26 gusht 2024, nga zyra apo kuzhina e shtypit në kryeministri, me porosi apo urdhër nga NJËSHI mendja dhe dora vetë, u lajmërua se në të ardhmen jo të afërt, një nga sukseset politikë dhe qeverisës të Edi Ramës individualisht dhe si qeveri do të jetë organizimi në Tiranë, më 2027, i një samiti të NATO- s! Kjo është dëshmi se i ndjerë kaps, edhe në kohë bumi të prodhimit të fiqve, sidomos në Berat, për suksese të vërtetë e të përjetueshëm më 2024 e 2025, në zhvillim, mirëqenie, demokratizim, shtet ligjor funksional, integrim në BE...,Edi Rama nuk gjen e nuk ka mundësi tjetër t'i mashtrojë ata që e besojnë akoma si fëmijët që gënjehen me një tullumbace, me një samit ndërkombëtar të NATO- s, me rrotacion kryeqytetesh prej 75 vjetësh!? Menjëherë pas këtij njoftimi shumëkujt mund t’i ketë shkuar ndërmend apo t’i ketë bërë përshtypje jo të mirë, edhe shqetësuese, fakti se sa keq qenka në këtë periudhë Rama-qeveria e individualisht kryeministri për pjellori sajimi suksesesh, fitoresh, rekordesh, bumesh....!?
Berishianëve dhe SHQIPTARËVE të pavarur mund t’ua ketë vrarë veshin apo t’u ketë shkaktuar zemërim “harresa” rreth 11 vjeçare nga ideusit dhe sajuesit e “sihariqeve” qeveritare e faktit historik dhe e shprehjes së mirënjohjes, qoftë sa “me la gojën” ndaj Presidentit të SHBA, Xhorxh W Bush dhe ish Kryeministrit të Shqipërisë Sali Berisha, që Shqipëria u bë anëtare e NATO-s më 1 prill 2008 dhe që ai ka fatin e nderin të presë samite të radhës në Tiranë, shpejt apo vonë!? Me një dozë humori, “dhuratë bujare” po nga ai vetë, merret me mend se kryeministri Edi Rama, nëse do të jetë edhe pas 3 vitesh kryeministër i Shqipërisë, si askush tjetër veç tij, për të kursyer, qoftë edhe fare pak, popullin e varfër shqiptar duke blerë një palë të reja të shtrenjta, do të veshë të njëjtat atlete adidas që kishte në ceremoninë e sivjetme të 75 vjetorit të NATO- s, organizuar më 8-9 korrik 2024 në Washington DC, në SHBA.
Siç është bërë e njohur nga mediat, në këtë ceremoni ai ishte i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorja dhe bashkëluftëtarja e tij e afërt, Lindita Nikolla, në ato ditë akoma kryetare e Parlamentit të Shqipërisë dhe pa e publikuar aktin e “dorëheqjes”!? Duke llogaritur se 3 vjet janë jo pak kohë e nuk dihet se çfarë ka parashikuar ZOTI apo PERËNDIA për çdo vend, popull, njeri të zakonshëm e të plotpushtetshëm..., e para, nuk mund të merret me mend qysh sot nëse do të bëhet ky samit i NATO-s këndej nga Shqipëria jonë! E dyta, aq më pak e me këtë "bum çmendjesh, vetëvrasjesh, aksidentesh..." si gjatë vitit 2024, nuk mund të jemi 99.999% të sigurt, nëse Edi Rama do të jetë padiskutueshmërisht në podium si mikpritës apo si piktor- regjisor- organizator...!? Kështu që na mbetet të mendojmë e themi: Lum kush të rrojë Edi Ramën në atë “samit historik” për Shqipërinë si kryeministër ta shikojë...!!! Në vramendje për të kuptuar se përse ky sihariq për samitin e largët të NATO- s reklamohet si sukses i pritshëm i diplomacisë së Rama-qeverisë, si arsyeja kryesore apo si qëllimi parësor duken dëshira dhe përpjekja për të larguar vëmendjen nga premtimet e harruara e të parealizuara!
Ndër më të rëndësishmet janë ato për “vërshimin” e naftës nga Shpiragu, për “depozitën kolosale” të hidrogjenit në thellësi të minierës së kromit në Bulqizë; për rritjen e fortë të pensioneve më 1 janar, më 1 prill- ditën e rrenave, më 1 tetor- ditën e 75 vjetorit të shpalljes së Republikës Popullore të Kinës motër të Enverit...Por, lëshimi i fishekzjarrëve dhe tullumbaceve të samitit të mundshëm të NATO-s, qysh më 26 gusht 2024, tre vjet më përpara, mund të jetë menduar dhe kryer edhe me shpresën se mund ta ndihmojë Rama-qeverinë edhe për të dobësuar e shuar “flakëzat” e pakënaqësisë dhe të protestave për vrasjen në Pogradec; për bumin e vrasjeve e të vetëvrasjeve në 10 ditëshin e dytë të muajit gusht 2024...!!! Njëherazi, edhe për të harruar skandalet e bollshëm korruptivë dhe abuzivë në Parlament, në qeveri, bashkira, në disa gjykata e prokurori; komisariate të policisë...! Pra, duke përfshirë edhe gjase zgjedhjet në Himarë, mbyllur siç “kishte para vendosur Zeusi”; edhe skandalin e mosrespektimit të një vendimi të Gjykatës Kushtetuese për hirë “të mjeljes” sa më gjatë të mandatit si deputete nga ish bashkëjetuesja e vëllait kryeministror dhe ish ministrja e jashtme, Olta Xhaçka, edhe pse ka dosje të hapur në SPAK...!?
Nuk mund të përjashtohet dhe kundërshtohet kategorikisht se me këtë synim mund të jenë frymëzuar dhe kryer edhe 3 shkarkim-emërimet e fund muajit korrik dhe fillim muajit gusht 2024 në qeveri, që qelben edhe nga era e dozave të forta të autoritarizmit, klientelizmit, klanizmit, servilizmit apo nënshtrimit ndaj kërkesave të ca oligarkëve vendorë dhe miqve ndërkombëtarë... Prej kohësh, këto samitet e shpeshtë ndërkombëtarë, më shumë për propagandë në gazeta, televizione, rrjete sociale; për konflikte vendorë e rajonalë, për luftëra shumëvjeçare e e armë; për epidemi e vaksina; për qindra e mijëra miliarda euro e dollarë; për fotografi për albume, mall e nostalgji personale e familjare... e jo për qytetarët varfanjakë, që ngopen me pak, edhe me premtime rrenëse, sikur janë bërë si simitet në Shqipëri në këto vitet e fundit të Rama- qeverisë!?
Për t'ia futur sa gjatësia e këmbës së majtë të Edi Ramës, nga rrëza deri në gishtin e madh, popullit shqiptar legjendar, katundar, enverist, titist, stalinist, maocedun- ist, internacionalist, ballkanhapur- ist, fukara, shejtan-budalla, këngëtar e valltar të palodhur...për parti e kryetar, simitet fryhen nga pronarët e furrave me maja dhe zvogëlohen në madhësi e peshë...,sa kollofiten me 2- 3 kafshata e pa u ngopur fare, edhe nga një fëmijë 2- 3 vjeç...??? Duke shtuar dozën e figuracionit e të groteskut: të mburresh me një samit ndërkombëtar, 3 vite më parë, është ngjashëm sikur të ngopësh me 1-1.000 simite një popull të uritur mbarë...?!