Ta them, apo mos ta them. Ti shpalli luftë Kurtit, apo jo. Ti zhduku shqiptarët, si synim i yni shekullor, apo t´u jap kohë edhe pak. T´i shpërnguli serbët nga veriu me qëllim që të inskenoi ndjekjen e tyre nga Kurti, (kjo po ashtu shkathtësi taktike e jona). Nuk di, gjithçka më sillej nëpër kokë. Të gjitha opsionet i kisha mbi tavolinë.
Ky reagim, 72 orë ultimatum, si i tillë ishte i pari që e bëra, po isha në ankth. Nuk e kontrolloja veten dhe nuk di se ç´bëja. Kurti nuk po ndalet dhe kam përshtypjen se ai nuk vepron vetëm. Dikush po e dirigjon. Nuk është e mundur që të gjitha këto t´i bëjë kokë më vete. Më zhveshi tërësisht nga veriu.
Unë tash e kam Litiumin si armë dhe ndoshta marrëveshjet me EU, Gjermaninë e Francën më trimëruan dhe ishte shkaku kryesor, që reagova në atë mënyrë.
Tash lindi çështja, se si të veproja.Ta shpallja Kosovën si vend të okupuar. Do ishte e mundur, të ballafaqohesha me pasoja. Me këtë akt, do të obligohesha të hyja në Kosovë me ushtri dhe të gjitha forcat që i posedon Serbia.
Dhe po ta merrja një vendim të tillë, lind pyetja delikate: ç´do më priste mua? fati i Millosheviqit, Mladiqit, Karaxhiqit dhe të tjerëve që ndiqeshin hap – pas - hapi nga Haga.
Apo do ishte më mirë t´i vihej gishti kokës dhe të mendohet, se ç´pësuan ata. Më mirë të vazhdoj më tutje, tërhiq e mos këput. Kështu po funksionon qe 20 vite, pse mos të vazhdoi njejtë edhe më tutje. Askush nuk po ankohet.
Po u konkretizuan kontratat rreth Litiumit, atëherë mund t´i ashpërsoi kërkesat, ndoshta edhe t´u parashtroi kushte. Atëherë do ta shohin shqiptarët se cili jam.
Prej tyre ndoshta vetëm Rama, me të cilin kam ngrënë e pirë dhe kisha plane, do të më dhimbsej, përndryshe të gjithë do t´i kisha... (shfarosur)
Pas 72 orëve duhet të kem kujdes se çfarë deklaroi: ditët e fundit na vizitoi mua dhe Dodikun edhe personi numër një i CIA – së amerikane. Menjëherë pas kësaj vizite Dodiku deklaroi se kurrë nuk ka shfaqur plane për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja. Kur Dodiku deklaroi kështu... u vërejt që me te s´është diçka në rregull. Më befasoi edhe mua, me një deklaratë të tillë.
Çfarë të deklaroj unë pas këtyre 72 orëve, (që ia vara vetes 72 në qafë) vetëm t´i përsëris kërkesat e njëjta, apo të kërkoi që t´i kthej ato për të cilat vetë serbët i kisha detyruar të hiqnin dorë. (tërheqjen nga institucionet)
Sikur të kisha mundësi që ta ktheja gjendjen, para vendimit të largimit nga institucionet e Kosovës. Nuk di çka kisha menduar, që e kisha sjell një vendim të tillë. Kisha shpresuar që Rusinë e kisha pas, pastaj me Francën kishim bisedime për blerjen e aeroplanëve luftarak, por mbi të gjitha doja që ta shtoja presionin mbi Kurtin, duke shpresuar se perëndimi do t´ma hiqnin qafe.
Nuk më shkonte mendja, se kjo mund të ishte krejt lojë e perëndimit. Ata ndryshe sillen në praninë time, e ndryshe ma dredhin pas shpine.
Unë mundohem që t´ua hedh shpesh, po edhe ata si duket e kanë kuptuar dredhinë time.
Nga rreziku ku ndodhesha, mirë u nxora, po nuk e di se si do të vazhdoi tutje. Ta pres Kurtin në gabimin e radhës, apo të taktizoj si këto 20 vite, derisa të sqarohen marrëveshjet me Litiumin... Të shohim. Asgjë nuk më ngutet. Pa mua nuk ka zgjidhje. T´i presim zgjedhjet amerikane së pari.