Aleanca serbo – franceze u dëshmua në Beograd!

Opinione

Aleanca serbo – franceze u dëshmua në Beograd!

Nga: Ismail Muçiqi Më: 1 shtator 2024 Në ora: 15:37
Autori Ismail Muçiqi

Në të vërtetë, bota është në krizë politike, morale dhe njerëzore, dhe se politika është interes, kjo u dëshmua këto ditë në Beograd kur Emanuel Makron vizitoi Serbinë duke u përqafuar me Aleksandër Vuçiçin. Erdhën në Beograd dy liderët kryesorë të Bashkimit Evropian, kohë më parë kancelari gjerman Sholc dhe tani kryetari i Francës Emanuel Makron. Por këta dy liderë, të cilët flasin në emër të Bashkimit Evropian sa herë që bëhet fjalë për Shtetin gjenocid serb, i ndërrojnë qëndrimet duke i hipnotizuar kryetarin e Serbisë Aleksandër Vuçiç. Këta liderë i harruan dhe i shkelën parimet e Bashkimit Evropian, parimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku Serbia kohë më parë u shpall Shtet gjenocidal.

Politika serbe gjithmonë ka qenë e gatshme të fshehë krimet dhe dëmet që gjatë periudhave historike i ka sjellë popujve të Ballkanit; përkatësisht, fatura kryesore e kanë paguar shqiptarët. Si mund t'i besojmë kësaj politike lavire të Evropës, e cila mban përgjegjësi për mos ndëshkimin e politikës së tanishme serbe, e cila po e rrezikon paqen dhe sigurinë në Ballkan? Në të vërtetë, Aleanca Serbo–Franceze nuk ka vdekur asnjëherë; e pamë këtë ditë me rastin e vizitës së Emanuel Makron në Beograd. Ishte ky kryetari i Francës me politikën e tij perfide i cili vit pas viti e pengoi liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Po ky ishte ai Makroni që ndikoi drejtpërdrejt në dështimin e pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ky shkoi edhe më lart duke nënshkruar me Vuçiçin një varg marrëveshjesh ndërkombëtare ndërmjet dy shteteve në aspektet e ndryshme ekonomike dhe ushtarake, dhe kjo më së miri u vërtetua me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes për shitjen e Serbisë 12 aeroplanë raifall të cilët paraqesin rrezik për shtetet e rajonit. Të njëjtën rrugë ndoqi edhe kancelari gjerman Sholc, i cili para dy muajsh vizitoi Beogradin, ku nënshkroi kontratë tregtare në vlerë prej 6 miliardë eurosh me Serbinë. Shtrohet pyetja: Ku janë parimet e politikës botërore, përkatësisht të politikës së Evropës?

Këta dy liderë që flasin në emër të Evropës nuk u morën fare me veprimet e kriminelëve serbë të mbështetur nga Vuçiçi, të cilët vitin e kaluar dështuan të pushtojnë Veriun e Kosovës. Këta nuk e kushtëzuan Vuçiçin për dorëzimin e Radojiçiqit dhe sjelljen e tij para drejtësisë; këta u përqafuan me njeriun që duhej të përgjigjej për të gjitha luftërat në ish-Jugosllavi, e sidomos për krimet e Serbisë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Andaj më thotë mendja se bota është në krizë dhe se rendi botëror më nuk është funksional. Sot, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ekziston vetëm në letër. Në këtë institucion ndërkombëtar, rezolutat që votohet janë të pavlefshme dhe të pa realizueshme. Kjo po shihet se bota është ndarë në sfera të interesit për shkak të politikës së verbër të liderëve pa integritet, të cilët po notojnë në ujrat e turbullta të popujve të vegjël dhe të shtypur.

Sot, bota po udhëhiqet nga mafia ekonomike me petkun e politikanëve të fuqive të mëdha botërore. Nuk ekziston më vlerë dhe autoritet në skenën politike të botës që mund të ndikojë në parandalimin e krizave, luftërave dhe rreziqeve më të ndryshme që po trokasin në planetin tonë. Në fund, klasa politike dhe institucionet e Kosovës, të cilat në zgjedhjet e ardhshme do ta marrin mandatin nga vota e qytetarëve pa inxhinieri dhe pa ide, duhet të mendojnë për fatin e tyre dhe të familjeve se çfarë do të sjellë e nesërmja. Ndoshta nuk do të ishte gabim që diplomacinë e jashtme t'ua besojmë me në fund Shteteve të Bashkuara të Amerikës si shanci i fundit që Kosova të lirohet nga prangat e politikës fashiste serbe dhe nga politika hipokrite e Bashkimit Evropian. Kjo mund të arrihet vetëm nëse ne shqiptarët vetëdijesohemi dhe lirohemi nga të gjithë ata liderë dhe politikanë që e joshin Serbinë në Kosovë. Po këta të njëjtën shtet të Kosovës e kanë konsideruar si pronë private duke e zhvatur nga të gjitha anët.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat