Çfarë po përgatit Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës?!

Opinione

Çfarë po përgatit Aleksandër Vuçiq kundër Kosovës?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 19 shtator 2024 Në ora: 21:27
Aleksandër Vuçiq

Duket se presidenti i Serbisë është aktiv në përpjekjet e tij të vazhdueshme kundër Republikës së Kosovës. Sot ai e ka akuzuar lidershipin e saj se ndjek një ideologji anarkiste-marksiste-enverhoxhiste. Sipas Vuçiq “Ata kurrë nuk kanë dashur dialog, kurrë s’i kemi shtrënguar duart. Qëllimi i tyre i parë dhe themelor është dëbimi dhe shkatërrimi i serbëve në Kosovë”. Ndërsa para pak ditësh Vuçiq shpalosi një plan prej shtatë pikash e kërkesash për veriun e Kosovës. Midis kërkesave të tij është jo vetëm rikthimi në institucione i përfaqësuesve serbë të veriut, të cilët i bojkotuan ato, por edhe që të tërhiqet policia e Kosovës nga veriu, krijimi i asociacionit etj. Madje për këto Vuçiq ka paralajmëruar hartimin e një ligji në Beograd, me të cilin ai thotë se do ta drejtojë dhe menaxhojë jetën e serbëve në Kosovë.

Nga sa përshkruam më lart, shohim dy elementë: E para është krijimi i alibive, si ajo e krahasimit me ideologjinë marksiste e hoxhiste dhe e dyta lidhet me faktin se Beogradi nuk heq dorë nga sovraniteti i tij në Kosovë, sidomos në veri të saj. Vuçiq, ashtu si edhe në kohën kur ishte ministër i propagandës së Milosheviçit, aplikon mjeshtërinë e tij për të kanalizuar veprimet destruktive përmes akuzave ideologjike. Ai “ka harruar” se në krah të kasapit të Ballkanit i ka shkaktuar tragjedi të mëdha popujve jo-serbë, sidomos shqiptarëve dhe boshnjakëve. E megjithatë guxon e akuzon lidershipin e Kosovës, megjithëse ky lidership i sotëm nuk ka asnjë lidhje as me krime e akte terroriste, as me luftëra e konflikte në rajon.

Duke qenë se diskursi i presidentit të Serbisë vjen e ashpërsohet vazhdimisht, atëherë duhet besuar se ai po përgatit diçka tjetër anti-Kosovë. incidentet e shtuara në veri të vendit e dëshmojnë faktin se në Beograd është hartuar një skenar për kohët e ardhshme të shpejta se çfarë tentohet të ndodhë në Kosovë. Çfarë mund të ketë në këta skenarë? Aleksandër Vuçiq do të përpiqet që sa më shpejt, para shkurtit 2025, të rikthehen në strukturat e policisë së Kosovës të gjithë policët e larguar prej saj, me qëllim që t’i përdorë ata për presion ndaj votuesve me qëllim fitoren sërishmi të Listës Srpska në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025. Kërkon të rikthejë gjithashtu bandat kriminale të Radoiçiq e Veselinoviç, me qëllime përdorimi të presionit politik dhe fizik kundër serbëve që duan të jetojnë në paqe në Kosovë.

Nga sa shihet Serbia ka për qëllim që ta zgjasë palimite situatën e statukuosë në favor të saj në komunat e veriut të Kosovës, gjithnjë në pritje të “fitores” së Rusisë në Ukrainë dhe më pas kryerjen e aksioneve blic për aneksim, si akti terrorist i Banjskës. Frika e Vuçiq lidhet më së shumti me zhgënjimin e serbëve në Kosovë, sidomos në veri, me politikat e tij de stabilizuese dhe refuzimi prej tyre i këtij destabilizimi. Ndaj dhe punon fort e ne emergjencë për të rikthyer elementët e njerëzit e tij në policinë e Kosovës, si dhe në ato që ai i quan organe të drejtësisë në veri. Për rikthimin gjithashtu të krimit të organizuar, si garanci edhe për destabilizim.

Nëse Vuçiq arrin të rikthejë njerëzit e tij të besueshëm në institucione, në polici dhe njëkohësisht prokurori dhe gjyqësi në veri të vendit, si dhe bandat kriminale, ai do të garantojë përsëritjen e skenarëve të Banjskës, duke besuar se nuk do të dështojë më. Ndaj dhe ka kërkuar largimin e policisë së Kosovës. Ndërkohë kërkon mbajtjen mbyllur të Urës së Ibrit. Jo si mekanizëm që i jep ndonjë përparësi në strategjinë e tij të destabilizimit të Kosovës. Por si test për të matur muskujt e tij me qeverinë dhe institucionet e saj. Nëse ura e Ibrit nuk hapet, presidenti serb shpreson se krijon epërsi politike dhe e përdor këtë si presion psikologjik te institucionet e Kosovës. Prandaj dhe duhet bërë çdo gjë që është e mundur që kjo urë të hapet me të gjitha atributet që kanë të gjitha urat në botë.

Dhe së fundmi, Aleksandër Vuçiq përpiqet të fajësojë palën e Kosovës për “bllokimin e bisedimeve” midis dy vendeve. Megjithëse gjithkush e di se është pala serbe ajo që i ka bllokuar këto bisedime. Ai thotë se “nuk i japim dorën njëri-tjetrit”, duke fajësuar për këtë Albin Kurtin. Por harron se është Serbia ajo që duhet të kërkojë ndjesë për genocidin e saj kundër shqiptarëve, e më pas të ndodhë pajtimi midis palëve në konflikt e në dialog. Megjithatë, përpiqet të krijojë alibinë e “sjelljes jo civile” të Kurtit, kur vetë kërcënon vazhdimisht shtetin e Kosovës me agresion ushtarak e madje masa ligjore kundër qytetarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat