Këta të ish-pushtetit në kampin politik shqiptar (të F.E.) të cilët, në thonjëza, e patën kënaqur dhe na patën kënaqur me të mira, begati, dije dhe përvojë, e kam fjalën sa ishin gjatë kohë në pushtet. Ata nuk ndalen duke e akuzuar pushtetin e ri në të njëjtin kamp politik – këta të VLENI-t – për skandale, lëshime, mosdije dhe akte të këqija të bëra në dëm të shqiptarëve tani që janë këta në pushtet. Do të ishte më mirë që këta së pari herë të flisnin për të bërat, të pabërat, dobësitë, lëshimet dhe dëmet e tyre në pushtet e pastaj të flisnin për të njëjtat gjëra për përfaqësuesit e VLEN-it. Kur një subjekt politik del në opozitë, punën e parë që duhet ta bëjë është të japë llogari për punët, aktet dhe veprimet e veta, e pastaj të flasë për të tjerët. Dëmet e pushtetarëve të rinj shqiptarë, të përfaqësuesve të VLEN-it, nëse ka mundësi të ketë të tilla, janë dukshëm më të vogla ose shumë simbolike në krahasim me dëmet e përfaqësuesve të F.E.
Pra, unë mendoj se në qeverisjen tre mujore të VLEN-it nuk ka asnjë dëm për shqiptarët, përveç pasojave të dëmeve të shkaktuara nga F.E. gjatë më tepër se dy dekadave të qeverisjes së tyre këtu te ne. Dhe kur jemi te temat dije dhe përvojë, më mirë është të mos dish dhe të mësosh ngadalë diçka dhe me kalimin e kohës të dish sesa të dish shumë dhe të mos bësh asgjë të mirë, të duhur e të vlefshme për shqiptarët, siç i kanë bërë punët këta të Frontit. Po mirë, këta shumë të diturit e ish-pushtetit i njohim mirë ne.
Pra, të njëjtët, kur ishin në pushtet, i kemi të freskëta të këqijat dhe dëmet e tyre për shqiptarët. Të njëjtët, si duket nga dija e tepërt, ishin të motivuar tërë kohës të bëjnë dëme dhe të bëjnë vetëmse të këqija. Përfaqësuesit e F.E. shumë kanë ditur, por siç thashë më lartë, nuk kanë pasur vullnet të bëjnë asnjë vepër dhe punë të mirë dhe të vlefshme për shqiptarët gjatë 22 viteve të qëndrimit në pushtet. Çfarë u është dashur mençuria, dituria, intelegjenca dhe përvoja këtyre të ish-pushtetit shqiptar këtu në RMV? Përgjigja është asgjë, kur kanë mundur të qeverisin pa pengesa edhe pa to. A e dini pse? Sepse këta asgjë të mençur dhe me intelegjencë nuk bënë për qytetarët shqiptarë.
Përfaqësuesit e Frontit Evropian jo vetëm që nuk bënë asgjë të mirë dhe të vlefshme, por gjithashtu bënë edhe dëme të konsiderueshme te shqiptarët. Ata filluan bile edhe t’i përqeshin dhe t’i nënçmonin shumë keq dhe rëndë shqiptarët. Këta, prej dijes dhe intelegjencës që kishin, u dukej vetja se janë më superiorët në mesin e të gjithë shqiptarëve. Lideri i tyre, bile, e ndjente veten si shpëtimtarin e tyre në RMV. A.A. shqiptarët i përkujtonte se kanë qenë një asgjë apo qiraxhinj në këtë shtet dhe se ky dhe bashkëpunëtorët e tij paskan ardhur në mesin e tyre dhe që nga viti 2001 i kanë bërë zot shtëpie të njëjtëve. Ky, si duket, nuk e ka ditur se këtu në RMV shumica e qytetarëve kanë shtëpi në pronësi të tyre.
Është e vërtetë se ka edhe qytetarë qiraxhinj, por shumica dërmuese e tyre, siç theksova më lart, i kanë fletpronësitë e shtëpive në emrin e tyre. Këta të Frontit gjithashtu, si duket, ja kanë huqur siç ja kanë huqur edhe në çdo aspekt ku kanë vepruar gjatë 22 viteve të shkuara në qeveri. Prandaj, këta të F.E. i pyesim ku dhe pse ngeci zyrtarizimi i gjuhës shqipe, pse nuk përdoren simbolet kombëtare në mënyrë orgjinale, pse nuk u bë përfaqësimi i drejtë dhe adekuat, më mirë dhe jashtë ndikimit partiak të BDI-së. Ka edhe shumë dobësi, gabime dhe lëshime, por po e lëmë me kaq.