Përmbledhja e kësaj analize synon të argumentoj domosdoshmërinë e financimit të RTK-së përmes një takse nga buxheti i shtetit, duke ndaluar financimin komercial përmes reklamës dhe sponzorizimit, e që kjo formë e strukturimit do ta nxirrte RTK-në nga kriza në të cilën gjindet momentalisht, njëherë e përgjithmonë.
LVV dhe Albin Kurti me orientim socialdemokrat do të kërkonin një barazi sociale për RTK-në, një reformim të thellë, të cilin po mundohem ta skicoj shkurtimisht në këtë trajtim duke shtruar pyetjen se çfarë do bëhet me mediumin publik dhe si do ndikojë kjo reformë mbi rregullimin e tij?
Me këtë rast mund t´i evidentojmë disa mangësi që në fillim, të cilat, janë shfaqur përgjatë këtij zhvillimi të RTK-së.
Janë shqyrtuar shumë modele (nga koha kur u themelua) të huazuara nga shtetet perëndimore, siç është modeli amerikan dhe ai evropian, e nga ato është krijuar një model miks për RTK-në- një lloj „përbindshi“, jo edhe aq funksional, i cili, pra, përpos orientimit komercialist, ka edhe probleme strukturore në menaxhim dhe financim i cili lidhet detyrimisht me orientimin e përgjithshëm të mediumit. Për këtë reformim rrënjësor natyrisht nevoitet një orientim i ri ideologjik. Përkushtimi dhe kujdesi politik i kësaj qeverie që të ndërpritet fenomeni i komercializimit në këtë medium, është mëse i domosdoshëm.
E këto kanë të bëjnë edhe me përcaktimin joadekuat dhe ambivalent, sa i përket organizimit të brendshëm, kontrollit dhe përbërjes së tij nga strukturat e shoqërisë civile, që nga fillimi e deri tani.
Ky përcaktim solli telashe, kishte qëllim të mënjanojë ndikimin politik mbi RTK-në, por e arriti të kundërtën. Bashkësia Ndërkombëtare, nga ana e saj besonte se ky rregullim, pra, me ndërtimin e strukturave udhëheqëse nga shoqëria civile dhe financimin e pjesërishë nga reklama, sponzorimi dhe taksa, nuk do të krijonte kushte për politizim të mediumit. Por politizimi nuk u ndal, ndodhi dhe po ndodhë tutje.
Gabimi i parë ishte se nuk u pëlqye modeli gjerman. Si duket, dikush, nuk pati dëshirë ta instalojë këtë model në Kosovë, edhe pse ky model do t´i përshtatej më shumë rrethanave shoqëroro - politike në vendin tonë. Përbërja e këtij bordi të RTK-së, sipas modelit gjerman, do të ishte: qeveria do të dërgonte në bord dy përfaqësues, parlamenti tre, subjektet politike nga një dhe grupet e interesit po ashtu nga një?
Ky model do të zvogëlonte ndikimin e drejtpërdrejt politik, njëheri do të kontrollonte shtrirjen e ndikimit mbi autonominë redaksionale dhe do të shërbente si instrument vetëkontrollues, i cili do të mundësonte një baraspeshim të interesave dhe do të lejonte një pjesëmarrje të baraspeshuar të të gjitha grupeve shoqërore në diskursin shoqëror dhe, drejtpërdrejt do të financohej nga publiku, siç bëhet në Gjermani përmes GEZ,-it, institucion ky i pavarur (nga shteti dhe grupet e interesit ekonomik dhe politik) i cili bënë mbledhjen e taksës për mediumin publik ARD dhe ZDF. Por, siç do të shohim më poshtë, as ky model i financimit për kushtet e Kosovës nuk u zbatua.
Pengesa e parë e këtij mossuksesi ishte mënyra e mbledhjes së taksës, e cila nuk dha rezultat. Në fillim ajo u bë u përmes KEK-ut. Me këtë rast mund të thuhet se ky model dështoi për faktin se nuk u krijua një GEZ- kosovar, agjenci e pavarur, si në Gjermani, që t´i mbledh të hyrat për RTK-në.
Me këtë nuk pati as reforma në qasjen e tij në program, rritjen e besueshmërisë tek qytetarët, nuk pati performancë në rritjen e cilësisë programore, mënjanimin e interesave partikulare etj, dhe, para së gjithash, nuk pati reforma në udhëheqjen e tij.
Reforma e domosdoshme do të fillonte me stafin e përgatitur menaxherial të RTK-së, i cili duhet të jetë i ndarë nga struktura e udhëheqjes programore dhe i asaj teknike dhe duhet të jetë i pajisur me kuadro profesionale - doktor të ekonomisë, menaxher të sprovuar në ndërmarrje publike apo tregtare (qoftë të sjellur edhe nga jashtë). Pra, duhet të krijohet një hierarki vertikale e mbikëqyrjes dhe të ketë ndarje të përgjegjësive, duke patur parasysh edhe kufizimin e qasjes së menaxhmentit në çështje redaksionale dhe anasjelltas dhe të ketë gjithashtu, një kontroll të brendshëm të mirëstrukturuar.
I njëjti kuadër, siç përmenda më lart, duhet te vlejë edhe për drejtorin gjeneral dhe zëdhënësit e tij, njeri duhet të jetë i doktoruar në fushën e medieve në gazetari, mundësisht në ndonjë universitet evropian.
Dilema e “Public Service
Deri tani RTK lëshohej në “luftë” të ashpër për të fituar më shumë shikues, edhe pse ky nuk duhet të jetë synimi. Kjo luftë për “fituar” shikues, siç do të shkruante studiuesi gjerman Friedrich Krotz është e vetëkuptueshme, pasi që televizionet komerciale, duan të kenë publikun me vete për të fituar, siguruar reklamën, ndërsa, radiotelevizionet publike, duhet të bëjnë program me interes publik, nëse jo, atëherë ata e humbin legjitimitetin”.
Ky rregull duhet të vlente për mediumin publik dhe jo ngarendja pas reklamës dhe komercializimit të programit, siç është duke ndodhur në realitet, fakt të cilin e ka vërtetuar edhe KPM. Brengë e madhe shihet tutje edhe nga Komisioni Evropian moszgjidhja e mënyrës së parapagimit për RTK-në dhe një pjesë e fajit i adresohet edhe parlamentit të Kosovës.
Mos eliminimi i këtyre kundërthënieve e zbeh besueshmërinë e mediumit karshi taksapagueseve. Por besueshmëria e taksapaguesve ndaj RTK-së nuk rritet kur nuk ka disponim dhe besueshmëri nga qytetarët për ta paguar taksën.
Kur do të ndryshohet ligji i RTK-së?
Parlamenti i Kosovë e ka obligimin ligjor ta reformojë ligjin, ta plotësojë atë me akte tjera nënligjore që RTK, njëherë e mirë, të financohet nga taksa (dhe konsumimi i programeve të RTK-së të jetë pagesë për qytetarët dhe pa financim komercial, ashtu siç bëhet financimi i gjithë sektori publik dhe administratës.
Për të arritur këtë, problem serioz në këtë mes mbetet dilema se a do e miratohet një plotësim i ligjit të RTK-së, çfarë obligime do të dalin nga plotësimi i tij, karshi punëtorëve të RTP-së dhe a do merren ato parasysh, në qoftë se RTK trashëgon pronën e ish-RTP-së dhe do i jepet RTK-së për menaxhim?
Ndryshimi i Ligjit në këto përmasa nuk është debatuar fare në opinion publik, as nga profesionistët e kësaj lëmie, por as nga vet menaxhmeti dhe bordi i RTK-së dhe, vështirë se do të përkrahet nga ambasadat e shteteve të Quintit.
Reforma – domosdoshmëria e financimit nga buxheti- shembuj nga vendet skandinave
Të dhënat aktuale empirike tregojnë bindshëm se lidhjet midis financimit dhe suksesit të audiencës, që vlejnë edhe për RTK-në, janë evidente. Nga shumë hulumtime krahasuese nga shtetet e ndryshme të BE-së, bëhet e qartë se transmetuesit me nivele të larta të financimit publik priren të jenë më të suksesshëm me audiencë sesa ata me burime të kufizuara.
Kjo do të thotë; sa më shumë burime të disponueshme (buxhet) të ketë mediumi publik, aq më e lartë është pjesa e tregut dhe mundësia për të bërë gazetari kualitative me impakt pubilk. Organizatorët me nivele të larta të financimit publik perceptohen gjithashtu nga popullata si më pak të varur nga presioni politik.
Pra, reformën me fytyrë sociale e shoh të mundshme vetëm duke ndryshuar modelin. Me ketë rast RTK duhet të shëndërrohet në medium publik, pa asnjë të ardhur komerciale, por të financohet përmes taksës nga buxheti i Kosovës, ashtu siç bëhet financimi i gjithë sektori publik dhe administratës.
Shih për këtë kemi shembuj nga vendet skandinave. P.sh. transmetuesi publik në vendet skandinave nuk ka pothuajse asnjë të ardhur komerciale.
Shumica e vendeve evropiane kanë një transmetues publik ose një transmetues të ngjashëm, i cili është i disponueshëm në Danimarkë, Finlandë, Francë, Greqi, Britani të Madhe, Irlandë, Islandë, Itali, Maltë, Norvegji, Poloni, Suedi, Zvicër, Slloveni dhe në Republikën Çeke, ashtu si në Gjermani, i cili financohet nga tarifat e transmetimit.
Modelet e mbledhjes së tarifave në Evropë
Ekzistojnë disa modele të mbledhjes së tarifave në Evropë. Në Britaninë e Madhe dhe Danimarkë, për shembull, procesi i grumbullimit kryhet nga vetë transmetuesi publik. Në Austri, Gjermani dhe Zvicër, kompanitë e ngarkuara për të mbledhur tarifat janë përgjegjëse për të. Nga shteti – përmes taksave – mbledhja e të hyrave bëhet në Spanjë, Portugali, Luksemburg, Belgjikë, Holandë dhe Francë. Në Francë kjo bëhej, para disa viteve, së bashku me taksën e banesave. Në Greqi dhe Qipro tarifa e licencës është një shtesë në fatura e energjisë elektrike, shuma e së cilës varet nga konsumi përkatës i energjisë elektrike. Ndërsa në Lihtenshtajn, Hungari dhe Monako nuk paguhet asnjë tarif për trasmetuesin publik.
Parlamenti i shtetit francez, për shembull, hoqi tarifën e licencës vitin e kaluar. Deri atëherë, tarifa ishte 138 euro në vit dhe ishte e detyrueshme për të gjitha amvisëritë që kishin televizor. Transmetuesi publik francez deri në fund të vitit 2024 do të financohet ndër të tjera nga një pjesë e TVSH-së. Por se si do të duket financimi i transmetimit publik francez tutje, mbetet ende e paqartë.
E njëjta situatë është e paqartë edhe për Britaninë e Madhe se si do të financohet transmetimi publik në formën e BBC-së në të ardhmen?
Tarifat prej 159 paund (rreth 178 euro) për familje janë ngrirë çdo vit deri në vitin 2024, gjë që tashmë ka çuar në shkurtime të programit. Tarifat janë aktualisht për marrjen e televizionit, megjithëse nuk ka rëndësi se në cilën pajisje (televizor, laptop, etj.) e shikoni programin. Modeli i tarifës së BBC-së do të skadojë në fund të vitit 2027. Diskutohen gjithashtu alternativat. Frika konsiston në atë se politikanët do të kenë ndikim më të madh mbi raportimin përmes një forme të ndryshme financimi.
Në veriun e largët të Evropës, taksat e lidhura me të ardhurat përdoren për të financuar transmetimin publik. Në Norvegji, për shembull, disa vite më parë, tarifa transmetuese e aplikueshme u ndryshua në financim të NRK-së nga të ardhurat tatimore. Ata që fitojnë më shumë paguanin më shumë, megjithëse, shuma ishte e kufizuar në 1700 korona norvegjeze (rreth 155 euro). E njëjta praktikohej poashtu në Itali.
Një praktikë të ngjashme aplikonte edhe Suedia. Atje, gjithashtu, një tarifë e lidhur me televizorin duhej t'i linte vendin financimit të transmetimit publik të pavarur nga pajisjet. Konkretisht, çdo i rritur duhet të paguajë një për qind të të ardhurave të tatueshme.
Edhe në Danimarkë, tarifa e transmetimit është ulur gradualisht dhe përfundimisht është hequr në vitet e fundit dhe transmetimi danez financohet nga të ardhurat e taksave.
Kompania e transmetimit publik spanjoll RTVE gjithashtu (Corporación de Radio y Televisión Española, S.A), ka luftuar vazhdimisht kundër deficiteve të mëdha financiare. Që nga viti 2010, shumica e kostove të stacionit janë financuar nga paratë publike.
Kurse që nga dhjetori, radio dhe televizioni publik RTVS në Sllovaki ka qenë më shumë në mëshirën e politikës: shumica e tre partive konservatore-populiste në pushtet dhe opozitarë liberalë kanë hequr tarifat e transmetimit (4.64 euro për familje në muaj) dhe i kanë zëvendësuar ato nga korriku me pagesën direkte të zëvendësuar nga qeveria.
Edhe RTK duhet të jetë një medium i financuar nga taksa e shtetit
Kjo është zgjidhja që na ofron ekonomia sociale. Siç është dëshmuar, ekonimia publike (sociale) është një sektor ekonomik që përfshin një sërë organizatash dhe ndërmarrjesh që kanë si qëllim kryesor të prodhojnë dhe të shpërndajnë shërbime dhe produkte duke vënë në qendër të aktivitetit të tyre vlerat dhe parimet sociale, të cilat janë edhe më të qëndrueshme. Ky sektor synon të promovojë drejtësinë sociale, përfshirjen dhe solidaritetin, duke shpërndarë përfitimet në mënyrë të drejtë dhe duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të komuniteteve. Ndërmarrja publike, siç është RTK në këtë rast, do punojë për të përmbushur nevojat dhe aspiratat ekonomike, sociale, dhe kulturore të shoqërisë. Mediumi do jetë një ndërmarrje jofitimprurëse (përpos kur i shet prodhimet e saja) që veprojnë për të arritur qëllime të ndryshme sociale, kulturore, mjedisore, apo të tjera të përbashkëta për interesat e shoqërisë.
Mediumi publik duhet të funksionojë si ndërmarrje e cila vepron në treg me qëllimin kryesor për të realizuar kontratën shoqërore, në fushat e informimit, debatit, zbavitjes, shkencës, mjedisit kulturës, dhe i përdor fitimet e saja gazetareske për t t´i pripërdorur ato në misionin e saj social, që të të promovojë përfshirjen sociale, të gjithë spektrit shoqëror, politik religjioz dhe etnik. Me këtë RTK duhet të krijojë vende pune dhe të ofrojë mundësi për të gjithë, përfshirë grupet më të pafavorizuara. Të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përmirësojë mirëqenien e komuniteteve, të promovojë demokracinë dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje.
Në përgjithësi, ekonomia sociale që do ta aplikonte RTK në menaxhmentin e saj do përbën një alternativë ndaj modeleve tradicionale të biznesit dhe ekonomisë në treg, duke vendosur theksin në mirëqenien e njerëzve (informimin pa pagesë) dhe të interesit publik përpara fitimit financiar.
Radiotelevizioni publik shpesh konsiderohet më i mirë se ai privat për disa arsye, të cilat lidhen me misionin, financimin dhe përgjegjësinë sociale të këtyre institucioneve. Ja disa nga arsyet kryesore:
1. Misioni Publik dhe Përmbajtja Edukuese
Radiotelevizioni publik ka një mision për të shërbyer interesave të publikut. Ky mision shpesh përfshin ofrimin e lajmeve të besueshme, përmbajtjes edukative, kulturore dhe shërbimeve informative që janë të rëndësishme për një shoqëri të mirëinformuar dhe demokratike.
Radiotelevizioni publik duhet të ofrojë programe edukative dhe kulturore që ndihmojnë në përmirësimin e nivelit arsimor dhe kulturor të publikut, duke promovuar diversitetin kulturor dhe përfshirjen sociale.
2. Paanshmëria dhe Objektiviteti
• Lajme të Paanshme: Radiotelevizioni publik ka detyrime statutore për të ofruar raportim të paanshëm dhe objektiv, duke qenë më pak i prirura për të ndjekur agjenda të njëanshme politike apo ekonomike.
• Transparenca: Financimi publik mund të çojë në më shumë transparencë dhe përgjegjshmëri në mënyrën si operon një radiotelevizion, duke e bërë atë më të besueshëm për publikun.
3. Qasja Universale dhe Inkluziviteti
• Qasje për të Gjithë: Radiotelevizioni publik duhet të financohet nga taksat publike dhe ka një detyrim për t´i shërbyer të gjithë popullsisëë, përfshirë edhe ata në zona rurale ose të izoluara që mund të mos jenë ekonomikisht tërheqës për radiotelevizionet private.
• Inkluziviteti: Përmbajtja e radiotelevizionit publik shpesh synon të jetë më përfshirëse dhe të adresojë nevojat e grupeve të ndryshme të shoqërisë, duke promovuar diversitetin dhe barazinë.
4. Financimi dhe Qëndrueshmëria
• Financimi i Qëndrueshëm: Financimi nga burime publike i lejon radiotelevizionit publik të mos jetë i varur nga reklamat dhe interesat komerciale, duke i dhënë atij më shumë liri për të prodhuar përmbajtje cilësore dhe për të ndjekur interesa publike.
• Pa Presion Komercial: Pa presionin për të gjeneruar fitim, radiotelevizioni publik mund të fokusohet më shumë në cilësinë e përmbajtjes dhe në shërbimin ndaj publikut, sesa në tërheqjen e një audience sa më të madhe për qëllime fitimi.
Pa ndikimin e pronarëve privatë dhe interesave komerciale, radiotelevizioni publik ka potencial për të qenë më i pavarur në përzgjedhjen dhe raportimin e lajmeve dhe përmbajtjes.
Përfundim
Radiotelevizioni Publik i Kosovës (RTK), me theksin e tij në shërbimin ndaj publikut, paanshmërinë, qasjen universale dhe lirinë editorale, ofron një model që synon të plotësojë nevojat e shoqërisë në një mënyrë që shkon përtej interesave të ngushta partiake, komerciale dhe të fitimit. Kjo e bën atë një institucion të rëndësishëm për një shoqëri të mirëinformuar dhe demokratike.