Si pjesë e emigrimit të padëshiruar shqiptar, dëshiroj të shtroj diçka pa i vënë pikat mbi “i”. Ne si emigrantë e kemi shumë të vështirë të sillemi si patriotë dhe të kryejmë këtë mision që të transmetojmë tek brezi tjetër gjuhën dhe kulturën tonë…
Vetëm dashuria për atdheun dhe zemra plot për atë vend nuk mjaftojnë… Duhet që shteti dhe kultura në vendin amë të kenë më shumë dashuri për pjesën e vet të larguar… Media e shëmtuar dhe politika e shëmtuar janë bërë bashkë si asnjëherë tjetër dhe deformojnë historinë, gjuhën dhe kulturën… Të rinjtë tanë, të edukuar në një mjedis ku e vërteta nuk fshihet dhe nuk fshehë, nuk e pranojnë këtë deformim dhe dyfytyrësinë që është ballas në çdo mjedis dhe në çdo tavolinë. Problemi më i madh që kemi për transmetimin e kulturës dhe të gjuhës tonë është qëndrimi ynë ndaj të vërtetave dhe pajtimi ynë me realitetin tonë, e pranimi i njëri-tjetrit ashtu siç jemi dhe jo siç dëshirojmë të jemi.
Nëse presim gjatë për të pranuar njëri-tjetrin siç dëshirojmë, do të jetë shumë vonë ose e pamundur të pranojmë njëri-tjetrin dhe të quhemi unikë. Të krahasohemi me hebrenjtë e të tjerët është e lehtë, por të bëjmë si ata nuk është e lehtë… Hebrenjtë, me një histori të dhimbshme dhe një realitet shumë të vështirë, e transmetojnë shumë më mirë kulturën e tyre… Por duhet të pranojmë kompaktësinë e tyre, që bota i pranon si kulturë dhe si komb, me një besim dhe me procesin e afirmimit si komb të përfunduar… dhe ata përjetimin e sotëm në botë e bëjnë krenarisht si askush tjetër…
Komunitetet e tyre nuk janë më shumicë në biznese të zakonshme si në guzhina, në pastrim, në ndërtimtari ose në profesione të tjera të vështira. Ata shquhen në biznese lider të kohës dhe janë të suksesshëm në media dhe në politikën e ditës. Realiteti ynë është krejt i ndryshëm. Pavarësisht ngjitjes së dallueshme vitet e fundit, sidomos në muzikë dhe sporte të ndryshme, komunitetet tona nëpër botë janë larg të dëshirueshmes.
Por, duhet të pranojmë këtë realitet dhe të njohim energjitë pozitive dhe t’i shtyjmë përpara. Pa e bërë të turbullueshme me shumë kërkesa e dëshira, me shumë thjeshtësi duhet të ndryshojmë diçka në mentalitetin tonë edhe për gjykimin ndaj emigrantëve shqiptarë dhe sidomos në mënyrën se çfarë duhet të bëjë shteti ynë për këtë pjesë vitale të kombit që është shkëputur nga trojet tona fizikisht e pjesërisht edhe më shumë se fizikisht. Folklori, parullat, skemat kopjuese, mbivlerësimet për figurat, heronjtë dhe historinë deri në absurd… rendja pas lavdisë së djeshme dhe teprimi me këtë fotografi, pa një vendosmëri të gjithanshme për vetëpranimin… janë dobësi thelbësore që nuk lidhin brezat…
Vënia e gishtit tregues tek njëri-tjetri për “belbëzimet” e fëmijëve dhe të nipërve tanë është larguese dhe jo afruese… Më mirë pak belbëzim se sa asnjë… Fëmijët tanë, nëse përqeshën dhe kritikohen për këto belbëzime, reagojnë në të kundërtën, nuk provojnë më të përqeshën në ambientet shqiptare… ose shmangen pak ose shmangen krejt nga këto mjedise që i torturojnë ata. Duhet të mendojmë dhe veprojmë më mirë që këto belbëzime t’i pranojmë dhe t’i vlerësojmë pozitivisht duke i shtyrë si një përpjekje për të mbajtur kulturën dhe gjuhën tonë…
Dhe kjo përpjekje duhet të nisë nga familja, por edhe nga mjedisi ynë shqiptar dhe shoqëria jonë… që nga abetarja e deri në bankat e shkollës dhe të universiteteve. Me një thjeshtësi, pastërti fjalori pa simbole të shumta dhe figura madhore si kult, krijimtaria dhe shkollimi shqiptar në diasporë do të kishin efekte të shpejta. Diçka duhet të gjejmë nga shoqëria jonë…?! Kombi japonez që ditën e parë të shkollës jep një formulë të thjeshtë për transmetimin e kulturës me: "Jemi kombi më i varfër në botë, pasuria jonë e vetme është truri dhe shkollimi" dhe në botë rreshtohet në krye të kombeve për sukses në të gjitha fushat…
Ne, duhet të gjejmë një formulë që i përshtatet kohës…?! Lavdia dhe mburrja për historinë dhe gjenizën tonë, as bukuritë dhe pasuritë e mëdha të tokës dhe nëntokës tonë nuk janë plotësuese… ato na shtojnë ambicjen për ngjitje, por nuk janë absolute A dhe B për suksesin tonë… Me këtë shpërndarje në të gjithë hartën e botës, dhe në këtë mospajtueshmëri të madhe me njëri-tjetrin për shumë dhe gati për gjithçka, formula jonë do të ishte: “Jemi kombi më i copëtuar në botë, më i shpërndarë në botë e pa pasuri… Pasuria e vetme që kemi është të pranojmë njëri-tjetrin dhe të vërtetën dhe të falim dashuri për njëri-tjetrin. Vetëm dashuria për njëri-tjetrin është pasuria jonë.” Duke e ndërtuar platformën tonë kombëtare mbi këtë bazament, kombi ynë me fuqi vitale do të projektejë dhe realizojë një të ardhme më të sigurtë dhe të ndritur.