Konfrontimet ndërmjet udhëheqjes jugosllave dhe udhëheqjes serbe në kohën e Titos për shqiptarët në Kosovë ishin një frymëmarrje më e lehtë. Në vitin 1946 u formuan disa sektore, si ai për gjuhë, histori e folklor, duke ecur në drejtimin e duhur edhe gjatë vitit 1953, kur u themelua Instituti Albanologjik në Prishtinë. Ky institut, nga revanshi serb, u ndërpre pas 15 muajsh. Përpjekjet e shqiptarëve për dije ishin të pandalura, dhe në vitin 1956 u formua Komisioni për Histori.
Gjendja e shqiptarëve në arsimin, ekonomi dhe kulturë avancohej, sepse për shqiptarët kishte një liberalizim pas Plenumit të IV-të të KQ të LKJ-së, i quajtur Plenumi i Brioneve, të mbajtur në Brione më 1 korrik 1966. U rihap Instituti Albanologjik me drejtor Fehmi Aganin. Shqiptarët për të drejtat e tyre organizuan demonstratat në qytetet e Kosovës në vitin 1968, ku në këto demonstrata u vra i riu 17-vjeçar, Murat Mehmeti, dhe u dënuan shumë organizatorë të demonstratave. Megjithatë, u hapën rrugë për ndryshime në Kosovë.
Dënimet me burgje të rënda vazhdonin; gjatë vitit 1969 u dënuan: Osman Dumoshi me 5 vite burg të rëndë, Ismail Dumoshi me 4 vite burg të rëndë, Hasan Dërmaku me 5 vite burg të rëndë, Selatin Novosella me 5 vite burg të rëndë, Adil Pireva me 5 vite burg të rëndë, Skënder Kastrati me 4 vite burg të rëndë, Xheladin Rekaliu me 4 vite burg të rëndë, Iljaz Pireva me 3 vite burg të rëndë, Skënder Muçolli me 3 vite burg të rëndë, Afrim Loxha me 3 vite burg të rëndë, Hamit Abdullahu me 1 vit e 4 muaj burg të rëndë, Sabit Syla me 1 vit e 2 muaj burg të rëndë, Haki Sheholli me 1 vit burg të rëndë, Ali Mehmeti me 1 vit burg të rëndë, Irfan Shaqiri me 1 vit burg të rëndë dhe Ismat Ramadani me burg prej 10 muajsh.
Me ligj u themelua Universiteti i Prishtinës, të cilin e miratoi Kuvendi i Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (KKSAK) më 18 nëntor 1969. Universiteti u hap më 15 shkurt 1970 me mbledhjen solemne të Kuvendit dhe shpalljen e ditës së Universitetit të Prishtinës, që përbëhej nga 4 fakultete: Filozofik, Juridiko-Ekonomik, Teknik dhe ai i Mjekësisë. U bënë edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 1974, të cilat ishin inicuar më parë nga LKJ në shkurt të vitit 1971. Amandamentet e Kushtetutës së RSFJ-së u miratuan më 30 qershor 1971, dhe kështu u hapën perspektiva më të gjera për Krahinën Socialiste Autonome të Kosovës (KSAK). Votat e krahinave tani vendosnin në nivelin federativ, duke përfshirë edhe krahinat si përfaqësues në Kryesinë e RSFJ-së, përveç republikave, që kishin nga dy anëtarë. Ndryshimet u miratuan tre vite pas inicimit të tyre, më 21 shkurt 1974, dhe kështu Kosova u bë pjesë përbërëse e RSFJ-së, ndërsa këto ndryshime u përfshinë edhe në Kushtetutën e KSAK më 27 shkurt 1974. Pas themelimit të Universitetit të Prishtinës, në vitin 1978 u krijua Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku Esat Mekuli u zgjodh kryetar, ndërsa nënkryetarë u emëruan Idriz Ajeti dhe Vuk Filipoviqi, dhe Jashar Rexhepagiqi u bë sekretar.
Sipas serbëve, Kushtetuta e vitit 1974 i shndërronte ata (serbët) në pakicat kombëtare në republikat jugosllave dhe në Kosovë, dhe për këtë arsye, sipas tyre, ajo duhej të ndryshohej. Nën udhëheqjen e kryetarit të Kuvendit të Serbisë, Deazha Markoviç, një grup punues përgatiti dhe përpunoi të ashtuquajturin “Libri i Kaltër” (“Pllava Knjiga”), i cili titullohej “Pozita e serbëve në Jugosllavi në bazë të Kushtetutës së vitit 1974 duhet rishikuar, ngase Serbinë e tkurrë në Pashallëk të Beogradit”. Elaboratin e këtij libri më parë e kishte bërë Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë. Revanshi në arsim nga ana serbe ishte i madh pas demonstratave të vitit 1981, për të cilin revansh Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë kishte punuar projektin me elaboratin “Librin e Kaltërt”, që kishte si synim kryesor dominimin në shtetin jugosllav. Libri i Kaltërt quhej përmbledhje e doktrinës së Shenjtë Serbe, botuar në Beograd pas ndryshimeve në Kushtetutën Federative të Jugosllavisë. Ky libër ishte i lirë për lexim që nga viti 1977, dhe në të parashikohej shkatërrimi i të gjitha të drejtave që Kosova kishte fituar nga Kushtetuta e vitit 1974 për popullin e saj. Përpjekjet e shqiptarëve për liri vazhdonin, ndërsa nga ana tjetër, vazhdohej shtimi i dhunës ndaj shqiptarëve nga Serbia për t’i mbajtur ata nën robëri.