A ka gjasa që ushtarët e KFOR-it (amerikan) ta marrin nën kontroll veriun e Kosovës..!?

Opinione

A ka gjasa që ushtarët e KFOR-it (amerikan) ta marrin nën kontroll veriun e Kosovës..!?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 31 gusht 2024 Në ora: 17:19
Rexhep Elezaj

Mbase, siç jemi dëshmitarë, javëve dhe ditëve të fundit janë shpeshtuar kritikat si dhe deklaratat publike të ambasadorit amerikan në Kosovë, z. J. Hovenier ndaj qeverisë së Kosovës, më konkretisht ndaj kryeministrit Kurti, siç është rritur edhe pakënaqësia e tyre ndaj tij, për shkak, siç thonë, të disa veprimeve të njëanshme që Kurti i ka ndërmarrë në veri të Kosovës, gjegjësisht për disa aksione të tij të pakoordinuara me SHBA-të dhe vendet e QUINT-it, siç ishte edhe aksioni i djeshëm i policisë së Kosovës, meqë rast u mbyllën tri komuna ilegale serbe, dhe se me ndërmarrje të tilla është duke e cenuar sigurinë në veri, por edhe duke i rrezikuar ushtarët e KFOR-it.

E njëjtë ka qenë edhe deklarata e djeshme e Ambasadës amerikane në Prishtinë, në të cilën ndër të tjera thuhej;

Qeveria e SHBA-së përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin e saj me veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara, të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare, si dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i qeverisë së Kosovës për t'iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale si dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar..”...., vazhdon deklarata.

Po ashtu, në një postim në rrjetin “X”, ka reaguar sot edhe ndihmës sekretari i shtetit amerikan, z. James O’Brien, ku kishte thënë, se ”SHBA-të janë të shqetësuara nga vazhdimi i veprimeve të pakoordinuara dhe provokuese të Qeverisë së Kosovës... i bëjmë thirrje urgjente kryeministrit Kurti dhe qeverisë së tij që të konsultohen dhe koordinohen me komunitetin ndërkombëtar, si dhe t’i ndërpresin veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë.”..!?

Ndërsa, shqetësimit amerikan i janë bashkuar sot edhe ambasadori i Anglisë, Francës dhe Gjermanisë në Prishtinë, të cilët në deklaratat e tyre për media, i kanë drejtuar vërejtje të ashpër qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti për aksionet e njëanshme në veri, gjë që ky presion kaq i madh ndaj qeverisë Kurti dhe atij personalisht, duhet ta shqetësojë atë mjaft seriozisht, ngase sipas disa analistëve politikë, vazhdimi i këtij mos koordinimi të tij me vendet e QUINT-it, mund të çojë në aktin, që ushtarët e KFOR-it amerikan ta fusin nën kontroll të plotë veriun e Kosovës, dhe, ky do të ishte dështim total i qeverisë Kurti në veri, madje me pasoja të rënda për Kosovën.

Se a ka gjasa që të ndodhë një veprim i tillë nga miqtë tanë amerikan në veri, spekulimet janë prej më të ndryshmeve, kur dihet fakti, se amerikanët nuk do lejojnë hapjen e kurrfarë konflikti të ri ushtarak në Ballkanin perëndimorë, rajon i cili për amerikanët paraqet pikë me rëndësi strategjike ushtarake dhe logjistike në përballje me hegjemoninë ruse në Evropë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat