Kërcënimi gjerman nxjerr bllof Ramën, Bushati tregon si u zbulua lëvizja e tij kundër Kosovës: Sarrazin i kërkon me ngulm Kurtit...

Opinione

Kërcënimi gjerman nxjerr bllof Ramën, Bushati tregon si u zbulua lëvizja e tij kundër Kosovës: Sarrazin i kërkon me ngulm Kurtit...

Andi Bushati Nga Andi Bushati Më 15 shtator 2024 Në ora: 08:49
Manuel Sarrazin dhe Albin Kurti

Ndonjëherë janë të domosdoshme tensione të mëdha, për të nxjerrë në pah të vërteta që do të mbeteshin të vdekura. 

E tillë, e rëndë, e ashpër dhe ndoshta me pasoja fatale është edhe përplasja që ka përfshirë qeverine e Albin Kurtit me zyrtarin më të rëndësishëm gjerman për Ballkanin. I dërguari i Berlinit për rajonin tonë, Manuel Sarrazin po i kërkon me ngulm Kosovës të hapë kufirin për tregtinë e lirë të mallrave serbe. Gjermania po e akuzon qeverinë Kurti se po bëhet pengesë për Procesin e Berlinit, se po shkel marrëveshjen e CEFTA-s, pa i marrë parasysh pretendimet e Prishtinës, që e ka ndaluar për arsye sigurie futjen në territorin e saj të mallrave serbe, që në qershor 2023, me pretendimin se bashkë me to mund të hyjnë edhe armë. 

Për të rikthyer tregtinë e lirë midis të gjitha vendeve të Ballkanit perendimor, Manuel Sarrazin ka dëshmuar se është gjendje të përdorë edhe karrotën edhe shkopin. Ai e ka joshur Prishtinën duke i premtuar që në këmbim të këtij lëshimi, qeveria e Kosovës të përfaqësohet vetë në nismën e CEFTA-së dhe jo më, si deri tani, nga UMNIK-u. Këtij avancimi drejt njohjes ai i ka shtuar edhe avantazhin se qytetarët dhe biznesi i vendit do të fitonnin nga kjo.

Natyrisht që, ndonëse në një situatë para zgjedhore, qeveria Kurti duhet të tregohet më fleksibël ndaj kërkesës së ardhur nga Berlini. Ajo duhet të marrë parasysh se vitet e fundit Gjermania është renditur shpesh në anën e Kosovës dhe t’i vlerësojë me kujdes prioritetin që ajo i jep Procesit të Berlinit duke mos u bërë pengesë për përparimin e tij. 

Po kjo është një çështje tjetër që meriton një debat shumë më të thellë dhe të argumentuar. Në këtë histori, interesante janë të shihen kërcënimet gjermane, nëse ndodh që Kosova nuk bindet. Manuel Sarrazin i shqiptoi ato gjatë një interviste të egër në televizionin publik të Prishtinës, RTK. Ai së pari paralajmëroi se, nëse Kosova nuk thotë “PO” deri para samitit që do të mbahet në Berlin, në mes të tetorit, vendet e tjera do të ecin përpara pa të dhe ajo do të paguajë kostot financiare të vendimeve të veta. 

Por, përpos kësaj dhe këtu është më e bukura, ai lëshoi edhe deklarata të forta që na interesojnë ne shqiptarëve të pjesës këtej të kufirit.

Duke dashur me çdo kusht ta bindë Prishtinën, politikani gjerman tha se pjesëmarrja e saj do e mbyllte përfundimisht faqen e Ballkanit të hapur. Tmerrësisht konkret dhe i akullt ai përmendi se kjo do të qe “gozhda e fundit në qivurin e “Open Balkan”. Dhe më pas shtoi frazën më të rëndësishme që nuk do të ishte shqiptuar kurrë në kushte normale, pa një përplasje të fortë dhe pa tensionet e tanishme: “Ballkani i hapur është krijuar për të anashkaluar Kosovën”. 

Ky pra është qëndrimi zyrtar i Berlinit: ai se projekti Vuçiç – Rama ka qenë një lëvizje kundër pjesës tjetër të kombit tonë. Kaq hapur dhe kaq troç Gjermania nuk kishte folur kurrë. Vertet ne e dimë që ajo ishte rreshtuar kundër kësaj nisme që donte të anashkalonte Procesin e Berlinit, vërtet ka të dhëna që konfirmojnë se vetëm pas këmbënguljes gjermane në Uashington, Edi Rama u detyrua të bëjë një hap pas nga projekti me presidentin serb, por ama edhe Gabriel Escobari, edhe Kris Hilli, edhe loloja i Orbanit, Varhelyi, na kishin predikuar prej vitesh të kundërtën. Për të mos folur pastaj se ç’ndodhte në Tiranë, ku Edi Rama pretendonte se mbi 60% e shqiptarëve linin kokën për Ballkanin e Hapur, se po të mos qe ai ne do kishim vdekur për bukë, në kohën e krizës së drithit, pas shpërthimin e luftës në Ukrainë, se udhëheqësit kosovarë që refuzonin ti bashkëngjiteshin nismës, qenë ca mendjeshkurtër që i bënin dëm vendit të tyre.

Tashmë, falë një përplasjeje të ashpër mes Berlinit dhe Prishtinës, bashkë me kërcënimin për Kosovën se, nëse s’pranonte Procesin e Berlinit dhe CEFTE-n, mund të bëhej sërish viktimë e Open Balkan, në dëgjuam edhe të vërtetën zyrtare gjermane, se kjo nismë qenkësh krijuar kundër saj. Boll kaq mjafton për ti vënë pikë debateve me pro dhe kundra, për aventurën e rrezikshme ku qe angazhuar prej vitesh qeveria e Shqipërisë./Lapsi.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat