Më i rrezikshëm është një mjek i korruptuar se një vrasës i zakonshëm

Opinione

Më i rrezikshëm është një mjek i korruptuar se një vrasës i zakonshëm

Nga: Faton Mehmeti Më: 13 shtator 2024 Në ora: 17:02
Autori Faton Mehmeti

Ndonëse janë bërë hapat e parë për sigurimet shëndetësore, mungesa e një ligji të tillë mundëson që krimet në mjekësi ndaj pacientëve të jenë alarmante. Në veçanti, krimi farmaceutik dhe krimi me barna janë shqetësuese.

Rreth 25% e barnave në tregun kosovar kontrabandohen dhe hyjnë përmes kanaleve jo të autorizuara për shitje. Më shumë se 20 mijë ton barna pa afat, të cilat janë jashtë përdorimit, qëndrojnë në depo të ndryshme në Kosovë. Shteti në të kaluarën nuk ka ndërmarrë veprime të forta për të parandaluar këtë fenomen.

Vetëm së fundmi, Dogana e Kosovës ka kontrolluar nëntë barnatore në Graçanicë, Ranillug, Shtërpcë dhe komuna të tjera, dhe ka hasur në mallra të kontrabanduara. Këto mallra shiten në "të zezë", ku përfitimet janë të mëdha.

Një element tjetër i shqetësueshëm është ekzistenca e marrëveshjeve verbale mes këtyre treve për të shitur ilaçe të kontrabanduara me çmime të shtrenjta. Ky krim ekonomik në dëm të qytetarëve duhet të hetohet.

Qytetarët po pësojnë nga kjo lidhje kriminale e banditëve dhe oligarkëve. Andaj, shteti duhet të shtojë numrin e inspektorëve dhe të hetojë krimet në farmaci dhe në depo të tyre. Siç njofton Dogana, në gjashtë prej barnatoreve të kontrolluara janë hasur 1000 artikuj të kontrabanduar.

Sikur të kishin punuar për shtetin qeveritë e kaluara dhe të luftonin këtë dukuri, vendi do të përfitonte jo vetëm ekonomikisht, por edhe në ruajtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, është e nevojshme që sa më parë të realizohen sigurimet shëndetësore dhe shteti të luftojë krimin ekonomik mes mjekëve dhe oligarkëve në kurriz të qytetarëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat