Manual për të dalluar qëndrimet politike ndaj Kosovës!

Opinione

Manual për të dalluar qëndrimet politike ndaj Kosovës!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 21 gusht 2024 Në ora: 18:54
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ambasadori Richard Grennell ka shkruar sot rreth pjesëmarrjes së Albin Kurtit në Konventën e zgjedhjes së Kamala Harris si kandidate e demokratëve për presidente të SHBA-ve dhe ka thënë se “Përkrahja e Harris nga ana e Kurtit nuk e ndihmon popullin e Kosovës”! Vini re: “popullin e Kosovës”, shkruan Grennell. Nuk thotë shtetin, madje as Kosovën, por popullin e Kosovës. Nëse e keni vënë re retorikën e Vuçiq, Edi Ramës, analistëve në TV shqiptare pranë kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit të Serbisë, të gjithë këta, në vend të termit shteti i Kosovës përdorin termin populli i Kosovës, e shumta përmendin emrin Kosova. Ka mbet që analistët shqiptarë pro Ramës dhe pro-Serbisë të përdorin nocionin serb kolonizues “Kosovo-Metohi”! E nuk duhet të çuditemi se një ditë do të ndodhë edhe kjo, derisa ndodh që gazetari shqiptar i sportit në TVSH, Ervin Baku, të shfaqet në një ekran tjetër televiziv me bluze me flamurin e Serbisë.

Duhet të kuptohemi: - Askush nga ne nuk ka asgjë me flamurin e Serbisë dhe të asnjë vendi tjetër në botë, derisa Shqipëria këto shtete i njeh ndërkombëtarisht. Por derisa flamuri shqiptar dhe ai i Kosovës digjen e përdhunohen në fushat sportive të Serbisë e jashtë saj nga serbët, derisa flamujt e dy shteteve tona fyhen dhe mallkohen nga Serbia e serbët, atëherë një gjest i tillë i gazetarit sportiv të TVSH-së është jo vetëm i dënueshëm. Ai gjest është provokim për ndjenjat e të gjithë shqiptarëve pa përjashtim.

Megjithatë nuk është bluza e Ervin Bakut më e rrezikshme se zëvendësimi i shtetit me fjalën popull. Terminologjia “Popull” shpreh status të pa përcaktues për banorët e një territori të caktuar. Mund të jesh popull, por pa shtet nuk mund të jesh komb. Kjo do të thotë se të gjithë ata që zëvendësojnë fjalën shteti i Kosovës, brenda të cilit përfshihet edhe populli, pra qytetari i Kosovës, me fjalën “populli i Kosovës”, para përgatisin revokimin e pavarësisë dhe të shtetësisë së saj. I ndjeri president historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, që prej vitit 1991 kur u bë referendumi e deri sa vdiq iu referuar termit “Pavarësia e Kosovës” pa ndërprerje nga mëngjesi deri në mbrëmje. Qëllimi i tij ishte që opinioni publik dhe ai politiko-diplomatik të mësohej me këtë term në veshët e tij dhe të mos u duket si diçka e paarsyeshme dhe e pamundur pavarësia e Kosovës.

Me këtë metodë didaktike Rugova u mësoi ndërkombëtarëve të vërtetën e domosdoshme për Kosovën dhe nevojën që ajo të jetë e pavarur e sovrane. Por në invers me Rugovën punojnë sot shumë prej atyre që emrin e tij e mbajnë në gojë, thjesht për të maskuar veprimtarinë e tyre anti-shqiptare, përfshirë këtu kryeministrin e Shqipërisë, i cili u shfaq shkurtin e shkuar si mik i madh i LDK-së. Kësisoj, në stilin e Rugovës, Rama, Grennell, disa analistë dhe disa diplomatë në Bruksel dhe Uashington prej kohësh kanë hequr dorë të shprehen për shtetësinë e Kosovës. Deri aty sa edhe hapjen e një ure e konsiderojnë qëndrim e vendim të njëanshme, nëse e hap atë qeveria e Kosovës. Shpesh herë flasin jo për qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, por me termin “Autoritetet e Kosovës”, një term ky që sërishmi krijon mundësi interpretimi se “shteti i Kosovës nuk ekziston”! Madje shtatorin e vitit të kaluar Edi Rama foli për “tokë të askujt”! Që do të thotë se nocioni popull i përdorur shpesh përgatit ndarjen e Kosovës dhe shuarjen e shtetit të saj!

Përdorimi i termave të caktuara si këto që përmenda më lart janë pra paradhoma e refuzimit të pavarësisë së Kosovës. Dhe ne shohim se kjo retorikë shkon në të njëjtën linjë me qëndrimet konkrete të disa faktorëve ndërkombëtarë lidhur me statusin e Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur. Dykuptimësia është ajo që po përdoret më së shumti. P.sh “Kosova ka të drejtë të zbatojë ligjet dhe kushtetutën e saj në të gjithë territorin”, thonë disa. Por kur vjen puna te zbatimi i kushtetutës dhe këtyre ligjeve, thonë se “Nuk duhet kryer veprime të njëanshme”, “Duhen diskutuar vendimet e rendit të brendshëm të saj në Bruksel” e kështu me radhë. D.m.th. duhen zbatuar ligjet e kushtetuta në Kosovë, por me lejen e Aleksandër Vuçiq!!!

Megjithatë, nëse dikush dëshiron të dallojë se kush e njeh praktikisht e kush jo, kush e dëshiron pavarësinë e Kosovës e kush jo, atëherë mund të ndiqni statuset e personaliteteve që shkruajnë për Kosovën, ose fjalimet që ata mbajnë për të. Nëse në këto statuse dhe fjalime shihni se shteti zëvendësohet me fjalën popull, ose që institucionet e Republikës me termin autoritetet e Kosovës, ose të Prishtinës, dijeni se këto personalitete punojnë praktikisht kundër shtetësisë së Kosovës. Është metodë shumë e thjeshtë. Lexojini me vëmendje statuset ose dëgjojini me vëmendje fjalimet dhe do ta gjeni të vërtetën tuaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat