Çfarë nuk u tha për çmimin e Medias M100, i ndarë ditë më parë presidentes Vjosa Osmani në Postdam të Gjermanisë?

Opinione

Çfarë nuk u tha për çmimin e Medias M100, i ndarë ditë më parë presidentes Vjosa Osmani në Postdam të Gjermanisë?

Rexhep Elezaj Nga Rexhep Elezaj Më 17 shtator 2024 Në ora: 17:29
Foto nga vendi i ngjarjes

Çmimi evropian i rangut të lartë “M100” iu ndahet figurave të shquara, shteteve dhe liderëve evropian, siç thuhet në tekstin e tij, për “Angazhimin e tyre të palëkundur ndaj vlerave demokratike”, i cili këtë vit në pallatin “Sanssouci” në Potsdam me 13 shtator 2024, siç quhet “Çmimi evropian i shtypit”, për përkushtimin e tyre për forcimin e demokracisë, lirisë së shprehjes dhe shtypit të lirë, si dhe mirëkuptimit evropian, iu nda Vjosa Osmani-Sadriut, presidente e Republikës së Kosovës, dhe z. Donald Tusk, Kryeministri i Republikës së Polonisë.

Ndërsa, ka çmim në vitin 2023 i është ndarë “Lëvizjës për lirinë e jetës së grave iraniane”, i pranuar nga znj. Shima Babaei, aktiviste iraniane për të drejtat e grave. Në vitin 2022 të njëjtin çmim e ka marrë populli ukrainas, i pranuar nga Dr. Vladimir Klitschko, ish-kampion bote në boks. Në vitin 2021 ky çmim i është ndarë Alexei Navalny, politikan dhe lider i opozitës ruse, si dhe themelues i fondacionit kundër korrupsionit FBK, në Rusi. Në vitin 2020 këtë çmim e ka marrë Szabolcs Dull, gazetar dhe ish-kryeredaktor i “Index” nga Hungaria, ndërsa në vitin 2019 të njëjtin e ka marrë Nicola Sturgeon, ministri i parë i Skocisë.

Pra, ky çmim i vlerëson fituesit e tij si zëra të përkushtuar për shoqëri demokratike dhe të lirë në Evropë, dhe si pionierë për një Evropë moderne dhe të qëndrueshme.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar rreth 200 të ftuarve ndërkombëtarë në këtë kolokium, kryetari i komunës së Potsdamit, Mike Schubert, foli për kontributin e madh te të gjithë fituesve të këtij çmimi, si dhe për angazhimin e tyre ndaj demokracisë, kryesisht në vendet e tyre, por në fund të fundit edhe për gjithë qytetarët e Evropës, dhe “gjithë ata që luftojnë për liri dhe demokraci nuk luftojnë kurrë për veten e tyre, ata gjithmonë luftojnë për të gjithë neve, na dhemb edhe më shumë kur e shikojmë Rusinë dhe Alexei Navalny, i cili luftoi me guxim të pathyeshëm kundër regjimit autoritar të Putinit, i cili këtë luftë e pagoi me jetën e tij”.

Për kontributin e dy fituesve të çmimit të sivjetmë folën ish-ministri i mbrojtjes dhe kryetari i SPD-së, Rudolf Scharping, dhe ish-presidenti federal Joachim Gauck.

Në fjalën e tij, Rudolf Scharping theksoi “përkushtimin e palëkundur të Vjosa Osmani-Sadriut, për liri dhe demokraci, për të drejtat e njeriut si dhe për sundimin e ligjit. Rruga politike e presidentes Osmani është shembull i forcës dhe shpirtit të popullit të Kosovës, ajo mishëron qëndrueshmërinë e një populli që u ngritë nga hiri i luftës, ajo dëshmon se e vërteta dhe drejtësia gjithmonë e udhëheqin rrugën e së ardhmes. Angazhimi i saj ndaj vlerave euroatlantike është një premtim i sinqertë për qytetarët që ajo u shërben, një premtim se zëri i tyre do dëgjohet, të drejtat e tyre do të mbrohen, dhe e ardhmja e tyre do të sigurohet”.

Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, në fjalimin e saj falënderues, falënderoi punën e deritanishme të mbi 50 mijë ushtarëve gjermanë që kanë shërbyer në Kosovë për 25 vite, duke përfshirë z. Mike Schubert, tani kryetar i komunës së Potsdamit, ku “Bundeswehr-i e siguroi Kosovën që vendi im të kishte një shans për paqe, të çlirohej nga regjimi i aparteidit të Sllobodan Millosheviçit, i cili zhvilloi një luftë gjenocidiale kundër shqiptarëve, që Kosova të zhvillohet lirisht dhe në mënyrë demokratike, me qëllim për t'u anëtarësuar në BE dhe NATO”, tha ajo.

Ajo falënderoi gjithashtu kryeministrin polak, z. Donald Tusk, i cili gjithashtu u nderua me këtë çmim, duke thënë, se “Polonia dhe Kosova përjetuan të kaluara të dhimbshme, e që janë shndërruar në qëndrueshmëri të paparë dhe në një përkushtim të palëkundur ndaj vlerave demokratike. Këto janë një histori që duhet të vazhdojmë t'i ndajmë me botën, sepse suksesi i demokracisë është dështimi i tiranisë dhe autokracisë kudo në botë”.

Kolokiumi i sivjetshëm M100, Sanssouci, titullohej: “Demokracia nën sulm, fushatat e dezinformimit, inteligjenca artificiale dhe roli i medias në vitin super-zgjedhor 2024”, meqë rast rreth 80 kryeredaktorë ndërkombëtarë, shkencëtarë dhe përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile diskutuan efektet e dezinformimit, për aftësinë e Evropës për të mbrojtur veten, partneritetin transatlantik, gjendjen e demokracisë, mundësitë dhe rreziqet e paraqitura nga inteligjenca artificiale, si dhe rolin dhe detyrat e gazetarëve në një botë mjaft komplekse dhe gjithnjë e më të ndërlikuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat