Që nga viti 1991, dhe qysh nga koha pas pavarësisë së Republikës së Maqedonisë nga ish Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë, deri para ca muajve, jo vetëm këtu në vendin tonë, por edhe në rajon, ka funksionuar një model specifik dhe absurde i demokracisë, i njohur si Diktat-Demokracia. Ky model, siç thashë, ka funksionuar vetëm te ne dhe në shtetet e rajonit, dhe askund tjetër. Kështu, ish-elitat politike të tyre gjatë kohës e kanë përfillur demokracinë vetëm formalisht e jo realisht. Të njëjtat kanë bërë një përzierje të pakuptimtë dhe të çuditshme të demokracisë me diktaturën, gjë që nuk duhej ta bënin, sepse ato nuk shkojnë bashkë. Këto janë dy fenomene të skajshme që nuk janë të përputhshme dhe nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.
Kjo është e ngjashme sikurse ti përziesh ujin me benzinën. Diktatura dhe demokracia janë dy gjëra që nuk është dashur të bëhen bashkë asesi, sepse këto nuk e ndihmojnë, por e pengojnë njëra-tjetrën. Në këtë aspekt, më shumë diktatura i bën dëm dhe e pengon demokracinë sesa demokracia diktaturën.
Demokracia ka lindur si protestë dhe kundërpërgjigje ndaj diktaturës, apo ndaj tentimeve të saj për kufizimin e lirisë dhe të barazisë së individëve, ndërsa diktatura është zbatuar dhe zhvilluar si tentim për t'i pamundësuar, për t'i kufizuar, apo edhe për t'i eliminuar këto dyja, të cilat janë shtylla kryesore të demokracisë. Diktat-demokracia ishte një tentim që demokracia, si formë më e butë dhe më e pranueshme e qeverisjes, të zbatohej me mënyra, metoda dhe veprime të vrazhda, siç janë diktati, imponimi, shantazhi, kërcënimi, apo më saktë, dhuna.
Dhe tërë këto, ish-politikanët janë munduar t’i interpretojnë si gatishmëri e tyre për ta zbatuar demokracinë e vërtetë apo autentike. Më tej, politikanët e mëparshëm demokracinë e kanë praktikuar dhe e kanë zbatuar pa e respektuar vullnetin, nevojat, kërkesat dhe dëshirat e qytetarëve. Në këtë model demokracie, qytetarët kanë qenë të menjanuar nga vendimmarrja dhe nga procesi i pjesëmarrjes faktike në politikë, edhe pse politikanët, në tentim për të pasur simpatinë e tyre, apo në përpjekje që të fitojnë mandate në politikë, por edhe me qëllim që të sigurojnë legjitimitet nga qytetarët, kanë thënë se për ta, këta të fundit janë faktorë shumë të rëndësishëm, jo vetëm shoqëror, por edhe politik, apo më saktë, shtetëror.
Pra, ata që merreshin me politikë, tërë kohën në opinion, i kanë përmendur qytetarët, por në fakt këta të njëjtit i kanë përmendur vetëm formalisht, ndërsa në praktikë, politikanët jo shumë shpesh, por rregullisht, i kanë injoruar. Siç pohova më sipër, këta nuk kanë rreshtur duke folur për qytetarët, se ata janë shumë të rëndësishëm në politikë dhe se për ta këta bëjnë shumë punë dhe veprime që janë në të mirën dhe në interesin e tyre.
Por kjo, ripërsëris, fatkeqësisht nuk ka qenë e vërtetë, sepse realiteti e thotë të kundërtën. Në fakt, në modelin e demokracisë për të cilin po shkruaj në këtë shkrim, fjalën kryesore dhe të fundit për çdo gjë e kishin politikanët, ndërsa qytetarët ishin të obliguar vetëm të dëgjonin, pa të drejtë që edhe këta ta thonë mendimin e tyre, apo t'i paraqesin sugjerimet, pikëpamjet dhe idetë e tyre për shumë çështje të rëndësishme politike në opinion. Te ish-politikanët ka ekzistuar bindja se qytetarët duhet të nënshtrohen, të kufizohen dhe të sundohen, me qëllim që vet ata, si politikanë, më lehtë të mund ta imponojnë vullnetin e tyre politik në shtet dhe në shoqëri. E sundimi është i huaj dhe i papërshtatshëm për demokracinë, dhe i njëjti është në kundërshtim me praktikat dhe parimet e saj, por ky është në përputhje me parimet e diktaturës, ashtu siç e kanë bërë edhe kombinimin e saj me demokracinë vetë ish-politikanët demokrat-diktatorë.