Ka nisur fushata e mashtrimeve: LDK premton rritje të koficientit 150, AAK premton pagë 1000 euro

Opinione

Ka nisur fushata e mashtrimeve: LDK premton rritje të koficientit 150, AAK premton pagë 1000 euro

Nga: Faton Mehmeti Më: 18 shtator 2024 Në ora: 16:06
Autori Faton Mehmeti

Me afrimin e zgjedhjeve kanë filluar edhe premtimet elektorale për të tërhequr sa më shumë votues. Këto premtime kryesisht lidhen me mirëqenien e qytetarëve, pavarësisht se shumica janë vetëm premtime elektorale e jo zbatim praktik. Si kryepremtim deri tani është rritja e pagave, me fjalën "koficient" si më e përmendura. Në njërën anë, LDK premton rritje të koficientit në 150 nga 110 sa është aktualisht, ndërsa AAK me premtimin e njëjtë si para dhjetë vitesh premton pagë neto 1000 euro.

Zakonisht, ata që premtojnë shumë realizojnë pak, aq më tepër ata që kanë qenë në pushtet dhe i kemi provuar. Premtime të vdekura janë për rritjen e pagave, veçanërisht për ata që kanë pasur mundësi dhe nuk i kanë realizuar premtimet e tilla. Loja me ndjenjat e qytetarëve për vota është amorale, duke shpërfaqur fytyrën e vërtetë të atyre që me mashtrime, duke prekur ndjenjat e tyre, tentojnë të vijnë në pushtet.

Është e vërtetë se pagat janë të ulëta krahasuar me çmimet e larta, si dhe ka nevojë që këto paga të rriten. Mirëpo, kjo ndodh me zhvillim ekonomik si dhe me kursim të parasë publike. Është e vështirë të rriten pagat për ata që janë mësuar me jetë të shtrenjtë, si ata që emërojnë 82 zv.ministra.

Qeveria aktuale duhet të rritë pagat që nga 1 janari 2025, me buxhetin e ri. Kjo është në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit, por gjithashtu për nevojat e qytetarëve për të përballuar çmimet e larta. Derisa ata që ishin në pushtet e nuk rritën pagat, askush nuk i beson dhe për rrjedhojë qytetarët nuk mashtrohen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat