Idetë e gabuara mbi integrimin!

Opinione

Idetë e gabuara mbi integrimin!

Nga: Lirim Begzati Më: 15 shtator 2024 Në ora: 12:51
Lirim Begzati

Çështja e integrimit në Evropën perëndimore përballet shpeshherë me paragjykime, qofshin ato pozitive apo negative.

Në përditshmëri nuk janë të rralla rastet ku dëgjojmë se disa personave apo popujve iu jepet automatikisht epiteti i njerëzve të integruar mirë në shoqëri, pa mos menduar gjerë e gjatë!

Madje, ky vlerësim aplikohet edhe për personat që kurrë nuk kanë qëndruar në shtetin e pranimit apo gjenden aty vetëm që prej pakë kohësh, ndoshta edhe vetëm në cilësinë e turistit.

Një “privilegjë” të tillë e bartin posaçërisht shtetasit që vijnë nga vendet që konsiderohen, sipas disave, si më të civilizuara apo më të afërta “kulturalisht” me shtetet e pranimit.

Nëse tek disa është ngulfatur ky vizion në bindjet e tyre, kjo nuk domethënë se mendimi i tillë bashkëndahet nga gjithë të tjerët. Në fakt, ky vlerësim lehtë iu nënshtrohet kritikave pragmatike, sipas së cilave integrimi nuk është thjeshtë një proces automatik apo i krijuar paraprakisht!

Duket se kjo analizë iu afrohet më tepër realiteteve, pasi që përgjithësimet nuk japin përgjigje të kënaqshme për të gjitha rastet individuale. Nuk është numri i vogël i atyre që ballafaqohen me po të njëjta vështirësi integrimi, ashtu si gjithë të tjerët, pa marrë parasysh vendin nga vijnë.

Nëse e marrim shembullin e aplikimit për shtetësi, në shumicën e shteteve të huaja kërkohet plotësimi paraprak i disa kushteve; në mesin e tyre natyrisht se e hasim çështjen e integrimit në punë, njohjet gjuhësore të vendit ku jetojmë, etj.

Ndër kushtet nuk mungojnë as aspektet që lidhen me pagesën e tatimeve dhe borxheve ndaj shtetit, pa mos e harruar edhe atë se a figurojmë në regjistrin e dënimeve.

Sipas disa vlerësimeve, bile edhe institucionale, fakti i figurimit në regjistrin e dënimeve, se dikush i ka borxhe shtetit dhe nuk i paguan rregullisht tatimet simbolizon një shenjë mos integrimin në shoqërinë e pranimit.

Nuk duhet vërejtur kurrgjë të keqe në kushtëzimin e tillë; janë në pyetje një sërë kushtesh të imponuara dhe të kuptueshme për dhënien e vlerësimit se a plotësohen  apo jo të gjitha kushtet për marrjen e shtetësisë.

Por ky vlerësim përfshin vetëm një pjesë të së vërtetës! Nga analizat e tilla, vetëm një pjesë e tyre e kanë kuptimin e duhur, e assesi e gjithë ajo që mendohet nganjëherë nga disa!

Është i madh numri i shtetasve të vendeve ku jetojmë dhe të cilët janë në borxhe deri në “fytë”, që kanë vonesa të mëdha në pagimin e tatimeve, që figurojnë në regjistrin e dënimeve për vepra penale.

Vallë çka me thënë atëherë për individin i cili, brez pas brezii, jeton në vendin e vetë dhe kurrë nuk ka hezituar që të mos i përmbushi obligimit e tija elementare ndaj shtetit të vetë ?!

Ky fakt është i pamohueshëm, por vlerësimet për këto probleme nga disa “specialistë” të integrimit, kufizohet vetëm në analiza sipërfaqësore dhe të ç’veshura nga pragmatizmi. Nuk thuhet për to se nuk janë mirë të integruar në shoqëri.

Ndodhë edhe ajo që këto kategori personash, jo mirë “të integruar” në vendin e vetë kërkojnë nga tjetri, nga i huaj, që të integrohet në shoqërinë e pranimit, duke kërkuar nga i huaj që t’i përmbushi të gjitha obligimet.

Këto janë pikërisht disa nga shembujt, të cilat çështjes së integrimet i’a japin nganjëherë ngjyrën e paradokseve.

Fundja, si shtetasi i huaj ashtu edhe ai i vendit, i kanë gati se të njëjtat detyrime ndaj shtetit dhe shoqërisë. E panevojshme pra që ca gjëra të vihen sistematikisht në barrë të çështjeve të integrimit.

Apo nëse termi përkatës është aq i pëlqyeshëm për disa, le të përdoret atëherë me mençurinë dhe në vendin e duhur, e jo ashtu si i konvenon shijes subjektive apo politikës së të dikujt!

Në ditën e sotme, është me të vërtetë një “budallaki” të vlerësohet se dikush që e ka tejkaluar shpejtësinë e vozitjes apo që nuk ka arritur t’i paguaj me kohë disa fatura, të konsiderohet si një person pak i integruar në shoqëri.

Analizën tonë do t’a rezymojmë kësisoj; përse duhet të flasim gjithmonë, e pareshtur për integrimin, aty ku duhet e aty ku s’duhet. I takon çdokujt që t’i respektojë rregullat e një shoqërie, t’i respektojë ligjet e shtetit, kulturat dhe traditat e të tjerëve. Përse po duhet të flasim gjithmonë për të huajnë, për të vendit dhe për ata të tjerët. Fundja, ai që nuk i respekton këto, le të jetë i huaj, i vendit, do të mbetet prapëseprapë ai i cili nuk i respekton rregullat dhe vlerat e një shoqërie.

Çdokush duhet pra të japë mundin permanent për integrim në një shoqëri, qoftë për respektimin e rregullave, qoftë për respektimin e ndërsjellë në këto hapësira diversiteti kulturor, fetar, etnik... 

Fundja, si i huaj ashtu ai i vendit mbajnë obligime për respektimin e rregullave dhe normave të një shteti apo shoqërie të caktuar. Çdokush përballet me nevojën permanente për integrim në shoqëri, në mjedisin e caktuar, e kjo vlen si për të huajin ashtu edhe për atë të vendit; jemi gjithashtu në reciprocitet veprimesh të njëkohshme.

Nënkuptohet se kjo formulë nuk iu konvenon aspak atyre që mendojnë se “integrimi” duhet të aplikohet vetëm për disa, vetëm për disa “kategori” të njerëzve dhe të popullatave. Sa gabim e kanë këto të shkretit, që mendojnë asisoj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat