Po afrohen 72 orët e Vuçiqit!

Opinione

Po afrohen 72 orët e Vuçiqit!

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 13 shtator 2024 Në ora: 11:36
Aleksandar Vuçiq

I ndoqëm nga Nishi (Molla e Kuqe) në vitet 1878). E pushtuam Kosovën më 1912. Në Luftën e Dytë Botërore e morëm dhuratë nga komunistët dhe Enver Hoxha dhe e mbajtëm deri më 1998, derisa shqiptarët na e grabitën me NATON.

Kisha plane për ndarjen e saj me Thaçin e Mustafën, po në momentin e fundit u përzie leshi. Thaçin e burgosën dhe me burgosjen e tij, ndarja mori fund. E gjykova veten, pse e përgatitja planin dhe aktakuzën për Thaçin. Mustafa pas Thaçit mbet askushi, nuk ia vente njeri.

E angazhova Radojqiqin, e kishte rolin si Prigozhini i Putinit, që ta pushtonte veriun. E trajnuam, e armatosëm dhe i futëm në territorin e Kosovës, po ç´bëri ai. Vetëm merrte poza të ndryshme nga dronët, që i përcillnin çdo hap.

U kthye i turpëruar në Serbi, që tash mua më duhet të vendosi mbi fatin e tij. Ndoshta e pret e njëjta fat sikurse Prigozhinin.

Me dështimin e Radojqiqit, Kurti nuk po ndalet. Kompetencat në veri mi mori një nga një. Disa herë e mobilizova ushtrinë, po si të futem në Kosovë, kur NATO është aty. Kjo do të ishte baras me vetëvrasje.

U armatosa nga Kina dhe Rusia. Tash së fundi i bleva edhe 12 aeroplan luftarak nga Franca, vetëm që ta frikësoja Kurtin, po kot.

U mundova t´i përçaja dhe ta rrëzoja Kurtin nga pushteti, po s’lëvizi gjë, Kurti edhe ato pak kompetence që i kisha në veri, na i mori.

Nga sikleti s’dita se si të veproja, po diçka më duhej të ndërmerrja. E dhashë një deklaratë derisa Lajcakun e kisha mysafir. I thash brenda 72 orëve, nëse nuk tërhiqet Kurti nga vendimet e tij për mbylljen e institucione të Serbisë në Veri, do të dal para mediave dhe do ta them troç, se si do të veprojmë si shtet për mbrojtjen e serbëve në Kosovë.

Që nga ky moment ora po ecë. Ajo nuk po ndalet dhe të gjithë janë duke i numëruar sekondat, minutat dhe ditët, sepse javë, muaj e vite nuk ka këtu. Në pyetje janë vetëm sekondat, minutat dhe ditët.

Me ta dëgjuar këtë deklaratë të Vuçiqit u alarmua EU, SHBA, NATO dhe i tërë perëndimi.

Trumpi derisa ishte duke deklaruar se të huajt në Amerikë, po i hanë edhe qentë e macet e vendaseve, e ndërpreu për një çast duelin televiziv, kur ia cekën deklaratën e Vuçiqit.

Unë po erdha në pushtet po ashtu sikurse luftën Ukrainë - Rusi që do ta zgjidhja brenda 24 orëve, po premtoj se problemin Kosovë - Serbi do ta zgjidhja brenda 2 orëve.

Vuçiqi u lehtësua nga deklarata e Trumpit, po dilema është se a do t´i fitoi ai zgjedhjet.

Ç´më shtyri të deklaroja kështu, si t´ia bëj tash. Minutat po ecin, mua më duhet të dal para gazetarëve dhe mediave. Ta sulmoi Kosovën është sikur t´ia hapja varrin vetes, një hap para s´do ta bënim. T´ia përgatisim kurthin Radojqiqit, sikurse Prigozhinit, do të ishte një opsion.

Ti telefonoi Ramës për Asociacionin, apo për ndonjë iniciativë të re, siç e kishim Ballkanin e Hapur, nuk pinë ujë te Kurti.

Të bëhet çka të bëhet, po dal e po them se, Kosova është e okupuar. Kjo nënkupton si një Ligj Lufte, të njëjtë çfarë e ka Greqia ndaj Shqipërisë.

Kjo do të thoshte edhe marshimin tonë në Kosovë, sapo të piqen rrethanat, apo sapo të largohet NATO nga Kosova.

Ky deklarim ndoshta do t´i irritoi ndërkombëtarët, po ata duhet të llogarisin në Litiumin tonë, apo është vetëm një deklaratë, e cila ndoshta kurrë nuk do të vihet në përdorim. Kështu do t´u përgjigjem kritikave të tyre. Zoti na ndihmoftë./Mars – Rover (Satirë)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat