Eurodeputeti grek nga Shqipëria

Opinione

Eurodeputeti grek nga Shqipëria

Nga: Ilir Levonja Më: 17 shtator 2024 Në ora: 15:34
Autori Ilir Levonja

Fredi Beleri, të cilin shqiptarët kudo ku janë e njohin ndofta më mirë se babën e tyre, kjo për shkak edhe të propagandës shtetërore në Shqipërinë e Edi Ramës. Nga mëngjesi në darkë, nuk mbeti megafon pa folur për një ''kriminel'', ''grek të fëlliqur'' ''derr'', ''tradhtar'' etj. Madje nuk mbeti as këmbë idioti a doktori shkencas pa pyetur, ore çfarë janë himarjotët, e di ti? Janë grekë apo shqiptarë? Sa kur i thashë dikujt, se jo, as njëra e as tjetra, janë kinezë, e hëngri komplet mavria. Rrezik sot edhe një motak shqiptar mund ta ketë në kokën e tij, Fredi Belerin, si gogolin e një bote ku lufta e klasave është parësore.

Megjithëse e gjitha kjo mund të ishte shmangur fare mirë, që nga komisonet përkatëse të pastërisë së figurave kur kandidon për deputet. Por partia shtet nuk e bëri..., madje me qëllim e lejoi si e si shqiptarët të hanë kokën me gërr-vërre me njëri-tjetrin. Nuk u bë dot kryetar i një nga bashkive më të varfra të jugut, Himarës, por u bë eurodeputet grek dhe që sot flet për hallet e Shqipërisë. Bash sot deklaroi se Shqipëria po i largohet Europës. Në fakt Shqipëria para se t'i afrohet Europës, nuk e e di nëse do të ketë kohë apo jo, Shqipëria po vdes. Nuk e di a e kanë kuptuar këtë shqiptarët në përgjithësi, kudo ku janë? Nuk bëhet më fjalë për Europë, pasi faktikisht Shqipëria është kudo, në të gjithë metropolet e Europës, Azisë, Afrikës, Amerikës, Australisë, bëhet fjalë tashmë për ekzistencën e saj.

Se mund të ndodhi që të gjëndesh deri në zemër të shkretëtirës, qoftë ato të Lindjes së afërt apo Perëndimit në Kanionet e Amerikës, e do ta gjesh një i cili të të përshëndesi shqip ose të thotë, të dhjefsha racën tonë, po në shqip. Pra, kemi ikur vëlla, kemi fluturuar, prandaj po vdes Shqipëria jonë. Nuk ka se çfarë na duhet Europa. Nuk ka se kujt i duhet. Kujt, pleqve të të vetmuar?. Kemi boshatisur gjithçka tonën aq sa mund të radhisësh qindra fshatra të zbrazur krejt. Shqipëria po vdes bash prej kësaj, çfarë i duhet më Europa. Europa i duhet atyre që e zbrazën, duan të vjedhin akoma, t'i rjepin Europës ca fonde më shumë. Kaq. Shqiptarët vet, ua kanë trefishuar pensionet prindërve, i kanë bërë me nga dy pasaporta.

Hasani dhe Tofiku i kanë edhe pasaportën amerikane edhe shqiptare. Kanë edhe të tjerë. Nuk e dëgjove, tkurrja e shkollave për këtë vit kapi shifrën 22%, në vend. Kushedi se sa vitin tjetër. Po vdes Shqipëria jonë, pasi ne rrojmë fare mirë kudo, me të gjitha llojet e rracave, por nuk durojmë dot një minoritar tonin të bëhet kryetar. Ne rrojmë pa problem me mongolin, me marokenin, me ata nga Bangladeshi etj, por jo me djalin e barba Janit. Shqipëria po vdes pasi gazetarët në shumicë i kërkojnë llogari opozitës, merren me opozitën, merren me taktikat, muskujt, planet stërvitore të opozitës, nuk merren me kolerën që qeveris.

Dhe kurrë sikur njëri prej tyre të thotë, ore po unë vet a po e luftoj padrejtësinë, apo këtë vdekjen e pashmangshme të Shqipërisë? Hiç aspak! As që janë kthyer..., pasi për vete i kanë marrë pronat, i kanë rregulluar letrat, i kanë terezitur paratë. As që u plasi se ka demokraci në Shqipëri? Se u vodhën votat apo jo? Se u burgose padrejtësisht ti apo dikush tjetër në periferi. Shqipëria po vdes se ja shikoje, sapo arrestuan kryetarin e një bashkie periferike, atë të Tropojës. Se me këto merret regjimi, me Tropojën, Himarën, Lushnjen, Kuçovën... Tiranën dhe Durrësin jo, jo, se janë toka të Xanuna. Të tredh nga topet kupola. Pra ka ardhur koha të flasim jo më, për Europën, për vrasjen publike që po i bëjmë Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat