Eksperti i sigurisë zbulon taktikën kërcënuese dhe negociuese të Serbisë për të ndikuar në stabilitetin e Kosovës

Opinione

Eksperti i sigurisë zbulon taktikën kërcënuese dhe negociuese të Serbisë për të ndikuar në stabilitetin e Kosovës

Nga: Agim Musliu Më: 18 shtator 2024 Në ora: 11:25
Agim Musliu

Serbia ka ndërmarrë një qasje të dyfishtë në marrëdhëniet e saj me Kosovën, një çështje kyçe për stabilitetin rajonal. Nën udhëheqjen e presidentit Aleksandër Vuçiq, Serbia ka përdorur një kombinim të kërcënimeve dhe negociatave për të avancuar interesat e saj kombëtare. Kjo strategji e “shtytjes dhe tërheqjes (push & pull)” i lejon Beogradit të luhatet mes agresionit dhe diplomacisë, duke përdorur taktikën e kërcënimit për të destabilizuar Kosovën dhe për të konsoliduar mbështetjen e brendshme, ndërkohë që angazhohet në dialog kamuflazhi për të ruajtur legjitimitetin ndërkombëtar.

Strategjia e shtytjes (push): Nacionalizmi asertiv

Vuçiqi shpesh adopton një qëndrim konfrontues ndaj Kosovës, duke iu referuar pretendimeve historike, kulturore dhe fetare të Serbisë mbi territorin e Kosovës. Kjo qasjes nuk është vetëm retorikë; ajo mbështetet nga qëndrimi ushtarak dhe retorika agresive që shërbejnë për të mobilizuar sentimentin nacionalist brenda Serbisë. Mbështetja e qeverisë së Serbisë për komunitetin serb në Kosovë, veçanërisht për figurat kontroverse, që nuk është mbështetje për zhvillim por mbështetje për destabilizim, i përkeqëson më tej tensionet etnike dhe e komplikon marrëdhënien tashmë të ndërlikuar ndërmjet dy shteteve.

Kjo strategji e shtytjes shërben për disa qëllime:

– Mobilizimi i mbështetjes së brendshme: Duke theksuar pretendimet historike të Serbisë, Vuçiqi apelon tek sentimentet nacional-shoviniste, duke konsoliduar bazën e tij politike.

– Përmbajtja e veprimeve të Kosovës: Gatishmëria ushtarake dhe retorika agresive sinjalizojnë Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar se Serbia është e gatshme të mbrojë interesat e saj, duke ndërhyrë në punët e brendshme dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në Kosovë.

Strategjia e tërheqjes (pull): Angazhimi pragmatik

Më gjithë qëndrimin agresiv, Vuçiqi me kamuflazh angazhohet në dialog me Kosovën, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo strategji e tërheqjes karakterizohet nga një gatishmëri për të negociuar dhe kërkuar normalizimin e marrëdhënieve, ndonëse nga një pozitë e forcës. Vuçiqi pozicionohet si një lider pragmatik që është i hapur për diskutime, por gjithashtu kritik ndaj kushteve që po propozojnë, duke kërkuar të nxjerrë koncesione të rëndësishme që përputhen me interesat kombëtare të Serbisë.

Kjo qasje duale i lejon Vuçiq-it të:

– Ruajë legjitimitetin ndërkombëtar: Duke marrë pjesë në negociata, Serbia mund të paraqitet si një aktor i përgjegjshëm në arenën ndërkombëtare, duke kundërshtuar akuzat si agresor.

– Përdor mbështetjen e BE-së: Angazhimi në dialog me Kosovën është thelbësor për ambiciet e integrimit të Serbisë në BE, duke i lejuar Vuçiqit të sigurojë mbështetje dhe financim të nevojshëm nga blloku.

– Realizojë planet e “Botës serbe”: Qasja duale i mundëson që të përfitojë një politikë të paqësimit nga perëndimorët, por në anën tjetër nëpërmjet kësaj politike të sigurojë avancimin gradual të realizimit të Botës Serbe apo përgatitjes së terrenit për realizimin e saj në formë konvencionale në ndryshim të rrethanave gjeopolitike.

Shtytja (push): Kritika dhe Viktimizimi: Vuçiqi shpesh kritikon BE-në, duke e portretizuar Serbinë si viktimë e paragjykimeve në dialogun me Kosovën. Kjo strategji mobilizon mbështetje të brendshme dhe rrit presionin për kushte më të mira për anëtarësimin e Serbisë. Duke paraqitur BE-në si një ndërmjetës të padrejtë, ai synon të vendosë Serbinë si një partner të keqkuptuar, që meriton më shumë konsideratë.

Tërheqja (pull): Përkushtimi ndaj BE-së: Në të njëjtën kohë, Vuçiqi vazhdon t’i japë përparësi anëtarësimit në BE, duke e paraqitur si objektiv strategjik. Reforma të rëndësishme janë ndërmarrë për përputhje me standardet e BE-së, me qëllim sigurimin e mbështetjes dhe fondeve për zhvillim dhe stabilitet politik.

Motivet pas strategjisë

– Leva në negociata: Kjo strategji i jep Vuçiqit hapësirë për të nxjerrë koncesione dhe për të vonuar marrëveshje të pafavorshme.

– Kapitali politik: Portretizimi si mbrojtës i interesave kombëtare forcon mbështetjen e nacionalistëve.

– Fleksibilitet gjeopolitik: Vuçiqi mban marrëdhënie me aktorë të shumtë, duke shmangur varësinë nga një fuqi e vetme.

Sfidat e strategjisë

Negociatat e vështira: Strategjia e Vuçiqit e ndërlikon dialogun me Kosovën, duke penguar ndërtimin e besimit dhe marrëveshjeve afatgjata.

Pengesa në integrimin në BE: Lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë dhe Kinën mund të ngadalësojnë procesin e integrimit në BE, pasi shpesh bien në kundërshtim me vlerat e BE-së.

Rreziku për stabilitetin rajonal: Ndërsa Vuçiqi mund të pozicionohet si stabilizues, qëndrimi i tij i paqëndrueshëm dhe shpesh i paparashikueshëm rrezikon të përkeqësojë tensionet në rajon, duke ngjallur kundërshtime nga fqinjët dhe aktorët ndërkombëtarë.

Pozicionimet ushtarake dhe kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës

Mars 2018: Arrestimi i Marko Gjuriqit për hyrje ilegale në Mitrovicë shkaktoi një rritje të menjëhershme të tensioneve në rajon. Presidenti i Serbisë, Vuçiqi, e urdhëroi ushtrinë serbe të ishte në gatishmëri të lartë dhe përdori retorikë kërcënuese për të ushtruar presion mbi Kosovën. Ky veprim kishte për qëllim të frikësonte Prishtinën dhe të ndikonte në dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

2019 dhe 2020: Gjatë këtyre dy viteve, Serbia nuk shfaqi ndonjë aktivitet të dukshëm ushtarak në afërsi të kufirit me Kosovën. Megjithatë, tensionet u mbajtën të larta përmes retorikës së ashpër dhe kërcënimeve diplomatike, ku Serbia vazhdoi të përdorte një retorikë përjashtuese dhe sfiduese ndaj Kosovës dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë.

Shtator 2021: Pas hyrjes në fuqi të masave të reciprocitetit për targat, Vuçiqi urdhëroi gatishmërinë e ushtrisë serbe dhe dislokoi automjete të blinduara dhe aeroplanë luftarakë pranë kufirit me Kosovën. Ky veprim ishte një kërcënim i hapur dhe kishte për qëllim të tregonte forcën politike dhe ushtarake të Serbisë. Ky hap shkaktoi një rritje të ndjeshme të tensioneve dhe ngriti shqetësime për stabilitetin në rajon nga ana e partnerëve ndërkombëtarë.

Korrik 2022: Rregullorja e re e Qeveris s Kosovës që kërkonte dokumente dhe targa të veturave në formë legale edhe në veri të Kosovës shkaktoi tensione të mëdha. Vuçiqi e urdhëroi përsëri ushtrinë serbe të jetë në gatishmëri të lartë, ndërsa Serbia dislokoi trupat ushtarake pranë kufirit. Konflikti i mundshëm u shmang për shkak të përpjekjeve ndërkombëtare për të menaxhuar situatën, veçanërisht nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara.

Dhjetor 2022: Pas arrestimit të një ish-oficeri të policisë serbe të Kosovës, serbët lokalë rivendosën barrikadat në veri të Kosovës. Vuçiqi e ngriti nivelin e gatishmërisë luftarake të ushtrisë serbe dhe dërgoi trupa shtesë dhe automjete të blinduara në zonën kufitare. Ky veprim ishte një nga veprimet më serioze të kërcënimit ushtarak që ka ndërmarrë Serbia në këtë periudhë.

Maj 2023: Pas tensioneve të rritura gjatë zgjedhjeve lokale, përplasjet mes serbëve lokalë dhe forcave të sigurisë të Kosovës u intensifikuan. Vuçiqi e urdhëroi përsëri gatishmërinë e lartë ushtarake dhe dislokoi trupat dhe automjetet e blinduara më afër kufirit. Në këtë periudhë, KFOR-i u angazhua për të deeskaluar situatën dhe për të mbajtur stabilitetin në rajon.

Qershor 2023: Protestat e dhunshme ndaj forcave të sigurisë dhe KFOR-it në veri të Kosovës e sollën sërish një rritje të gatishmërisë ushtarake nga ana e Vuçiqit. Përdorimi i kërcënimeve të hapura dhe mobilizimi ushtarak kishte për qëllim të tregonte gatishmërinë e Serbisë për të ndërhyrë në rast të ndonjë përshkallëzimi të mëtejshëm të situatës.

Shtator 2023: Një grup i organizuar terrorist, i mirëpërgatitur dhe armatosur, i udhëhequr nga Milan Radojiçiqi, kreu një sulm në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit, me qëllimin e qartë për të nxitur një përshkallëzim të situatës drejt konflikteve të armatosura. Ky akt terrorist, që përfshinte individë të trajnuar profesionalisht dhe të infiltruar nga Serbia, kishte për qëllim krijimin e një atmosfere destabilizuese në Kosovë. Grupit i ishin dhënë udhëzime të qarta nga autoritetet serbe për të provokuar tensione, duke synuar secesionin e veriut të Kosovës dhe minimin e stabilitetit të përgjithshëm të rajonit.

Strategjia e “shtytjes dhe tërheqjes” e Serbisë nën Vuçiqin reflekton dinamika të ndërlikuara të gjeopolitikës bashkëkohore në Ballkanin Perëndimor. Ndërkohë që lejon një shkallë të fleksibilitetit në navigimin e marrëdhënieve me Kosovën, BE-në dhe fuqitë e tjera globale, ajo gjithashtu paraqet sfida të rëndësishme në lidhje me besimin, stabilitetin rajonal dhe ligjin ndërkombëtar. Ndërsa Serbia vazhdon të balancojë këto interesa të kundërta, dhe perëndimi vazhdon të luajë lojën e paqëtimit (appeasment) me Serbinë, gjendja në Ballkanin Perëndimor do të mbetet gjithmonë një pikë nevralgjike dhe e lehtë për ndikim nga forcat ruse nëpërmjet luftës hibride.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat