Të diskutosh për raportet Kosovë-Shqipëri është njësoj si të diskutosh për raportet e vëllezërve brenda një familjeje. Gjithnjë ndodh që njëri vëlla është pak më i dashur, empatik, dhe tjetri pak më apatik; kjo nuk do të thotë se njëri është i mirë e tjetri jo i mirë. Kohët e fundit është përmendur shumë kjo temë. Nuk ka asgjë të keqe të diskutohet, por mënyra dhe qasja janë të gabura.
Nuk mund të thuash se ne, shqiptarët e Kosovës, i duam më shumë ata të Shqipërisë se sa ata na duan ne. Askush nuk ka të drejtën e përgjithësimit; mund të flasë për veten, por të marrësh flamurin dhe të trillosh me bindjen se turma do të të ndjekë është gabim. Shqiptarët nuk ndjekin ata që nxisin urrejtje mes tyre. Secili nga ne mund të ketë një histori të mirë ose jo të mirë me një shqiptar nga Shqipëria, Maqedonia, apo kudo tjetër; kjo nuk i jep askujt të drejtën të flasë në emër të të gjithëve.
Si kudo në botë, ka shqiptarë të mirë dhe jo të mirë. Ndarja me shpatën e Demokleut të kufirit, duke i klasifikuar këndej si të mirët dhe andej si të këqinjtë, është marrëzi. Nuk është në interesin tonë të futemi në debate sterile për përjetimet personale të dikujt dhe kjo të bëhet debat publik. Kurdo që ka ekzistuar nevoja për njëri-tjetrin, shqiptarët e kanë dëshmuar veten. Pa Kosovën nuk do të ndodhte 28 nëntori 1912; pa Shqipërinë nuk do të ndodhte 12 shkurti 2008. Lufta e UÇK-së është zhvilluar me armët nga Shqipëria qysh nga viti 1991 e tutje. Shto këtu strehimin e mbi një milion shqiptarëve të Kosovës në Shqipëri.
Kushdo që nxit debate të tilla nuk e do as Shqipërinë dhe as Kosovën. Kemi qenë, jemi dhe do të jemi një, dhe kështu do të jetë derisa dielli të ketë rrezet e tij.