Aktet dhe instrumentet e propagandës dhe organizimit të organizatave terroriste serbe kundër shqiptarëve!

Opinione

Aktet dhe instrumentet e propagandës dhe organizimit të organizatave terroriste serbe kundër shqiptarëve!

Prof.Dr.Enver Bytyçi Nga Prof.Dr.Enver Bytyçi Më 13 shtator 2024 Në ora: 18:56
Aleksandër Vuçiq

Shohim këto kohë se propaganda dhe instrumentet e terrorizmit serb po rigjallërohen me shpejtësi. Aleksandër Vuçiq dhe liderë të tjerë të shtetit serb prej kohësh po flasin për “dhunë e terror të qeverisë Kurti kundër serbëve, sidomos serbëve në veri të Kosovës”! Këto akuza ai i ka shprehur në OKB dhe organizata e samite të ndryshme ndërkombëtare, por edhe gjatë fjalimeve të tij në Beograd e gjetkë. Zv. Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vulin, nga Moska e në prani të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se kundër serbëve në Kosovë ushtrohet dhunë dhe se serbët e Kosovës po detyrohen të ikin prej vendbanimeve të tyre. Propaganda ka ndikuar diplomatë dhe politikanë perendimorë, deri te ndonjë kongresmen amerikan, që të tërheqin vëmendjen e opinionit perendimor për atë që ata e quajnë “mbrojtjen e minoritetit serb në Kosovë”, sigurisht nga “veprimet e dhunshme të qeverisë dhe policisë së Kosovës”! Bashkëngjitur kësaj propagande vjen kërkesa që “Veriu i Kosovës të vihet nën mbrojtjen e KFOR-it dhe të largohet policia e mos lejohet ushtria kosovare të shkojë në këtë territor”! Mediet serbe gjithashtu bëjnë me dije se Aleksandër Vuçiq po përgatitet ta shpallë veriun e Kosovës si të pushtuar, por nuk japin ndonjë shpjegim se si do të bëhet kjo.

Ndërkaq organizatat ekstremiste e terroriste në funksion të politikës së Beogradit kanë vepruar pa pengesa territorin e Kosovës edhe pas çlirimit të saj prej okupimit, sundimit dhe terrorit serb më 12 qershor 1999. Këto organizata janë gjallëruar sidomos pas bojkotit të institucioneve të Kosovës nga ana e Listës Srpska, një parti e cila do të duhej të dilte jashtë ligjit, për shkak se liderët e saj u përfshinë direkt në akte terrosite, si ai i 24 shtatorit 2023 në Banjskë. Por për shkak që maturisë së institucioneve të Kosovës ato organizata janë gjallëruar në formë tjetër. Vendin udhëheqësit të grupit terrorist të Banjskës, Milan Radoiçiq, e ka zënë një politikan tjetër serb, Aleksandar Arsenijeviq. Ky i fundit është shfaqur kohët e fundit në çdo rast kur liderët e Kosovës shkojnë në veri të vendit dhe provokon, sipas një platforme të caktuar. Të enjten e shkuar i deklaronte “me trimëri” zv ministrit të Brendshëm të Kosovës, se “ju po na rrahni, po na i theni eshtrat, po na i shkelni të drejtat tona”.

E gjitha kjo propagandë dhe ky organizim nga organizata politike ekstremiste me prirje terroriste bazohet në traditën historike dhe përvojën e gati dy shekujve të fundit, kur Serbia konsolidoi pikëpamjet e parimet e veta ultranacionaliste dhe raciste për shqiptarët në Ballkan, me qëllim zgjerimin e territorit. Para se t’i kthehem historisë së re të propagandës dhe organizimit të formacioneve terroriste serbe, më duhet të them se gjithçka që ndodh sot me qëndrimet e Beogradit ndaj Kosovës bazohet pikërisht në përvojën më të keqe të organizimit politik ekstremist e terrorist të Serbisë.

Historiaografia serbe në të shumtën e rasteve e ka ndërtuar dhe formuluar mendimin politik serb bazuar në shpifje, gënjeshtra dhe mashtrime për shqiptarët dhe kundër shqiptarëve. Nga fillimi i shekullit XX e këtej qarqet dhe qeveritë serbe, kisha dhe akademikët e saj janë përpjekur që të propagandojnë “rrezikun shqiptar” kundër Serbisë dhe kundër serbëve në përgjithësi e atyre në Kosovë në veçanti. Gazeta serbe e Shkupit me emrin “Vardar” shkruante në vitin 1912, në prag të fillimit të Luftës së Parë Ballkanike se “Mileti arnaut është katil. Ata vrasin pa asnjë faj serbët, u vjedhin gjonë, ua marrin namazin, po i përzanë nga tokat e tyre... Serbët po ikin prej tokave të tyne prej shqiptarëve”! Dhe paralelisht me këtë propaganda serbe i cilësoi asokohe shqiptarët si “njerëz të egër”, dhe si “njerëz me bisht”, nëse kemi parasysh librin e ish-kryeministrit serb, Vladan Gjergjeviç, “Shqiptarët dhe Fuqitë e Mëdha”!

E gjithë kjo propagandë, të cilën nuk po e konkretizoj me shembuj të tjerë të pafund, kishte për qëllim të “justifikonte” masakrat serbe kundër shqiptarëve, të cilat u zhvilluan në vjeshtën e vitit 1912. Sipas kronikanit dhe gazetarit austriak, Aleksandër Leo Freundlish, dëshmitar i ngjarjeve të asaj vjeshte, ushtria serbe vrau e masakroi 25 mijë shqiptarë. Gjithnjë duke u hequr si viktimë e shqiptarëve. Freundlich shkruan se në mbrëmje oficerët serbë mblidheshin në çadra dhe mburreshin se kush prej tyre kishte masakruar më shumë fëmijë, burra, gra e të moshuar shqiptarë. Të njëjtën gjë dëshmon në shkrimet e tij Leon Trocki, në atë kohë gazetar e dëshmitar i masakrave serbe kundër shqiptarëve, si dhe autorë serbë, sido që të paktë.

Instumente të terrorizmit serb ishin dhe mbeten edhe sot vetë shteti, kisha dhe akademia serbe. Por fillimisht le të njohim organizimin dhe përdorimin e instrumenteve të tjerë të terrorizmit serb. Fillimisht ky terrorizëm dhe ekstremizëm iu atribuua organizatave ekstremiste. E para organizatë ekstremiste serbe u krijua në vitin 1902 në Beograd. Ajo u emërtua si “Organizata çetnike serbe” dhe krijoi Këshillin Kryesor të saj. Legalisht kjo organizatë u vetëshpallur si “e pavarur”, por në fakt financohej nga shteti i Serbisë dhe personalisht ministri i Luftës, Milovan Pavlloviç. Në këtë organizatë ekstremiste e terroriste bënin pjesë ushtarakë, politikanë, tregtarë e biznesmenë, intelektualë dhe njerëz të tjerë me autoritet, të cilët ishin përgjegjës për planifikimin, organizimin dhe drejtimin e akteve të terrorit kundër popujve joserbë në Ballkan, veçmas kundër shqiptarëve, si i vetmi popull jo sllav në kostelacionin gjeografik në territoret e pretenduara nga Serbia. Në Këshillin Kryesor të kësaj organizate bënin pjesë gjenerali famëkeq, Jpvan Atanaskoviç dhe kapiteni Dimitroje Apis. Ky i fundit më vonë u bë shef i shërbimit sekret të Serbisë.

Në vitin 1908 u krijuan dy organizata të tjera ekstremiste e terroriste të Serbisë. Në Beograd u themelua organizata “Narodna Obranna” (Mbrojtja Popullore) dhe në Shkup organizata e serbëve otomanë, e cila kishte në program që të grumbullonte serbët në territoret osmane të Rumelisë për veprime lufte e dhune kundër popujve jo serbë në këto territore. Narodna Obbrana” e Beogradit programoi gjithashtu veprime terroriste kundër shqiptarëve në Vilajetin osman të Kosovës dhe Manastirit. Kryetar i Narodnas ishte gjenerali në pension, Bozha Jankoviç, njeri i afërt dhe besnik i ish-kryeministrit të njohur serb, Nikolla Pashiq. Ky gjeneral u ngarkua katër vite më vonë të drejtojë ushtrinë serbe në inkursionin masakrues të saj kundër shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipërinë e Veriut. Në territorin e Shqipërisë së Veriut viktimë e shëmtuar e masakrave serbe ishte Luma.

Në vitin 1911, atëherë kur kishte filluar kryengritja e shqiptarëve të Kosovës dhe veriut të Shqipërisë kundër pushtimit osman, u krijua terroriste “Ujedinjenje ili Smrt”, (Bashkim ose vdekje). Ajo në zhargonin e zakonshëm quhej edhe organizata “Dora e Zezë”. Kjo organizatë dhe anëtarët e saj betoheshin se do të luftonin deri në vdekje “për bashkimin e serbëve në një perandori”, ku bënin pjesë Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria e Veriut deri në Shkumbin. Organizata terroriste “Dora e Zezë” së bashku me organizatën çetnike dhe të Mbrojtjes Popullore u investuan drejtpërdrejt në akte terrori në territoret jashtë Serbisë së kohës. Ndërsa ato u bënë përgjegjëse edhe për atentatin e Sarajevës të 28 qershorit 1914, ku u vra princi i kurorës austro-hungareze, Franz Ferdinand dhe gruaja e tij, Sofie. Kjo ngjarje u bë shkak i fillimit të Luftës së Parë Botërore, ku humbën jetën tetë milion njerëz. Për këtë atentat u bë përgjegjës e u dënua dhe i riu Vasa Çubrilloviç, më vonë akademik dhe ministër në dy qeveritë e para dhe pas Luftës së Dytë Botërore të Jugosllavisë.  Çubrilloviç është tashmë i njohur në Perëndim për Memorandimin e tij “Shpërngulja e shqiptarëve”, memorandum i botuar në disa gazeta të Perëndimit në vitet 1998-1999, në shpjegim të asaj që po ndodhte me gjenocidin serb të Milosheviçit e Vuçiqit në Kosovë të asaj kohe.

Viktimë e terrorizmit serb ishin dhe disa personalitete të Serbisë. Natën e 28-29 majit 1903 terroristët serbë ekzekutuan Mbretin Aleksandër dhe mbretëreshën Draga Mashin. Këtë akt terrori e drejtoi Dimittrjeviç Apis. Ndërsa më 20 qershor 1928 një deputet serb hapi zjarr me armë në Skupshtinën, (Parlamentin) e Beogradit dhe vrau tre deputetë kroatë. Më tej, në vitin 2003, organizata të ngjajshme vranë në mes ditës në qendër të kryeqytetit të Serbisë kryeministrin Zoran Xhinxhiç. Ndërsa më 10 qershor 2003 në Stokholm u vra minsitrja e Jashtme e Suedisë Anna Lind. Anna Lind kishte dhënë para vrasjes së saj një intervistë në gazetën Bota sot dhe privatisht i kishte thënë gazetarit se “Kam marrë letra e telefonata anonime kërcënuese nga serbët dhe nuk dua të komentoj më tepër për disa arsye të tjera që unë i di”. Kjo deklaratë u bë lajm më 2 tetor 2003 disa muaj pas vrasjes së Anna Lind.

Krahas akteve terroriste përvoja serbe në propagandë anti-shqiptare është unike. Në prag dhe gjatë Luftërave Ballkanike Serbia investoi një propagandë të fuqishme anti-shqiptare. Aktet terroriste që Serbia kryente kundër shqiptarëve, gazetat serbe i paraqitën si akte të shqiptarëve kundër serbëve. Për këtë qëllim u investuan p.sh gazetat e kohës “Dnevnilist”, “Mali Zhurnal”, “Zastava”, “Odjek”, “Politika”, “Vardar” etj. Ato kryen asokohe misionin e dezinformimit dhe manipulimit të ngjarjeve dhe akteve terroriste të kohës. Ato, ashtu siç ndodh sot, fabrikuan raste “të keqtrajtimit të serbëve në Kosovë”. Por të vërtetën e thoshte studiuesja angleze, Edith Durham, kur shkruante se “Isa Boletini, Idriz Seferi e të tjerë shqiptarë në Kosovë e mbronin minoritetin serb”!

Ndërkaq të gjitha këto skema propagandistike dhe deri te aktet terroriste u ringjallën në periudhën e Milosheviçit. Aleksandër Vuçiq ishte dhe mbetet arkitekti i propagandës anti-shqiptare në kohën e Milosheviçit si ministër i tij dhe sot si president i Republikës së Serbisë. Pak para se Milosheviçi të vinte në krye të shtetit serb, në vitin 1986, Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë hartoi një memorandum për atë që ajo e quante “Gjenocidi i shqiptarëve kundër serbëve në Kosovë”! Qëllimi, siç u provua më vonë, ishte heqja e autonomisë së Kosovës. Ky memorandum kishte si “argument” gjoja plagosjen e një të riu serb, me emrin Martinoviç, në Kosovë. Në fakt ekspertiza spitalore dhe policorë e kishte kualifikuar atë rast si vetëplagosje.

Gjatë kohës së luftës në Kosovë, aty vepruan dy organizata terroriste të njohura “Tigrat e Arkanit” dhe organizata politike e Vojisllav Shejshel dhe Aleksandër Vuçiq, i cili sot është kryetar i shtetit të Serbisë. Këto dy organizata janë bërë përgjegjëse për krimet në Bosnjë kundër myslimanëve dhe në Kosovë kundër shqiptarëve. Ndërsa pas luftës u krijuan organizata të tjera si ajo e “Car Llazarit”, “Rojat e Urës” së Ibrit, strukturat e Ministrisë së Brendshme të Serbisë në të gjithë Kosovën e sidomos në veri të saj, etj. Në shkurt të vitit 2004 vetë drejtori i Shërbimit Sekret të Ushtrisë Serbe, Momir Stojanoviç, deklaronte se “Strukturat serbe veprojnë në Kosovë”! Sot veriu i Kosovës dhe vetë Kosova kërcënohet sërishmi nga propaganda dhe strukturat e organizatave terroriste të Serbisë.

Kreu i shtetit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk e suporton dot suksesin e shtetit të Kosovës për vendosjen e sovranitetit të plotë të tij në vend, sidomos në veri. Ndaj dhe po nxiton të përpunojë opinionin publik dhe mobilizojë ushtrinë dhe çdo mundësi që krijon veprimtaria e grupeve dhe organizatave terroriste për ta destabilizuar dhe pushtuar veriun e Kosovës. Sot ai do të komunikojë masat e tij kundër Kosovës, sërishmi me akuzat absurde “për gjenocid të shqiptarëve kundër serbëve”! Çfarë do të ndodhë pas deklarimeve të Aleksandër Vuçiq? Do të shohim. Por ai mund të futet me ushtri në Kosovë vetëm nëse e lejon KFOR-i, që do të thotë nëse ka një marrëveshje me Fuqitë Perëndimore.

Nëse nuk e lejon KFOR-i, Vuçiq do të detyrohet të përballet me reagimin e tij. Ndërkohë ushtria e Kosovës është e gatshme të mbrojë, së bashku me Policinë, integritetin territorial të Kosovës. Terrorizmi serb po përpiqet të përballet me shqiptarët në një terren dhe situatë krejt tjetër në krahasim me të kaluarën. Kur Kosova tashmë është shtet i pavarur, me institucione shtetërore e të sigurisë, me një polici të motivuar e shumë profesionale, me ushtri të konsoliduar dhe të armatosur. Ndoshta Perëndimit do t’i duhet të armatosë popullin e Kosovës për ta përballuar një agresion të Serbisë kundër saj. Dhe kjo do të ndodhë. Ashtu siç edhe shqiptarët kudo që janë, në Shqipëri, në Maqedoninë e Veriut, në Luginën e Preshevës, Mal të Zi e në diasporë do të organizohen e do të vihen në dispozicion të ushtrisë dhe komandës për mbrojtjen e Kosovës.

Ukraina është jo vetëm model motivues, por edhe shembull se çfarë ndodh me fuqitë agresore kur ato bëhen agresore kundër fqinjëve të tyre!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat