Shtet si në Shqipëri, nuk gjendet as larg në Azi...!

Opinione

Shtet si në Shqipëri, nuk gjendet as larg në Azi...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 16 gusht 2024 Në ora: 09:26
Xhevat Mustafa

Nuk mund të harrohet se qysh në ditët e para kur Edi Rama rrëmbeu fronin e...kryeministrit, nënkuptueshëm si të mbretit, me të cilin nuk është krejt pa lidhje, një nga premtimet apo përrallat e tij më qesharake ishte ajo se "do të bëjmë shtet"! Më vonë e ndërroi kohën e foljes në "po bëjmë shtet", "kemi bërë shtet"...! Por, faktet e shumtë në këto rreth 11 vjet, fare i freskët ai në Pogradec, i vrasjes së babait të dy fëmijëve, Egli Progra, i janë kundërvënë dhe e kanë vënë në siklet, duke e nxjerrë tëpkë si Enveri në fushën apo artin e premtimit e të mashtrimit e të fshehjes së krimit jo vetëm nëpër rrëmujën e dosjeve, por edhe në sheshin apo vendin e krimit!? Mjafton të kujtojmë disa skandale për të kuptuar se çfarë lloj e soj shteti po bën “piktori pa një kryevepër” e “ish basketbollisti më shumë i stolit”, Edi Rama me shoqe e shokë! Me një dozë humori: meqenëse e kopjon nga brekushet dhe "opingat", mund ta kishte zili edhe Haxhi Qamili. Megjithatë le të kujtojmë disa nga emrat dhe ngjarjet, që identifikojnë apo karakterizojnë "shtetin Edi Rama"!

Lista është e gjatë, prandaj po rendis vetëm disa! Ish ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, me shumë foto e kujtime bashkë me kryeministrin si dhe kryevepra e tij "kanabizimi apo lazaratizimi i gjithë Shqipërisë", arrestimet dhe dënimet nga SPAK e GJKKO të disa ministrave, zv.ministrave, drejtorëve të përgjithshëm, këshilltarëve e këshilltareve, sekretarëve dhe sekretareve në kabinete të piramidës së lartë qeverisëse deri në ato bashkiake...! Kujtesa na ndihmon të sjellim ndërmend "inceneratorët”, bosët dhe "dëshmorët" rilindas të kësaj "miniere të plehtë e të florinjtë"; vrasjen e Klodian Rrashës më 21 prill 2021; “vetëvrasjen” e Kastriot Myftarajt më 07.07.2022 rreth orës 13.00 e duke u “vetëhedhur” nga ballkoni i katit të katërt i një pallati në mes të një blloku me shumë banorë e lëvizje...!? Mund të vazhdohet me skandale të tjerë me njerëz fare të afërt me Rama-qeverinë si "dysheku mbush me euro i Alda Klosit; "trimëritë e çetës së Rrahman Rrajes"; orgjitë në zyra të Shukri Xhelilit, kryebashkiak i Dibrës ( 11.05.2016) dhe Safet Gjicit, kryebashkiak i Kukësit në mes të qershorit 2013...”Thesari” i skandaleve “rilindase” është pasuruar nga "arratisja e ish krahut të djathtë të Edi Ramës në qeveri, ish zv.kryeministrit Arben Ahmeti; nga "blerja e Charles McGonigalit" për nongratizimin e Sali Berishës me familje; nga kullëzimi e betonizimi mbi “themele kanabizi” i Tiranës, Durrësit, Elbasanit, Vlorës, Sarandës, Lezhës, sidomos zonave turistike..., nga "industria e pastrimit të parave të pista" shqiptare, ndragetase, latino-amerikane, sheikore...Kësaj liste të gjatë mund t’u shtohen skandale më përgjithësues, si varfërimi masiv i popullit, sidomos në periferi të qyteteve të mëdha e në qytete të vegjël; në krahina fshatare të thella e të largëta, kryesisht nga shumëfishimi i çmimeve; rritja lemeritëse e nivelit të korrupsionit, emigracionit, kriminalitetit,...!

Se çfarë lloj e soj shteti kemi pasur e kemi në këta rreth 80 vjet ndihmojnë për t'u bindur edhe mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm as për 8 orë e jo më për 24 orë si dhe ndërprerjet e shpeshta të tyre, edhe në kulmin e sezonit turistik e në plazhe, edhe gjatë vitit 2024. Më qartë e shikon dhe përjeton fytyrën monstruoze dhe shpirtin e zi të këtij "shteti" në spitalet publike, shtetërore dhe ato private, ku, në shumicën e rasteve, nuk futesh dhe nuk të prekin me dorë jo pak nga personeli mjekësor, pa ua mbush duart dhe xhepat me qindra mijëra lekë apo me qindra euro, dollarë, paund, franga zvicerane...Për më tepër e më keq, ku e kur në plot raste “mjekohesh” nga barna me muaj e vite të skaduara... mund të harrohen edhe skandalet në gjase zgjedhjet e lira e të ndershme gjatë këtyre 11 viteve, me kulme ato parlamentare 2017 e 2021 dhe lokale apo një bashkiake në Dibër, Kukës, Rrogozhinë, Himarë, (4 gusht 2024)...Të paharrueshme janë edhe veprimet dhe deklarimet skandaloze të Edi Ramës në takimet pompoze në kuadër të maskaradës filoserbe dhe antishqiptare “Open Balkan” apo "Ballkani i hapur"...!

E megjithatë Edi Rama vazhdon të përrallisë e mburret se "po bën dhe ka bërë shtet"! përbën çudi që e besojnë dhe duartrokasin ata dhe ato që i kanë akoma pëllëmbët me kallo nga duartrokitjet për Enverin, Ramizin, Fatosin dhe Saliun...Por, më skandaloze dhe më revoltuese është kur e duartrokasin edhe tufa të rinjsh e të rejash, nënkuptohet me doza të forta enverizmi trashëguar nga gjyshërit, prindërit, dajallarët, xhaxhallarët...si dhe nga disa edukatore e mësuese në çerdhe, kopshte, shkolla e nga disa media publike “të pavarura!!? Për të kundërshtuar mburrjen dhe përrallën e Edi Ramës dhe për të ndihmuar t'u dalë rakia apo droga atyre që e besojnë si fëmijë, mjafton edhe kjo pyetje e zgjeruar, me përgjigje të nënkuptueshme brenda! Si mund të bëjnë Edi Rama me këta shoqe e shokë si vetja SHTET LIGJOR dhe SOCIAL FUNKSIONAL; DEMOKRACI DHE DREJTËSI TË VËRTETË, MIRËQENIE TË LARTË..., në një vend ku më të plotpushtetshmit, më të pasurit e më të paprekshmit janë trashëgimtarët e Enverit dhe të bllokmenëve të tjerë e kur shumica e popullit që e duan dhe votojnë janë me banim e origjinë fshatare apo, më keq e më rëndë, me mentalitet, nivel arsimi, kulture, emancipimi... fshataresk?! Apo, kur në zyrat e tij mbretërojnë, firmosin, vulosin, orgjirosin..., dëftesa, diploma, vota, posteblerësit; burgaxhinjtë, drogaxhinjtë, ish kapterët dhe ish bodigardët në ushtri dhe polici; ish sigurimsat dhe ish spiunët e pandëshkuar edhe për shumë krime e kufoma; patronazhistët me shumë maska dhe emra, por me një shpirt, ves, zanat, që për pasurim e epshe kafshërore jo vetëm seksuale...bëjnë çdo poshtërsi, pa ndjerë një fijëz pendesë dhe keqardhje???!!! Paradoksi apo gallata allarilindase arrin kulmin kur për të gjitha këto skandale publike, mediatike, juridike... ndodhur apo inskenuar me apo regji ”nën hundën e tij”, kryeministri Edi Rama e justifikon veten me sloganin apo përrallën e trashë se “përgjegjësia është personale”!?

Duke mos zbritur shumë në kohë në vende fqinjë si Italia, Greqia, Maqedonia e Veriut e më të largët si Bullgaria, Kroacia, Rumania, Franca, Sri Lanka..., kur homologë të kryeministrit shqiptar kanë dhënë dorëheqie e janë penalizuar dhe dënuar ligjërisht për shuma korrupsioni shumëfish më të ulëta se ato të këtyre 10 viteve në Shqipëri, po u referohemi disa rasteve më të freskët të gushtit 2024 në Azi. Më 5 Gusht 2024 Kryeministrja e Bangladeshit, Sheikh Hasina Wazed, dha dorëheqjen dhe është larguar nga vendi pas javësh protestash me motiv kryesor korrupsionin e lartë qeveritar, të udhëhequra nga studentët, që u shndërruan në trazira vdekjeprurëse mbarëkombëtare. Siç u njoftua nga BBC e nga Ora News në Tiranë, më 14 gusht 2024, “Gjykata Kushtetuese tajlandeze ka shkarkuar kryeministrin Srettha Thavisin se “kishte shkelur rregullat e etikës” për emërimin në kabinetin e tij të një ish-avokati, i cili dikur ishte burgosur...67-vjeçari Srettha, i cili ka më pak se një vit në pushtet, është kryeministri i tretë në 16 vjet që shkarkohet nga e njëjta gjykatë...”! Po më 14 gusht 2024, sipas BBC-së dhe KOHA.Net, “katër ministra të qeverisë në Japoni dhanë dorëheqjen pas skandalit për mbledhjen e fondeve që përfshin fraksionin më të fuqishëm të partisë në pushtet...Më shumë se 3 milionë euro supozohet se kanë përfunduar në këto fonde gjatë një periudhe pesëvjeçare deri në vitin 2022.

Prokurorët e Tokios kanë nisur hetim për korrupsion dhe tolerancë ndaj rasteve korruptivë të disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt nga kryeministri Fumio Kishida...”! Pas përfundimit të hetimeve për këto raste është shumë e mundshme edhe dorëheqja e kryeministrit, në muajin shtator, pas zgjedhjeve në partinë e tij. Ndërsa në Shqipëri kryeministri Edi Rama, thua se nuk ka informacion apo dijeni se ç’kanë bërë kryeministra në vendet e tjerë, në Evropë e Azi apo se nuk e kupton fjalën, traditën dhe praktikën “dorëheqie”! Edhe pse është shumë më potent dhe i pasur se ata për skandale në shuma tepër më të larta financiare korruptive, ai bën të shurdhëtin e memecin ndaj kërkesave të logjikshme për dorëheqie! Në këto kushte, mos vallë ai mendon se kryeministrja e Bangladeshit, kryeministri i Japonisë, i Tailandës... e shumë të tjerë në Azi e Evropë nuk kanë trutë e tij...!? Mos vallë ne kemi "fatin e madh" të kemi një qeveri, kryeministër e shtet, por edhe një popull..., që nuk gjenden në mbarë botën në “asnjë treg gabi” apo në asnjë shesh plehrash apo hendek...??? Apo, shtet për Shqipëri e shqiptarë, ku kryeministri, një copë piktor e ish basketbollist, prej 11 vitesh, ndjehet si perandor, mbret, sulltan, car, krajl...., AKADEMIK e specialist për gjithçka...e që copat e Shqipërisë i pandeh, “ha”, fal, tregton...si copa bakllava...?! Pra, edhe më troç apo më shqip: francezët, italianët, srilankasit, bangladeshasit, tailandezët, japonezët,...,rrëzojnë kryeministra të korruptuar e të paaftë, që nuk dinë apo nuk duan të punojnë për të mirën e vendit, shtetit, popullit! Në të kundërt, "shqiptarët e majtë" sakrifikojnë vetet dhe familjet e shkatërrojnë Shqipërinë.

Më konkretisht apo më shqip: u vënë kazmat e doza të rënda tritoli shtetit, ushtrisë e mbrojtjes së vendit, ekonomisë, kulturës..., si më 1997 e si gjatë këtyre rreth 11 viteve, duke treguar durim përtej njerëzor në pritje të përmbushjes të premtimeve përralleske e thjeshtë për konsum elektoral të kryetarit dhe partisë, edhe pse për 80 vjet u kanë bërë të ferrshme jetën dhe vendin, duke lumturuar kështu Serbinë, Greqinë, Rusinë...!!!??? Mos vallë, larg qoftë duan edhe 80 vjet të tjerë për t'u bërë SHQIPTAR, POPULL, QYTETARË, EVROPIANO- PERËNDIMORË...e për të bërë një shtet të vërtetë, si në vendet e Perëndimit apo ato më të përparuar në Lindjen e Largët...???

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat