Disa “kritere e merita” për karrierë të suksesshme në administratën shtetërore në Shqipëri...!?

Opinione

Disa “kritere e merita” për karrierë të suksesshme në administratën shtetërore në Shqipëri...!?

Nga: Xhevat Mustafa Më: 29 korrik 2024 Në ora: 09:40
Xhevat Mustafa

Kërkesat, kriteret, kushtet, detyrimet, “meritat”, avantazhet..., për karrierë të suksesshme, tejet fitimprurëse e jetëgjatë në administratën shtetërore në Shqipëri, e nën shembullin e saj edhe në plot institucione dhe asociacione private, janë të shumtë! Unë po rendis disa prej tyre, pa menduar e pretenduar se këto janë renditur saktë e përfundimisht dhe nuk mund t’u ndryshohet vendi dhe formulimi: - Të jesh “i majtë”, enveristo- edramist, komunisto-socialist, denbadaden, me “rrënjë e degë”, me gjysh, baba, dajë, xhaxha me detyra të mesme e të larta në shtetin dhe qeveritë e Enver Hoxhës! Ose të jeshë me origjinë “të djathtë”, me status në letër nga “shtresa e të përndjekurve politikë”, nga kontigjenti i atyre që janë bërë me detyrim apo vullnetarisht bashkëpunëtorë e spiunë të ish sigurimit enverian dhe ata të pas 1990- tës, mundësisht me bursë nga Soros...!

Të jesh socialisto-rilindas me apo pa zemër e vetëm për me mbush xhepat dhe depozitat bankare; me teserë, votë, përkushtim sakrifikues e me vepra të shumta; kontribues bujar financiarisht...në betejat dhe fitoret elektorale të partisë së zemrës e të xhepave të panumërt...! -Të kesh familjarisht dhe individualisht angazhim aktiv dhe kontribute të ndjeshme në “epopetë e lavdishme” apo “faqet e ndritura” të PS-së më 1997, në “tragjedinë e Gërdecit”, më 21 janar 2011...! -Të jesh gojëkyçur, i pandikueshëm dhe i pandryshueshëm në bindje, partishmëri, pozicionim, votë..., nga sa shikon e dëgjon për partinë dhe qeverinë; për dikasterin dhe institucionin, për titullarin dhe vartësit e tij apo të saj; për të shkuarën e largët e të afërt të tyre si dhe për bëma e gjëma; për lidhje private, intime, familjare të SHEFAVE dhe SHEFEVE...! -Të mos kesh asnjë rezervë e kundërshti ndaj sloganit” Përgjegjësia (nënkuptueshëm edhe ndëshkueshmëria) është personale”, edhe pse përfitimet dhe detyrimet janë partiake, qeverisëse, kolegjiale, ekipore, grupore...! - Të jesh spiun i vjetër me një listë të gjatë viktimash nëpër burgje e kampe internimi, në varre ose akoma të gjallë...!Ose patronazhist i sotëm, i devotshëm e i vendosur për çdo pisllëk korruptiv e antiligjor..., pa asnjë kompleks frikësimi, mëdyshjeje dhe vrasjeje në ndërgjegje për “dogmat” dhe “përrallat” ideal, moral, ndershmëri, besnikëri bashkëshortore... - Të jesh zemërgur e dorë padridhur ndaj interesave shtetërore e kombëtare, njerëzore e qytetare..., duke i parë dhe vlerësuar si çdo mall tregu! Apo ngjashëm si copa bostani, pjeshke, molle, dardhe, ftoi, torte, bakllavaje...! - Të jesh nota, dëftesa, diploma, mastera, doktoratura...vend pune blerës...dhe i aftë e i paturpshëm për t’u vetë reklamuar dhe për t’u mbushur mendjet SHEFAVE sikur je profesor dhe intelektual elitar, edhe kur nuk ke asnjë vepër të botuar...! - Të jesh ish burgaxhi, drogaxhi, trafikant...i suksesshëm nëpër botë ose në Shqipëri... si dhe me lidhje të shumta, të afërta e të forta me bosët kryesorë në këto fronte e jashtë tyre, deri lart në qeveri...!

Të kesh njohje personale me kryeministrin Edi Rama ose me njerëzit më të afërt e më të besuar të tij...në majën e piramidës partiake, qeverisëse, të drejtësisë, oligarkisë..., sidomos me ata ose ato, që kalojnë pas firmave apo nëpër duar projekte të mëdha e dengje me miliona...! - Të pranosh të bësh pjesë në një skuadër, ekip, grup të strukturuar korruptiv dhe kriminal dhe të bësh pa mëdyshje e pa hapur gojë, sidomos sa je i lirë e në raste kur përfundon tepër përkohësisht liria, në hetuesi e gjykime, gjithçka të kërkohet në interes apo të mirë të tij nga SHEFAT...!

Në përbërje grupesh ose individualisht të dish e të mos kesh mëshirë e skrupull që tua nxish jetën në detyra e zyra të aftëve me diploma, vlera, kontribute, vepra djerse; të ndershmëve, jo partiakëve, jo servilave të SHEFAVE...sa të ikin shpejt vetë nga detyrat e zyrat me “dorëheqje të vullnetshme e të pakthyeshme” në një institucion privat ose jashtë Shqipërisë, në një vend të Perëndimit ose Botës Arabe..., që njihen si “parajsa fiskale dhe juridike”! - Të mos të të dridhet dora e jo më zemra, të mos mendosh dhe thuash asnjëherë “Mjaft!”, “Boll!”, “E tepruam!”, “E menderosëm!”, “Po bëjmë mëkate e krim!”..., kur vë dorë e këmbë, rrota veturash luksoze e themele e kate pallatesh dhe kullash mbi miliona të buxhetit të shtetit; mbi prona dhe pasuri shtetërore e publike si dhe private! Edhe kur me ndihmën e miqve dhe mikeshave në hipoteka e kadastra, nëpër bashki e prefektura...,ndërron pronësinë e tokave dhe të objekteve! Por, nëse je në frontin e tregtisë, edhe datat e prodhimit e të skadencës të ushqimeve, ilaçeve mjekësorë dhe prodhimeve të tjera të konsumit të përditshëm, të skaduara prej një kohe të gjatë ose me përbërës të rrezikshëm e dëmshëm për shëndetin dhe jetën e konsumatorëve të tyre...!

Nëse je SHEF, bashkëpunëtoret më të afërta, sekretaret dhe këshilltaret, veçanërisht ato që janë në mosha të reja e të bukura, nuk duhet t'i shikosh e trajtosh si motra e kushërira të para...! Në të kundërt, nëse je SHEFE..., bëji me çdo “armë” e mënyrë “skllevër për vete”! - Të jesh me kartelë problematike të shëndetit mendor, mundësisht ish pacient e i shtruar me javë e muaj në Spitalin Neuro- Psikiatrik nr 5 në Tiranë...e në pavione të ngjashëm në Elbasan, Vlorë e gjetiu apo në vende të tjerë të botës..., për t’u justifikuar e mbrojtur, kur në salla gjykatash, kjo kartelë të të shpëtojë nga një dënim i rëndë e të marrësh një fare të lehtë..., pas të cilit bën burg vipash dhe del edhe më i pasur dhe pronar shumë më i madh...!

Të jesh i përfshirë në afera, dosje, projekte korruptive...voluminoze e të rënda si letra e lekë, euro, dollarë, paund, franga...si dhe të shikueshme e funksionale, ose thjeshtë e krejt në letra e të fantazuara, sa për t’ua hedhur SPAK-ut, KLSH-së dhe institucioneve të tjerë të kontrollit dhe auditimit...! - Të kesh para shqiptare dhe të huaja me bollëk në shtëpira e banka shqiptare e të huaja "për të fluturuar" sa më shpejt e për të jetuar gjatë si "sheik shqiptar e rilindas" në parajsa fiskale e ligjore në botë, sapo SPAK të nxjerrë e publikojë urdhër- arrestin...e para se të vijnë policët urdhër-zbatues...! Meqenëse “kemi fatin e madh të jetojmë në një vend "demokratik", me "liri të pakufizuar mendimi, shprehjeje, votimi, veprimi...”, secili është i lirë të shtojë sa të dojë kërkesa, kritere, "merita"... të tjera!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat