Dje, Serbia bëri një lëvizje të fuqishme në skenën diplomatike të Ballkanit. Një marrëveshje me rëndësi strategjike u nënshkrua midis Francës dhe Serbisë, duke shënuar një pikë kthese të madhe në marrëdhëniet midis këtyre dy vendeve. Kjo marrëveshje nuk përfshinë vetëm shitjen e avionëve “Rafale”, krenarinë e industrisë ajrore franceze, por nënkupton gjithashtu një shkëmbim teknologjik, industrial dhe, mbi të gjitha, të sigurisë. Në anën tjetër të Evropës, Gjermania nënshkroi një marrëveshje për furnizimin me litium, një lëndë e parë që sot është bërë jetike për industritë teknologjike. Mesazhi është i qartë: ndërsa qeveria e Kosovës instalon një zyrë të vogël postare simbolike në veri të Kosovës, Serbia pozicionohet strategjikisht, duke krijuar aleanca që me siguri do të ndikojnë në favor të saj në vendimet e ardhshme të rëndësishme për Kosovën.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, nuk humbi kohë për të ndërhyrë. Ai tashmë ka adresuar një paralajmërim për qeverinë e Kosovës, duke insistuar për krijimin e shpejtë të asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Ky gjest, që nuk është aspak i rastësishëm, tregon se Parisi është i gatshëm të luajë një rol aktiv në zgjidhjen e konfliktit të heshtur midis Serbisë dhe Kosovës, por duke marrë qartë anën e Serbisë. Për Prishtinën, situata bëhet edhe më e ndërlikuar, ndërsa zgjedhjet amerikane tregojnë një probabilitet të lartë për fitoren e Donald Trump, ndërsa Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, shfaqet me krenari në konventën demokrate, duke postuar selfie. Kjo zgjedhje diplomatike, që është në kundërshtim me tendencat politike ndërkombëtare, mund t’i kthehet kundër.
Albin Kurti nuk është i vetmi që nuk po mund të sillet në përputhje me rrethanat e krijuar gjeostragjike. E gjithë klasa politike e Kosovës duket e paaftë për ti kuptuar sfidat strategjike globale. Kurti, duke u përqendruar te çështjet simbolike rreth komunave të vogla serbe, ka anashkaluar sfidat reale. Në fakt, jo, gjithçka që është bërë ishte e gabuar. Sa i përket presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, megjithëse flet me elokuencë dhe lë një përshtypje të mirë, rezultatet nuk janë aty. Asnjë njohje shtesë e shtetit të Kosovës, udhëtime dhe përfaqësime ndërkombëtare pa ndonjë përfitim strategjik konkret.
Presidentja e Kosovës, nuk i përmend fare politikat e brendshme dhe ekonomike të zbatuara nga qeveria aktuale, e cila synon të ndërtojë një shtet social-demokratik me ide dhe koncepte që nuk funksionojnë askund. Është koha për një zgjim të madh politik zgjoheni, sepse çdo vonesë do të jetë edhe më e kushtueshme. Është koha që Kosova të rishikojë strategjinë e saj. Të rivlerësojë prioritetet dhe të përkushtohet në një rrugë më pragmatike dhe të dobishme për zhvillim të hovshëm politike dhe ekonomik.
Vërtetë është koha për të rishikuar plotësisht qasjen dhe mënyrën e ecjes përpara. Përndryshe, vendi rrezikon të mbetet i izoluar, i kapërcyer nga sfidat gjeopolitike që zhvillohen përreth tij.