Në shkrimin tim me titull; “Mos e hapni urën e Ibrit në Mitrovicën e ndarë, pa koordinim me SHBA-të dhe vendet tjera të QUINT-it”, i botuar me 3 gusht 2024 në webfaqen e Bota sot, ndër të tjera, kam sugjeruar që qeveria e Kosovës mos ta hapë urën mbi Ibër pa koordinim paraprak me SHBA-të dhe vendet tjera të QUNIT-it, sepse ura mbi lumin Ibër që ndan qytetin e Mitrovicës në dy pjesë që nga hyrja e forcave ushtarake të KFOR-it francez në veri të Kosovës me 12 qershor 1999, ka qenë vija ndarëse mes shqiptarëve me orientim pro-amerikan, dhe serbëve me orientim pro-rus, dhe pikërisht kjo ndarje do të ndodhë sipas skenarit sekret serbo-francez, dhe i cili qe 25 vite është duke u zbatuar në praktikë, me qëllim krejtësisht anti-amerikan dhe antishqiptar në Ballkan.
Dhe, për këtë hile të francezëve dhe lojës hegjemoniste serbe në Ballkan kanë shkruar me qindra herë mediat shqiptare në Kosovë, se ndarja e qytetit të Mitrovicës është një skenar djallëzor, i cili për qëllim ka pasur dhe vazhdon të ketë, së pari, rrënimin e angazhimit amerikan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga Serbia fashiste, dhe së dyti, bashkëngjitjen e veriut pas disa viteve Serbisë, si kompensim dhe kërkim faljeje për bombardimet që Aleanca veri-atlantike i ka bërë ndaj saj në vitin 1999.
Dhe, siç e dimë ky skenar ka i ndryshuar format dhe taktikën nga viti në vit, duke marrë herë kontura të një dialogu sa për sy e faqe, herë duke shkaktuar në veri tensione dhe kriza të vazhdueshme, me qëllim të de-funksionalizimit të plotë të shtetit, të sapo lindur të Kosovës, madje duke e futur Kosovën në grackë politike, sidomos me nënshkrimin e marrëveshjes në Bruksel në vitin 2013 për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, si mollë sherri e cila qe 12 vite po qëndron si shpata e Demokleut mbi Kosovën. Ndërsa, më vonë do e fusin në lojë opsionin e ndarjes së Kosovës, gjegjësisht këmbimin e veriut të Kosovës me disa fshatra në rrethinën e Preshevës, që, posikur të realizohej ky skenar, Kosova do t’i humbte resurset e saja kryesore ekonomike siç është Trepça dhe Ujmani.
Pastaj, me sulmin terrorist vitin e kaluar në Banjskë, tentohet okupimi i veriut të Kosovës për të cilin akt Serbia nuk u ndëshkua fare nga BE-ja, dhe kështu me radhë, shantazh pas shantazhi, duke tentuar që ta paralizojnë plotësisht shtetin e pavarur të Kosovës..!?
Mirëpo, gjatë gjithë kësaj periudhe, nëse iu kujtohet, qëndrimi amerikan ka qenë gjithnjë i pandryshueshëm karshi çështjes së veriut dhe pavarësisë së Kosovës, krahasuar me qëndrimin e Francës, Italisë, Spanjës, Sllovakisë, etj., hiç këtu lojën sekrete të Beogradit me z. R. Grenell, i cili i kishte gëlltitur rrenat dhe trillimet e zyrtarëve të Beogradit për Kosovën si tokë serbe, e që falë rolit të Gjermanisë, Angela Merkel, nuk do realizohet skenari i ndarjes së Kosovës, e cila, Gjermania, ishte në sinkron të plotë me SHBA-të, për mos-ndryshimin e kufijve të Kosovës.
Kështu që, duke i ditur dhe pasur të qarta këto rrjedha, gjegjësisht tradhtinë franceze ndaj aleatëve brenda NATO-s dhe BE-së, e cila vazhdimisht ka punuar në favor të interesave të Serbisë, përkatësisht duke marrë parasysh mospajtimin amerikan dhe gjerman, por edhe anglez për mos-ndarje të Kosovës, qëndrim të cilin SHBA-të kurrë nuk e kanë ndryshuar, etj., udhëheqësit e Kosovës është dashur patjetër, që “konfliktin” e heshtur mes aleatëve lidhur me pavarësinë e Kosovës dhe shtet-bërjen e saj ta kuptojnë me kohë, e jo t’i kundërvihen politikës amerikane në Ballkan, duke mos u koordinuar fare me miqtë tanë amerikanë.
Po ashtu, duhet theksuar patjetër faktin, se pas agresionit të Rusisë në Ukrainë me 22 shkurt 2022, në Ballkanin perëndimorë, gjegjësisht qëndrimi i perëndimorëve ndaj Serbisë ka ndryshuar dukshëm në të mirë të saj, meqë Evropa po hynte në një cikël të mos-sigurisë globale për shkak të luftës në Ukrainë, e që pa dyshim, kjo luftë pati ndikim edhe në Ballkanin perëndimor, duke i detyruar fuqitë e mëdha që ta ndryshojnë politikën e tyre ndaj Serbisë, siç po e shohim këtë përkëdhelje ndaj saj në dy muajt e fundit, me vizitën e kancelarit gjerman në Beograd dhe marrëveshjet ekonomike të nënshkruara për shfrytëzimin e litiumit, pastaj vizita e presidentit francez, M. Macron në Beograd dhe shitja e 12 aeroplanëve “Rafall” Serbisë, etj. Pra, e gjithë kjo përkdhelje ndaj Serbisë ka ndodhur për shkak se regjimi fashist i Serbisë vazhdon t’i shet fshehtazi armë Ukrainës, siç ka strehuar edhe refugjatë lufte nga Ukraina, etj., duke e luajtur lojën e dyfytyrësisë serbe në llogari të interesave të saja shtetërore, dhe, ku të njëjtën gjë është duke e bërë edhe me Izraelin, të cilit ka kohë që po i shet armë për të vrarë palestinezë.
Prandaj, duke i ditur këto rrjedha si dhe shumë plane tjera të panjohura të fuqive të mëdha në Ballkan dhe më gjerë në Evropë, në veçanti, duke mos e pasur të njohur deri në fund strategjinë amerikane kundrejt Rusisë dhe përfundimit të luftës në Ukrainë, por edhe strategjinë amerikane ndaj të ardhmes së Ballkanit perëndimor, përfshirë këtu edhe Serbinë, nuk është dashur që në veri të Kosovës të ndërmerren aktivitete pa u koordinuar paraprakisht me amerikanët, por edhe me gjermanët dhe anglezët, duke qenë të vetëdijshëm se faktori kryesor vendimmarrës për fatin e popujve të vegjël, siç jemi ne shqiptarët, jo vetëm në Ballkanin perëndimorë, por edhe në botë, kanë qenë dhe ende janë fuqitë e mëdha botërore në krye me SHBA-të.