Kur në nëntor të 2018 ish presidenti i vendit, Hashim Thaçi kishte takuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ishte e ditur se diçka fshihet pas këtij takimi. Ishte hera e parë që një zyrtar i lartë rus për më tepër presidenti takon një udhëheqës shqiptar të Kosovës.
Vet ish presidenti Thaçi në një postim në rrjetin social shkruante se Putin ishte i qartë se nëse Kosova dhe Serbia arrijnë marrëveshje, Rusia do ta mbështesë. Së pari ky takim ishte organizuar nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Për këtë takim kishte folur edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas Hasanit, ky takim kishte të bënte me përpjekjet për ta realizuar shkëmbimin e territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
E si nismëtar duket se ka qenë Edi Rama i cili ka futur aty edhe Thaçin, që sipas Hasanit Hashimi përmes Edi Ramës është futur në atë lojë. Unë i besoj më shumë zyrtarëve amerikanë të asaj kohe që e kanë thënë me gojë dhe me shkrim se ideja ka ardhur prej palëve në terren, përfshirë edhe takimin me Putini".
Është e sigurt se Putini kurrë s’do e kishte takuar Thaçin dhe ndonjë lider tjetër nëse kjo s’do të ishte në interes të Serbisë, çka do të thotë se projekti në fjalë ishte i sponsorizuar nga Vuçiqi. Ka shumë pikëpyetje nga ky takim , fituese do të ishte edhe vet Rusia e cila do të ta përdorte shkëmbimin e territoreve për të legjitimuar pastaj edhe disa pjesë në Moldavi, Gjeorgji e Ukrainë. Thaçi me apo pa vetëdije po i bënte dëm të madh Kosovës, me takimin që ka brenda saj shumë të panjohura.
Fatmirësisht që projekti i shkëmbimin të territoreve ra, e bashkë me te edhe ata që për interesa personale ishin në gjendje të ndanin vendin.