Dilemat e politikës ndaj religjionit në demokraci!

Opinione

Dilemat e politikës ndaj religjionit në demokraci!

Nga: Hamdi Rafuna Më: 27 korrik 2024 Në ora: 22:04
Ilustrim

Në një demokraci të mirëfillt duhet të sigurohen edhe parimet liberale, por këto herë pas here edhe mund të bien ndesh me njëra-tjetrën. Shembull; ndalimi i hixhabit nga Franca në shkollat fillore justifikohet me dëshirën për të shmangur diskriminimin gjinor! Në të njëjtën kohë, kjo mund të perceptohet si diskriminim ndaj të drejtave të tyre për t'u veshur sipas dëshirës. Në Norvegji, vërehet se kërkesat e shoqërisë për barazi mund të vendosen kundër lirisë së besimit dhe këndvështrimit të organizatave kur ato vlerësohet se kush duhet të marrë mbështetjen e shtetit.

Gjatë historisë, ne shohim se feja është përdorur politikisht në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë politika është promovuar e bazuar në një pikëpamje fetare, herë të tjera feja ose fetë individuale janë kundërshtuar. Pra, feja është përdorur edhe si motivim për ndryshime politike.

Po ashtu në shumë vende, feja dhe kombi janë të lidhura së bashku. Kombi në Norvegji, që nga viti 1814 ishte i lidhur me krishterimin. Pra "feja publike" ishte kushtetuese e shtetit deri në 21 majin e 2012, kur Storting miraton ndryshime kushtetuese për të’i dhanë Kishës së Norvegjisë një autonomi të brendshme më të rritur. Kurse në janarin e vitit 2017 erdhi reforma tjetër administrative për një ndarje të plotë  midis kishës dhe shtetit.

Në Poloni dhe në Irlandë, të qenit katolik ka qenë një përparësi qendrore e identitetit. Në këto vende  Kisha Katolike ka lënë gjurmë në legjislacionin e abortit …)

Feja me të madhe është përdorur edhe nga nacionalistët për të forcuar identitetin kombëtar dhe për të krijuar ndarje dhe dominim ndaj të tjerëve. Një shembull klasik i këtij lloji është feja Ortodokse e serbosllavëve në ish Jugosllavi. Kjo fe ka kontribuar dhe ka udhëheqë në rritjen e mosmarrëveshjeve ndëretnike, ndërfetare drejtë luftës dhe kufijve "të rinj"….) Pas vitit 1980, dolën në sipërfaqe të gjitha lakmitë e politikës hegjemoniste pansllave nën hijen e ortodoksizmit serbosllav. Këta e donin dominimin dhe ish Jugosllavia përfundimisht u shpërbë. Rezultati ishte lufta, gjenocidi dhe masakrat në vija etnike dhe fetare ndaj shteteve të pavarura dhe ish njësisë federale të atëhershme të Kosovës!

Kemi edhe kombe që janë ndërtuar kundër identitetit fetar të shumicës, si kur që ishte Ataturku, presidenti i parë i Turqisë  laike nga 1922–38.

Religjioni mund të lidhet edhe me politikën partiake. Në Norvegji, Partia Popullore e Krishterë është partia Demokristiane.

Edhe të krishterët konservatorë në SHBA shpesh votojnë republikanët, ndërsa të krishterët më liberalë votojnë demokratët.

Të krishterët konservatorë u vlerësuan ose u fajësuan kryesisht për ardhjen e Donald Trumpit në pushtet në vitin 2017…)  Viktor Orban i Hungarisë nga një ateist i hapur në vitet 1980, në ditët e sotme mbanë lidhje të ngushta me kishën. Këta  dy shembujt e fundit tregojnë se kur partitë marrin grupe të mëdha fetare në anën e tyre, kjo mund të kurorëzohet me  një ndryshim në zgjedhje. Prandaj feja mund të jetë e rëndësishme për partitë ose liderët laikë, kur këta bashkojnë pjesë të politikës me vlerat fetare për të mbledhë më shumë vota dhe për të ardhë në pushtet!

Ndërsa, qëllimet e shumë lëvizjeve protestuese në të shumtën e rasteve janë laike, të tilla janë të drejtat e zezakëve apo homoseksualëve. Megjithatë, feja mund të jetë një pjesë e rëndësishme në luftën e rezistencës, nëse e ka një pozitë të privilegjuar në shoqëri. Lëvizja për të drejtat civile në SHBA nga vitet 1960, e udhëhequr, nga prifti Martin Luther King, luftoi për të drejtat e zezakëve. Në Amerikën e Jugut në vitet 1970, teologjia çlirimtare tha se kisha duhet të jetë në anën e të varfërve dhe të shtypurve, në vend që të mbështesë udhëheqësit.

E rëndësishme për lëvizjet protestuese është që mesazhet e tyre të shpërndahen, kur dihet anëtarët e klerit shpesh shihen si të ndershëm, të drejtë dhe të matur. Kështu edhe u përdorën priftërinjtë për të transmetuar historitë e njerëzve që u ishin nënshtruar terrorit nga shteti si në Brazil, Nikaragua dhe Argjentinë në vitet '70, '80 dhe '90.!

Prandaj shtetet edhe mund të bashkëpunojnë me religjionin në mënyra të ndryshme. Këto pesë modelet e më poshtme tregojnë mënyrat e ndryshme të menaxhimit të marrëdhënieve midis fesë dhe shtetit:

1.Modeli i shtetit ateist!

Feja shihet si e rrezikshme dhe si diçka që duhet kundërshtuar. Në ish-Bashkimin Sovjetik dhe në shtetet e tjera komuniste, kishat u mbyllën dhe priftërinjtë u persekutuan, këtu rradhitet edhe ish shteti komunist i Shqipërisë.Të njëjtat politika i shohim edhe sot kundër grupeve fetare në shtetin e Kinës!

2.Modeli i ndarjes!

Ideali është të mos mbash një qëndrim për fenë. Duhet të ketë një dallim të qartë midis shtetit dhe fesë. Franca ashtu edhe SHBA-ja e kanë këtë si ideal. Në Francë quhet laïcité, dhe atje herë pas here kemi parë propozime të diskutueshme për të ndaluar simbolet e dukshme fetare në publik.

3.Modeli i pluralizmit!

Ky është i ngjashëm me modelin e ndarjes, por këtu shohim një ndarje parimore midis fesë dhe shtetit, ndërsa në të njëjtën kohë përjashtohet ndonjëra fe për të marrë përfitime ligjore. Shpesh bëhen marrëveshje për dialog dhe bashkëpunim ndërmjet shtetit dhe komuniteteve fetare. Gjermania është një shembull. Disa shtete bashkëpunojnë me kishat katolike dhe protestante për të zbatuar edukimin fetar në shkolla, por mësimi nuk është neutral sikurse në  KRLN  e Norvegjisë!

4.Modeli i themelimit!

Një bashkësie fetare ose një besimi i jepet një status i veçantë, por të gjithëve u garantohet parimisht liria e bindjes dhe e besimit.

Në Angli e gjejmë këtë shembull të kësaj forme me mbretëreshën si kryetare politike dhe fetare. Vendet nordike kanë mbetje të këtij sistemi, megjithëse nuk kanë më kisha shtetërore.

5.Modeli i shtetit konfesional!

Një traditë e veçantë fetare përdoret si bazë për politikën e shtetit në fusha të ndryshme. Dallimi midis asaj që konsiderohet përgjegjësi dhe kompetencë e shtetit dhe fesë konsiderohet si diçka e rastësishme. Në Iran dhe Arabia Saudite kanë sisteme të qeverisjes që pajtohen mirë me këtë model, respektivisht Islami Shiit dhe ai Sunit.

Në praktikë, shumica e vendeve kanë elementë nga disa modele, por në shumë vende, të drejtat e njeriut varen nga këndvështrimi për jetën…)!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat