Madje, edhe po të jetë i sakët pretendimi, se mediat në Kosovë dhe Shqipëri situatën politike në veri të Kosovës po e shfrytëzojnë për rritje të audiencës dhe shikueshmërisë së tyre, duke shpërndarë panik dhe frikë në opinionin shqiptar, se gjoja sot presidenti racist serb, A. Vuçiq, do ta shpallë Kosovën si territor të pushtuar, duhet ditur se realiteti politik në Serbi si dhe paraqitja e tij sot para mediave, i paralajmëruar për në ora 18 h, janë krejtësisht ndryshe nga ato që po i paraqesin shumica e mediave në Kosovë dhe Shqipëri.
Pra, ky panik dhe frika absurde e cila po paraqitet në mediat vizuale shqiptare, për mundësinë e sulmit ushtarak të Serbisë ndaj Kosovës, për shpalljen e saj territor të pushtuar, etj., janë krejtësisht jo reale, të panevojshme si dhe të dëmshme për opinionin shqiptar në Ballkan, ngase për ata të cilët i njohin mirë rrethanat aktuale politike në Serbi, as që bëhet fjalë për një plan të tillë ushtarak, dhe kjo për shumë shkaqe, në rend të parë, për shkakun ngase Serbia aktualisht është në një proces krejtësisht tjetër politiko-strategjik, nga skenari i luftës së supozuar për zgjerim territorial në Ballkan, siç ka bërë në vitet e 90-ta, duke sulmuar Kroacinë, Bosnjën dhe në fund Kosovën.
Është kështu për faktin, ngase regjimi aktual serb në Beograd gjendet në fazën e konsolidimit të brendshëm politik dhe ekonomik, të forcimit të saj ushtarak, si dhe të rreshtimit strategjik me Perëndimin, por gjithnjë duke mos e humbur aleancën me Rusinë, ndërsa çështjen e statusit të serbëve në veri të Kosovës, duket qartë se e ka shtyrë për një periudhë tjetër kohore, por jo duke çuar dorë krejtësisht nga plani i saj hegjemonist ndaj okupimit të veriut të saj, mbase në një kohë më të përshtatshme në të ardhmen. Madje, se është ky një skenar i “ri” i regjimit serb ndaj Kosovës, këtë e dëshmojnë qartë sjelljet pasive të “Listës Serbe” në veri, ndaj të cilës sipas mediave të Beogradit presidenti Vuçiq ka hequr dorë, duke i “tradhtuar” kështu serbët e Kosovës, dhe se këtë vakum e ka shfrytëzuar mirë kryeministri Kurti, duke e shtrirë sovranitetin e Kosovës edhe në këtë pjesë të saj.
Pra, del se aktualisht regjimi hegjemonist serb është i koncentruar më shumë në çështje kyçe për Serbinë, siç janë marrëveshjet për shfrytëzimin e litiumit me Gjermaninë, ato për energji nukleare si dhe paisje me aeroplanë “Rafal” nga Franca, marrëveshje të cilat kapin shuma marramendëse për ekonominë e Serbisë, pastaj çështja e anëtarësimit në BE, por duke u kujdesur që në asnjë rast mos ta hidhërojë Moskën zyrtare, duke implementuar në heshtje skenarin serbomadh të krijimit të “Botës serbe” me mjete politike dhe diplomatike.
Kështu që, sonte nuk duhet pritur asnjë risi dhe as ndonjë befasi nga presidenti serb, A. Vuçiq, paraqitja mediale e të cilit në opinionin shqiptar po bëhet në mënyrë spektakolare, thua se fjalimi i tij do jetë shumë i rëndësishëm për Kosovën dhe raportet shqiptaro-serbe, gjë që nuk do të ketë asgjë të rëndësishme, as për serbët e veriut dhe as në të mirë të raporteve midis dy shteteve tona.
Përkundrazi, paraqitja e tij do të jetë një retorikë e zakonshme me akuza ndaj Albin Kurtit dhe qeverisë së tij, se si ai po i “terrorizon” serbët në veri të Kosovës, se si po i dëbon ata nga “vatrat e tyre” shekullore, e deri tek kërcënimet e tij verbale ndaj Kosovës. Pra, edhe nëse ai në paraqitjen e tij të sotme eventualisht do ta shpallë veriun e Kosovës si territor të okupuar, e që unë nuk besoj, këtë do ta bën vetëm për opinionin e brendshëm në Serbi, kur dihet se regjimet e Serbisë, që nga kapitullimi i tyre në Kumanovë me 9 qershor 1999, vazhdimisht kanë dashur që Kosovën ta shpallin të okupuar nga NATO-ja, por që një gjë të tillë as që kanë guxuar ta bëjnë publikisht. Kjo, ngase serbët e kanë të qartë, se hyrja në luftë me NATO-n do ishte fundi i shtetit serb në Ballkan.
Prandaj, janë absurde, madje edhe të neveritshme paniku dhe frika nga Serbia që po paraqiten si gogol në opinionin shqiptar nga shumë media dhe televizione që nuk e njohin sa duhet politikën e Serbisë..!?