po ua lakove emrin bëhet nami, sepse të gjithë pa dallim ndjehen të pa prekshëm dhe të pa gabueshëm edhe pse janë kontribuesit të mëdhenjë të klimës së përqarjes dhe urrejtjes në shoqërinë tonë.
Shtrohet pyetja se çka mund të arrihet në këtë mënyrë dhe me këta (njerëz të rritur), të cilët bërtasin, janë agresivë, njollosin dhe etiketojnë në mënyrën më të shëmtuar për të vetmin qëllim, që të varrosin mendimet e njëri tjetrit të cilat nuk u pëlqejnë. E tanë kjo egërsi është bë pjesë e një kulture shumë vjeçare e cila edhe përditësohet. Askush nuk e kursen edhe gjatë një bisede normale, gjatë një diskutimi në parlament, nëpër portale dhe mediume elektronike.
Kjo sëmundje kronike është dënimi më i madhë që i bëhet ardhmërisë tonë, prandaj duket si një shpresë e thyer për ndonjë zgjidhje të thjeshtë që të kapërcehen këto formulime të dëmshme të agresivitetit. Duke qenë se politikanët, besimtarët dhe debatuesit e shoqërisë tonë nëpër media, nuk janë në cilësinë e modeleve më të mira për vendin, atëherë nuk mbetet tjetër, përpos të presim duarhapur veprimet e botës serbe që të përsërisin një gjëmë të madhe dhe pastaj të n’a bashkoj instikti!
Këta armiqtë e shqiptarisë janë në pritje, vetëm duartrokasin dhe urojnë që kjo klimë e politikës shqiptare agresive përmbrenda shtëpisë tonë, të vazhdojë deri në pakufi!
Dt:24.07.2024/ H.Rafuna