Një këshillë e vlefshme për ata që nuk i njohin shqiptarët!

Opinione

Një këshillë e vlefshme për ata që nuk i njohin shqiptarët!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 16 gusht 2024 Në ora: 10:19
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Shqiptarët janë një racë unike në botë. Të gjitha kombet dhe popujt janë unike në llojin e vet. Por te shqiptarët ka disa veçanti të papërsëritshme ose së paku me të theksuara. Nuk e kam fjalën për një kategori në minorancë, që janë të gatshëm të shesin gjithçka, dinjitetin, integritetin, familjen, nderin e deri atdheun për interesa personale dhe kësisoj bëhen urë në marrëdhëniet me më të fuqishmit, sidomos me ata që kanë në dorë fate njerëzish e kombesh. Fjala është për shumicën dërmuese të shqiptarëve, të cilët venë mbi gjithçka identitetin e tyre, për ata që më së pari vjen familja dhe atdheu e më pas paraja dhe privilegjet.

Shqiptarët janë krenarë. Krenaria e tyre buron më shumë nga mitet e krijuara, sesa nga historia reale që kanë kaluar. Normalisht njerëz që kanë pranuar dhe duruar për 45 vite një diktatzurë të çmendur nuk do të duhej të ishin aq krenarë sa jemi ne shqiptarët. Por në liri u ri zgjua tek ata ndjenja e krenarisë e trashëguar nga familja dhe tradita. Njerëzit krenarë nuk mundesh t’i thyesh e t’i përkulësh, siç përkul çekiçi në farkë hekurin. Shqiptarët janë popull që vriten për një fjalë goje dhe kjo shpesh shpjegohet me “kokëfortësinë” e tyre. Por nuk është kjo arsyeja. Shkaku i vërtetë i reagimit impulsiv të shqiptarit është dinjiteti dhe personaliteti i tij. Fyerjen nuk e duron, edhe nëse duron torturën!

Nëse i shkel në dinjitet, pra në krenari, shqiptarët nuk të falin. Me të mirë ta falin gjysmën e pasurisë. Aq bujarë janë ata! Por nëse ia kërkon një cigare duhan me arrogancë apo tenton t’ia marrësh me dhunë, shqiptari nuk ta jep atë. Është gati të sakrifikohet e të mos dorëzohet! Nuk i kushton asgjë të ta japë paketën ose kutinë e duhanit, por ama kur e falë vetë, jo t’ia marrësh me pahir! Kur dikush tenton t’i marrë diçka me dhunë shqiptarit, atij i shumëfishohen fuqitë e kundërshtimit. Sepse shqiptari beson ndoshta më shumë se duhet te e drejta, te e vërteta.

Disa besojnë dhe deri diku kanë të drejtë, se shqiptari është indiferent. Po deri në momentin që e keqja e kërcënon atë personalisht. Në këtë moment shqiptarët nuk kanë më të ndalur. Nëse energjia individuale do të kanalizohej te kolektivi, shqiptarët bëhen të papërmbajtshëm në revoltë. Indiferenca te shqiptarët lidhet me interesin dhe me dinjitetin individual. Sa kohë nuk ndjehet i kërcënuar në dinjitetin e tij dhe në interesat që mbron, ai e ka të vështirë të solidarizohet me njerëzit e tjerë të dëmtuar ose të kërcënuar. Por e keqja nuk ka masë. Nga dhuna ndaj individit, shkohet drejt dhunës kundër të gjithëve. Në këtë rast fillon kazani të vlojë dhe në pikën e vlimit, kova derdhet në zjarr dhe e shton nxehtësinë në përmasat e furrës së gëlqeres.

Shqiptari pra, nuk duron arrogancën dhe imponimin. Nëse ke argumente dhe e bind atë, je i fituar! Nëse jo, atëherë je i humbur. Nuk mjafton që shqiptarit t’i thuash do bësh këtë ose atë! Nuk të beson pse i thua, hajde vepro kështu si të them unë, edhe pse bëhesh garant i suksesit të tij. Jo. Atij i duhen dhënë fakte, argumente të arsyeshme e bindëse se ajo që po i rekomandon është e drejtë e në të mirën e tij. Edhe nëse ke të drejtë, edhe nëse je dhjetë a njëmijë herë më i fuqishëm, nëse e urdhëron, shqiptari nuk të bindet. Shqiptari dinjitoz kërkon respekt, kërkon partneritet të sinqertë, kërkon balancë sjelljesh ndaj tij!

Shqiptarët janë dinjitoz në përgjithësi. Nuk përulen e nuk përkulen. Për këtë arsye i quajnë edhe “të mbrapshtë”! D.m.th. të pabindur! Sali Berisha do shënohet në librin GINES, si shqiptari që luftoi edhe në moshën 80 vjeçare për dinjitetin e tij personal e kombëtar! Por dhe Albini bën pjesë tek të pabindurit. As zoti Kurti nuk thyhet. Nuk tutet! Nuk bën Pazar me parimet, me territoret, me dinjitetin e tij si shqiptar e me dinjitetin kombëtar! Prandaj dhe ndërkombëtarët në vend të merren me ndryshimin e emrave që drejtojnë shtetin, gjithnjë në favor të të bindurve të korruptuar, duhet të gjejnë mënyrën për mirëkuptim e bashkëpunim me shqiptarët “e pabindur”! Se edhe t’i shpallësh non-grata, ata nuk thyhen!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat