Fronti Evropian i militantëve që, me më shumë zell dhe dëshirë, punuan për anëtarësimin e vendit në Afrikë, e jo në Evropë

Opinione

Fronti Evropian i militantëve që, me më shumë zell dhe dëshirë, punuan për anëtarësimin e vendit në Afrikë, e jo në Evropë

Nga: Ejup Berisha Më: 7 gusht 2024 Në ora: 14:18
Autori Ejup Berisha

Si mund të pretendojnë disa përfaqësues politikë shqiptarë të RMV-së se i përkasin Frontit Evropian kur, gjatë gjithë kohës që ishin në pushtet, nuk e lëvizën asnjë milimetër përpara në rrugën tonë drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian? Ata nuk e afruan vendin në BE, por e larguan atë shumë tepër larg nga familja e shteteve evropiane. Të jesh pjesë e Frontit Evropian do të thotë të bësh gjithçka që vendin ta anëtarësosh sa më shpejt në BE dhe jo të bësh gjithçka që ai të anëtarësohet diku tjetër.

Ata, duke bërë veprime kundër kushtetuese dhe kundërligjore, na anëtarësuan më shpejt dhe më sigurt në Afrikë sesa në Evropë. Të jesh pjesë e Frontit Evropian do të thotë të krijosh kushte dhe ambient për respektimin e kushtetutës dhe ligjeve, pra, të instalosh shtetin e së drejtës. Për më tepër, të jesh pjesë e këtij fronti do të thotë të luftosh nepotizmin, krimin dhe korrupsionin. Ata që pretendojnë se janë Front Evropian duhet të bëjnë përpjekje për të larguar institucionet shtetërore dhe publike nga presionet dhe ndikimet e jashtme dhe të brendshme.

Ata që e quajnë veten përfaqësues të Frontit Evropian duhet të bëjnë përpjekje të vazhdueshme për funksionimin e domosdoshëm të institucioneve për ndjekjen, ndalimin, gjykimin, dënimin dhe burgosjen e personave që kanë dhunuar sistemin juridik të shtetit. Ata që janë për anëtarësimin e vendit në BE nuk duhet të pengojnë funksionimin dhe zbatimin e demokracisë, por duhet të bëjnë përpjekje maksimale që ajo të funksionojë dhe të zbatohet në çdo sferë të jetës shoqërore dhe shtetërore.

Për të qenë pjesë e Frontit Evropian, ata që pretendojnë se janë pjesë e atij fronti duhet të bëjnë përpjekje maksimale për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe të qytetarit. Por çfarë bënë këta? Për 22 vjet në pushtet, ata shkelën dhe dhunuan pamëshirshëm të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit. Ata që pretendojnë të jenë pjesë e Frontit Evropian nuk duhet ta partizojnë skajshmërisht shtetin dhe shoqërinë, por duhet të punojnë për departizimin e tij.

Prandaj, kur analizojmë veprimet e këqija, të mbrapshta dhe joparimore të këtyre përfaqësuesve, ata mund të llogariten më shumë si militantë të Frontit Afrikan sesa të Frontit Evropian që pretendojnë se i përkasin. Militantët për integrim afrikan nuk bëjnë asnjë përpjekje për anëtarësimin e shtetit dhe qytetarëve në Bashkimi Evropian, por për anëtarësimin e tyre në Bashkimi Afrikan.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat