Diaspora-mërgata shqiptare nuk mund t’i shërbejë si dekor pushtetit, por as partive politike si kazan për vota!

Opinione

Diaspora-mërgata shqiptare nuk mund t’i shërbejë si dekor pushtetit, por as partive politike si kazan për vota!

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 1 gusht 2024 Në ora: 20:06
Foto ilustrim

Me shkru për mërgatën shqiptare të Kosovës dhe rolin e saj historik në arritjen e lirisë dhe pavarësisë së saj, gjithë aktorët e saj si dhe njohësit e mirë të punës, aktivitetit dhe kontributit të saj kombëtar, e dinë se kontributi i saj nuk mund të përmblidhet vetëm në disa tone librash dhe shkrimesh, sepse në çdo qytet të Evropës dhe botës, ku kanë jetuar dhe punuar mërgimtarët shqiptarë nga Kosova, ka pasur së paku një shoqatë, klub apo Aktiv politik, pranë të cilit, sot e kësaj dite gjenden mori arkivash dhe dokumentesh mbi punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Mjerisht, sot e kësaj dite, që nga vitit 1990 e deri me sot, asnjë subjekt politik, asnjë institucion shtetëror dhe asnjë ish udhëheqës i këtyre subjekteve, kryetar shoqate, klubi Dege, Nëndege dhe Aktivi partiak, nuk e ka tubuar në një vend apo ta ketë dorëzuar në Arkivin e Kosovës gjitha ato materiale të pafund, apo t’ia ketë dhënë partive përkatëse asnjë dokumentacion, asnjë Raport dhe asnjë bilanc financiar, përshirë këtu Raportin e detajuar të Fondit të Republikës së Kosovës për tre përqindëshin (3%) me seli në Bon të Gjermanisë, por as ndonjë raport nga Fondi “Vendlindja Thërret”, me seli në Zvicër, duke i mbajtur në sirtarë privat me miliona arkiva dhe materiale me vlerë historike për Kosovën.

Pra, bëhet fjalë për mijëra e mijëra arkiva të mërgimtarëve tanë në Evropë, SHAB, Kanadë, Australi, Zelandë e Re, etj., të cilat kanë ngelur të pa tubuara në Arkivin kombëtar të Kosovës, si dhe të pa sistemuara sipas shteteve brenda Arkivit, e që kanë vlera historike për angazhimin tonë si popull për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ku në detajet më të vogla janë të shënuara dhe arkivuara të gjitha aktivitetet e mërgimtarëve tanë individualisht dhe kolektivisht nga ana e shoqatave dhe subjekteve ku kanë qenë të anëtarësuar, duke filluar nga aktivitetet kombëtare, protestat, demonstratat, tubimet me karakter kombëtar, grumbullimi i ndihmave financiare dhe materiale për Kosovën, siç kanë qenë; aksioni për ta ndihmuar “Shkollën shqipe në Kosovë”, “Gjithçka për pavarësinë e Kosovës”, “Ta ndihmojmë Drenicën”, aksionet për tubimin e mjeteve financiare për mbrojtje popullore, etj., që të gjitha këto aktivitete të regjistruara pranë shoqatave, klubeve dhe Aktiveve partiake në gjithë Evropën dhe botën.

Se, Mërgata shqiptare e Kosovës kudo nëpër Evropë, SHBA, Kanadë, Australi e deri në Zelandën e re, ka qenë strumbullari numër Një i aktivitetit kombëtar dhe i grumbullimit të ndihmave financiare dhe materiale për luftën tonë çlirimtare dhe pavarësinë e Kosovës, këtë fakt historik nuk ka shqiptar në botë e as në Kosovë, që mund ta mohojë ose injorojë, siç nuk as edhe një udhëheqës politik dhe organ shtetëror i Kosovës që mund ta thotë të kundërtën e kësaj të vërtete të madhe, ngase volumi dhe përmasa e aktivitetit dhe kontributit të Mërgatës tonë për lirinë e Kosovës kanë qenë të pallogaritshëm në shifra dhe vlera prej miliona dhe miliarda dollarësh, markash gjermane, franka zvicrane, etj., shumën e përgjithshme te të cilave nuk e ka llogaritur askush deri më sot, një neglizhencë kjo e paparë e institucioneve shtetërore të Kosovës, përshirë këtu përfaqësitë tona konsullore dhe ambasadat, të cilat as që u ka shkuar mendja ndonjëherë që ta bëjnë grumbullimin e këtyre arkivave, një punë kjo me vlera tejet të mëdha kombëtare dhe historike, si për Mërgatën tonë zulmëmadhe, ashtu dhe për shtetin e ri të Kosovës, sidomos nga 17 shkurti 2008 e këndej.

Ndërsa, në anën tjetër, Mërgata jonë pas çlirimit të Kosovës, përveç se nuk është vlerësuar si dhe sa duhet roli dhe kontributi i saj madhor për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, ajo nuk u përfshi fare në institucionet e Kosovës, por as me përfaqësuesit- deputetët e saj në Kuvendin e Kosovës, ajo asnjëherë nuk u falënderua përmes ndonjë dekoratë dhënë ndonjë individi dhe figure historike të saj, as mirënjohje dhe as ndonjë shpërblim simbolik. Përkundrazi, ajo u fye, u nënçmua, u injorua, u mjelë qe 25 vite nëpër kufij të Kosovës, pagesa e sigurimit për makina në miliona euro, hiç këtu dy vite të qeverisjes Kurti, i cili mërgimtarëve vetëm në kohën e pushimeve ua pagoi ato sigurime.

Pra, Mërgata jonë u “lavdërua”, u vizitua, u lëmua, u përkëdhel, vetëm me rastin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare me qëllim të përfitimit të sa më shumë votave nga ajo, secila parti me vete, duke i ndarë mërgimtarët mbi baza partiake, madje pa u ofruar kurrë ndonjë benefit në fushën e investimeve kapitale, por as në turizëm dhe bujqësi, përveçse duke iu bërë pengesa administrative të pajustifikueshme.

Prandaj, udhëheqësit e partive politike në Kosovë, duhet ta ndërpresin praktikën e joshjes së mërgimtarëve përmes tubimeve dekorative, koncerteve nëpër sheshet e komunave të Kosovës, vizitave pompoze në Kuvendin e Kosovës si dhe sallone mbretërore, etj., duke i marrë me të mirë, sa herë që vijnë në pushime verore, e jo duke i bërë ata, mërgimtarët pra, pjesë integrale të shtet-ndërtimit të Kosovës përmes pjesëmarrjes në pushtet, qoftë në nivele komunale, qoftë ato qendrore, sidomos me projekte të mëdha zhvillimore në ekonomi, bujqësi, turizëm dhe sport.

Pra, nuk mjafton vetëm thënia verbale; “FALEMINDERIT MËRGATË” !

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat