A ka dështuar diplomacia e Kosovës, e cila për 5 vite nuk arriti ta sjellë as edhe një njohje të vetme?

Opinione

A ka dështuar diplomacia e Kosovës, e cila për 5 vite nuk arriti ta sjellë as edhe një njohje të vetme?

Nga: Rexhep Elezaj Më: 15 shtator 2024 Në ora: 12:06
Rexhep Elezaj

Shtrohet pyetja; si ka mundësi që për 16 vite në shtetin e pavarur të Kosovës, shërbimi diplomatik të mos jetë i aftë dhe as të mësojë nga përvojat e shteteve tjera, se si funksionon shërbimi diplomatik, cili është roli i diplomatëve në përfaqësimin e shtetit dhe politikës së jashtme të cilin e përfaqësojnë në vendet ku janë dërguar, çfarë punëve dhe detyrave duhet të kryejnë si ambasadorë, konsuj, këshilltarë, sekretarë, etj., në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës..!?

Si është e mundur, që stafi diplomatik i Kosovës i përzgjedhur dhe i dërguar që t’i përfaqësojë interesat e shtetit që i ka emëruar pranë vendeve ku janë të akredituar, e që për 5 vite rresht Kosovës të mos jenë në gjendje t’i sjellin asnjë njohje të re, sidomos nga vendet ku ata janë të akredituar si ambasadorë jo rezident, ose që me vetë iniciativë t’i vizitojnë shtetet më të afërta nga vendi mikpritës ku punojnë, e të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet, dhe kjo vlen sidomos për ambasadorët dhe konsujt e akredituar në disa vende të Lindjes së Mesme, në Azinë e vogël, etj.. Për shembull, pse ambasadori i Kosovës në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Turqi, etj., të mos i vizitojnë shtetet si Sirinë, Jordaninë, Jemenin, Irakun, Libanin, pastaj nga Turqia ta vizitojnë Iranin, Pakistanin, Azerbejxhanin, etj., për të vu kontakte me ministritë e jashtme të këtyre vendeve, me qëllim të lobimit dhe shtruarjes së kërkesës (me shkrim) që ato vende ta njohin pavarësinë e Kosovës..!?

E njëjta pyetje vlen edhe për ambasadorët dhe konsujt tanë të akredituar në disa vende në Amerikën latine, ose ai në Kanadë, nga ku është dashur t’i vizitojnë zyrtarisht vendet për rreth që nuk e kanë njohur Kosovën, për të kërkuar nga ato njohje të pavarësisë së Kosovës, kur dihet se si ambasadorë e kanë derën e hapur gati në çdo shtet tjetër, dhe, në rastet kur nuk mund ta vejnë vetë kontaktin e parë me vendet mos-njohëse, atë kanë mundur ta bëjnë përmes ambasadorëve të vendeve gjegjëse, të akredituar në të njëjtin vend ku janë ambasadorët dhe konsujt e Kosovës.

Prandaj, a mund të na thotë dikush nga stafi i MPJD dhe ai diplomatik jashtë Kosovës, se cila detyrë dhe cili misioni i tyre është më me prioritet se sa sjellja e njohjeve të reja, dhe, cila është ajo detyrë e cila ka peshë më të madhe diplomatike, para asaj që Kosovës t’i shtohet numri i njohjeve diplomatike, gjë të cilën e dinë gjithë shqiptarët, se aktualisht nuk ka detyrë më me prioritet për stafin diplomatik të Kosovës në botën e jashtme, se sa ta rris numrin e njohjeve, e që është edhe kushti kryesor për t’u bërë anëtare e OKB-së, ku kërkohet dy të tretat (2/3) e votave nga numri i përgjithshëm i 193 vendeve anëtare të OKB-së.

Shtrohet po ashtu pyetja; çfarë është cilësia dhe përbërja e strukturës së stafit diplomatik të Kosovës, si brenda MPJD-së, ashtu dhe brenda stafit të jashtëm diplomatik, i dërguar nëpër ambasadat e Kosovës në Evropën perëndimore, SHBA, Amerikën latine, Azi, Lindje të Mesme, Australi, Japoni, Kanadë, etj. Pra, a janë të gjithë të aftësuar për të shërbyer si diplomatë, ambasadorë, konsuj dhe si këshilltarë profesionistë, a i kanë të kryera shkollat dhe kurset e nevojshme diplomatike, a kanë bërë përvojë të duhur në fushat që i mbulojnë si këshilltarë të emëruar për resorë të caktuar, a i njohin gjuhët diplomatike, sidomos gjuhën e vendeve nikoqire ku shërbejnë, a i janë nënshtruar provimeve profesionale për të shërbyer si diplomatë në përfaqësitë tona diplomatike, dhe kështu me radhë..!?

Dhe, ajo që është më kryesorja, a e mbikëqyr ndokush në MPJD-së punën e ambasadorëve, konsujve dhe gjithë stafit të punësuar pranë ambasadave tona, a i vlerëson ndonjë komision sukseset, gjegjësisht mos-sukseset e tyre për çfarë janë të punësuar dhe të dërguar në misione diplomatike jashtë vendit, sepse kudo në botë dhe shtetet demokratike perëndimore, suksesi, gjegjësisht mos suksesi i ambasadorëve dhe konsujve, është masa kryesore për avancimin e tyre në hierarkinë diplomatike, përkatësisht për largimin e atyre nga kjo detyrë.

Për fund, dhe jo përfundimisht, me keqardhje të madhe më duhet të konstatoj, se nëse për bazë i marrim (mos)rezultatet konkrete në diplomacinë dhe politikën e jashtme të Kosovës në 5 vitet e fundit, na del konstatimi i pamohuar, se MPJD bashkë me stafin e saj diplomatik në botën e jashtme, gjegjësisht me të dërguarit si ambasadorë, konsuj dhe diplomatë të karrierës, kanë dështuar në misionin e tyre, me vet faktin, ngase përveç mos arritjes së asnjë njohjeje të re për Kosovën, duket se në asnjë fushë tjetër nuk kanë arritur ndonjë rezultat të prekshëm, siç është fusha e thithjes së investimeve të huaja kapitale në Kosovë, por as në sektorin e këmbimit tregtarë, e ku mundësitë nuk kanë qenë të vogla, pastaj në kulturë, sport etj., duke vend-numëruar pa sukses, por edhe duke bërë shpenzime marramendëse financiare për mbajtjen e ambasadave dhe konsullatave, si dhe stafit bukur të fryrë diplomatik dhe teknik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat