Gjenerali, ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark dhe Sonja Biserko pro Kurtit dhe kundër Serbisë e Vuçiqit*

Opinione

Gjenerali, ish-komandanti i NATO-s Wesley Clark dhe Sonja Biserko pro Kurtit dhe kundër Serbisë e Vuçiqit*

Nga: Skënder Sadri KAPITI   Më: 25 gusht 2024 Në ora: 17:18
Autori Skënder Sadri KAPITI  

Opozita në Kosovë, politika dhe Kryeministri në Shqipëri, mediat dhe ndërkombëtarët duhet të mësojnë të vërtetën edhe nga Wesley Clark dhe Sonja Biserko. Gjenerali amerikan në pension Wesley Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s në vitin 1999, ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut Verior kundër forcave serbe për çlirimin e Kosovës. Ai i sqaron shumë mirë opozitën në Kosovë, Kryeministrin e Shqipërisë dhe aleatët e shqiptarëve se kush është ende edhe sot Serbia, kur deklaroi se Serbia synon të pushtojë pjesën veriore të Kosovës dhe të ndajë Bosnjën dhe Hercegovinën për të krijuar një "Serbi të Madhe".

"Serbia është krahu i Rusisë në Ballkan dhe i shërben interesave ruse. Vuçiq është dinak, dëshiron të duket sikur po luan me të dyja palët, por kur të vijë koha, ai do të bëjë atë që dëshiron Putini. Nëse ka një problem në Ukrainë, ai problem do të vijë në Ballkan dhe liderët si kryeministri Kurti do të duhet të merren me të," shtoi Clark. Pra, Serbia është ajo që ka qenë dhe ajo i shërben interesave ruse në Ballkan. Këtë le ta mësojnë shumë shqiptarë prej ish-gjeneralit amerikan, le ta mësojë edhe Kryeministri i Shqipërisë, edhe opozita në Kosovë, edhe mediat dhe gazetarët shqiptarë. Dhe këtë duhet ta mësojë edhe diplomacia e sotme europiane, e cila duket se ka humbur kujtesën ose është dobësuar.

Gjenerali amerikan në pension Clark, që ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut Verior kundër forcave serbe që çliruan Kosovën, thotë se Kurti duhet të merret me këtë kërcënim serb, pra që do të thotë se ai mbështet Albin Kurtin.

Në një intervistë te Zëri i Amerikës, Gjenerali Wesley Clark deklaron: “Serbia i ka shtrirë krahët e saj të gjatë brenda Kosovës për një kohë të gjatë, në veri të lumit Ibër. Edhe kur isha komandant i NATO-s, pati një fushatë spastrimi etnik nga serbët kundër shqiptarëve në veri të lumit Ibër. Ishte e gabuar, por vazhdoi. Duket qartë që ndërhyrja serbe vazhdon ende.

Por kur Shtetet e Bashkuara u kërkojnë palëve të bashkëpunojnë, mendoj se trysninë më të lartë duhet ta ushtrojnë mbi zotin Vuçiq në Serbi. Duket qartë se Serbia ende nuk e ka pranuar që Kosova është e pavarur sot. Dhe duhet bërë paqe me këtë ide...

Nuk kam për ta harruar kurrë, kur isha me Presidentin Milosheviq në nëntor të vitit 1998 dhe po firmosnim marrëveshjen përfundimtare të nëntorit '98, e cila parashikonte tërheqjen e forcave të tepërta serbe nga Kosova, të cilat Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së kërkonte që të largoheshin nga Kosova.

Presidenti Milosheviq tha në mënyrë të prerë: ‘E di unë se si të merrem me këta shqiptarë. E kemi bërë dhe më parë,’ tha ai. E pyeta, se si keni vepruar. Ai më tha, ‘i vrasim të gjithë.’” (Nga gazeta Tema, 23 mars 2024).

Pra, shikoni se çfarë ka deklaruar kryekrimineli serb Milosheviq kundër shqiptarëve, ndërsa perëndimi, NATO dhe institucionet e tjera perëndimore e tolerojnë, bisedojnë dhe i besojnë ish-ministrit serb të regjimit gjenocidist të Milosheviq, Presidentit aktual në Serbi, Vuçiqit.

Kjo vërteton faktin se në veri është kryer spastrimi etnik, janë dëbuar shqiptarët prej atje, dhe se SHBA-të nuk do të lejojnë ndarjen e Kosovës. Serbia i kishte shtrirë krahët atje dhe Kurti tashmë e ka çliruar Veriun, pjesën mbi lumin Ibër, pra ka plotësuar sovranitetin e Kosovës. Dhe a mund të ketë shqiptar që nuk është me Kurtin për këtë që ka kryer qeveria Kurti, për të vendosur sovranitetin në të gjithë territorin e Kosovës?

Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, për Qendrën Mediale të Beogradit thotë se Serbia po bën çmos për ta parandaluar hapjen e urës dhe po keqpërdor serbët në veri përmes Listës Serbe. “Albin Kurti nuk është problemi kryesor në dialogun me Prishtinën, por Beogradi,” deklaroi Sonja Biserko.

Sonja Biserko thotë se: “Ura e Ibrit do të duhej të hapej kohë më parë, siç janë hapur tërësisht urat e tjera në Mitrovicë. Ura duhet të shërbejë si simbol komunikimi mes të dyja komuniteteve, prandaj edhe duhet të hapet në mënyrë paqësore. Në anën tjetër, Serbia po bën gjithçka për ta parandaluar këtë proces duke e akuzuar Kosovën se po i diskriminon komunitetet dhe në veçanti serbët. Unë mendoj që serbët në veri janë shumë të lodhur dhe të frustruar nga sjellja e Beogradit. E kemi parë përgjatë këtyre viteve se Lista Serbe e kontrolluar nga Beogradi nuk ka punuar në interesin e qytetarëve serbë,” tha ajo. Sonja Biserko ka denoncuar dhe kundërshtuar projektin për ndarjen e Kosovës dhe autorët e këtij projekti, projekt i cili sipas saj ka pasur dakordësinë edhe të Kryeministrit të Shqipërisë dhe të ish-Kryeministrit të Kosovës, dhe se kundër ndarjes së Kosovës ishin SHBA-të dhe Gjermania, sidomos kancelarja Merkel.

Biserko vazhdon dhe thotë se Beogradi i ka shpalosur qëllimet e tij deri në fund, pasi nuk ka fare qëllim të hyjë në atë dialog dhe ende qëndron në qëndrimin e ndarjes së Kosovës,” tha Biserko, duke shtuar se “kjo duket qartë nga të gjitha reagimet dhe sjelljet e fundit të Beogradit.”

Politika, diplomacia, shoqëria dhe mediat shqiptare kanë mbivlerësuar dhe kanë treguar respekt dhe mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj aleatëve perëndimorë, por duke gabuar politikisht.

Politika, mediat dhe shoqëria në Kosovë kanë arritur deri aty sa kanë krijuar përshtypjen sikur gjithçka që Kosova ka sot, pavarësinë e shtetësinë, është krejtësisht meritë e perëndimit, madje duke thënë se Shtetin e Kosovës e krijuan çlirimtarët perëndimorë, kur dardanët dhe Dardania janë aty prej mijëra vitesh, dhe se dardanët kanë luftuar e sakrifikuar në shekuj për mbijetesë kundër romakëve, bizantinëve, osmanëve dhe sllavëve. Askush nuk e mohon faktin se në vitin 1999 nuk e mohon kush ndërhyrjen e NATO-s dhe rolin e saj për çlirimin e Kosovës, kjo si kthim i “borxhit” ndaj shqiptarëve për atë padrejtësi tragjike që Europa u kishte bërë shqiptarëve me copëtimin e Shqipërisë në vitin 1913. Pra, Europa këtë ndihmë për Kosovën ua kishte borxh shqiptarëve. Dhe për këtë mbështetje të perëndimit për Kosovën, Kosova nuk ka pse për gjithçka të marrë leje prej tyre për mbrojtjen e sovranitetit dhe legjitimitetit shtetëror të Kosovës. Madje, perëndimorët duhet që ta mbështesin Kosovën në këtë drejtim dhe jo t’i bëjnë presion Prishtinës dhe të joshin e 

e të mbështesin Serbinë dhe qëllimet e saj për të marrë atë që ajo synon në Kosovë për krijimin e Serbisë së Madhe. Politikanët shqiptarë, si opozita në Kosovë ashtu edhe politika në Tiranë, nuk duhet të jenë miopë pushteti dhe të mos bëjnë punën e servilëve me qëllim që të marrin mbështetje politike nga perëndimorët, duke i dhënë atributin e të qenit ata të zotët e shtëpisë në Dardani.

Mirënjohja, ky respekt dhe ky besim te europianët, nuk duhet të merret si dobësi, sikur ata të kenë të drejtën të vendosin gjithçka për Dardaninë, sepse Europa është mësuar që një shekull më parë, në Konferencën e Londrës, të bëjë tragjedinë me copëtimin e Shqipërisë. Shqiptarët, kryesisht politika dhe mediat si të opozitës në Kosovë ashtu edhe të politikës e mediave në Shqipëri, të cilat, për të mos thënë se urrejnë suksesin e Kurtit, kanë një egoizëm, smirë dhe nihilizëm të madh karshi suksesit të qeverisë Kurti në luftën dhe betejën kundër korrupsionit dhe në atë të plotësimit të sovranitetit e të legjitimitetit shtetëror të Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat