“Shteti bektashi” i Ramës, dy “gogolë islamikë” prej Tiranës...!

Opinione

“Shteti bektashi” i Ramës, dy “gogolë islamikë” prej Tiranës...!

Nga: Xhevat Mustafa Më: 23 shtator 2024 Në ora: 09:45
Xhevat Mustafa

Sajesa e re e kryeministrit Edi Rama në intervistën e tij në gazetën amerikane "New York Times" për krijimin e një "Vatikani apo shteti bektashi" në mes të Tiranës është shprehje apo një dëshmi e re se një "i çmendur" publik, pranuar disa herë edhe me dorën dhe gojën e vet, ka gjet në këtë vend shumë të tjerë e të tjera si vetja apo ka gjetur shesh!? Prandaj ka 11 vjet që bën përshesh..., natyrisht jo për shumicën e shqiptarëve, por për "vëllezërit e Enverit" dhe miqtë e tij rreth nesh, afër fare e larg shumë...!?

Shpresoj që bektashinjtë shqiptarë, me figura të ndritura kombëtare, një nga të cilët poeti Naim Frashëri, që ndjehen SHQIPTARË e besimtarë bektashinj, edhe më shumë se sa Edi Rama e Baba Mondi, të mos e pranojnë këtë “marri”! Edhe që të kuptojnë se kjo ide e dyshes EdMondi është pjellë jo krejt prej trurit të një “të çmenduri”, siç shprehet edhe vetë në intervistë, por një skenar politik dhe “largpamës” i rradhës të Edi Ramës! Edhe pse të kujton ato "të ëmës së Zeqos në majë të thanës", fabrikimi i shtetit bektashian në mes të Tiranës, në këtë periudhë kohore tejet të vështirë e të mjegullt për Shqipërinë, Kosovën, Kombin.., lipset të shqetësojë shumicën e SHQIPTARËVE, nënkuptueshëm edhe ata të krishterë, ortodoksë e katolikë! Kompleksi që kanë bektashinjtë në Tiranë është i bollshëm dhe i denjë për ata si ambient e për nga favorizimet dhe kompetencat...! Por, edhe të marrin me mend se pas jetësimit të “kopilit” nga Edi Rama dhe Baba Mondi, edhe katolikëve, ortodoksëve, myslimanëve, arumunëve, goranëve, serbëve, maqedonasve, malazezëve, boshnjakëve...mund t'u lindë dëshira të kenë edhe ata shtetet e tyre në mikro- shtetin shqiptar, që është afro 11 herë më i vogël se ai i Italisë, me 302.073 km katrorë apo rreth 19 herë më i vogël se ai i Francës me 551.695 km katrorë!?

Këtyre treguesve gjeografikë mund t’u shtojmë edhe një shifër tjetër. Numri i katolikëve në botë më 2021 ishte 1 miliard e 378 milionë. Por, duke evidentuar edhe faktin se shumica e katolikëve, para Vatikanit, vlerësojnë dhe nderojnë si shtete të tyre, ata kombëtare, ku kanë lindur, jetojnë e punojnë! Edhe shumica e bektashinjve shqiptarë, në festat e tyre vjetore në malin e Tomorit kanë deklaruar me fjalë e këngë zemre se “Shqipëria dhe bektashizmi janë një e të pandara!” Për të krijuar bindje më të fortë e të saktë se “shteti bektashian në Tiranë” është një nga “kryeveprat” e Edi Ramës në artin e demagogjisë, mashtrimit, antishqiptarisë..., ndihmojnë edhe këto shifra, pa përjashtuar edhe fryrjen e tyre, sidomos në funksion të idesë së tij të porsa bërë publike.

Bektashinjtë përbëjnë rreth 20% të popullsisë myslimane të Shqipërisë dhe 2,5% të popullsisë së vendit, nënkuptueshëm se një shifër e lartë janë myslimanë nga emrat dhe mbiemrat, pinë raki e verë edhe për Natën e Kadrit dhe Ramazan si dhe festojnë edhe Pashkë e Krishtlindje, një prej të cilëve jam edhe unë, autori i këtij shkrimi. Pra, mbështetja tek modeli i Vatikanit dhe justifikimi i kësaj ideje të EdMondit tek paralelizmi me Vatikanin nuk kanë asnjë bazë të logjikshme e të justifikueshme. Në mënyrë figurative, kjo mund të quhet edhe një “kështjelle prej rëre ose prej letrash...”

Është e pamundur që kjo aventurë apo ky copëtim i ri i Shqipërisë të mos të të kujtojë dhe lidhet me copat e tjera të falura sipas kokës, tekave dhe vendimeve të kryeministrit Edi Rama! Edhe që të mos na përforcojë bindjen se ai prej më shumë se 10 vitesh po bën biznese e “bamirësi” me copa dhe interesat kombëtare të Shqipërisë sikur të ishin pronat e trashëguara nga gjyshi, babai, nëna...!? Fjala është për "shitjen" apo dhurimin e Sazanit Jared Kushnerit, dhëndër i Trump dhe bizmesmen amerikan; të Gjadrit kryeministres italiane Meloni e në perspektivë edhe shteteve të tjera...! Padyshim, kjo ide jo origjinale e tij, është një marrëzi e re e një kryeministri të papërgjegjshëm, që për kolltukun e xhepat e vet copëton dhe sakrifikon Shqipërinë!?

Sipas meje, skenari i Edi Ramës i kapërcen interesat elektorale për të rrëmbyer me këtë akt antishqiptar votat e bektashinjve në Shqipëri e në diasporë, sidomos në SHBA.... Pra, nuk synon të cenojë individualisht si politikanë dhe liderë partiakë as Ilir Metën dhe Sali Berishën! Mbi të gjitha ky skenar i përshpejtuar dhe i publikuar në kohë kritike për Kombin Shqiptar cenon drejtpërdrejtë e jo lehtë interesat e Shqipërisë, edhe nga një këndvështrim tjetër. Duke krijuar brenda saj një shtet islamik e tremb botën, sidomos atë të krishterë në Evropë si dhe shumicën e politikanëve dhe të drejtuesve të Bashkimit Evropian, me dy "gogolë islamikë" shqiptarë! Nënkuptueshëm, kjo mund të kishte shpejt a vonë si rrjedhojë shtyrjen për në “kalendat greke apo serbe” të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë union të fuqishëm politiko-ekonomik evropian dhe lumturimin e Aleksandar Vuçiçit me shokë e shoqe në Beograd, të Kyriakos Mitsotakisit në Athinë, të Vladimir Putinit në Moskë...

Natyrshëm mund të shtrohen pyetjet: more ky Edi Rama është kryeministër i zgjedhur dhe i shkarkueshëm me vota apo faraon, perandor, sulltan, mbret, car, krajl...?! Atë e “e rrëzojnë nga kali” apo nga froni i plotpushtetshëm vetëm vetëm “rrufetë” apo “shigjetat” nga ZOTI në qiell apo shumica e atyre që e kanë zgjedhur për tri herë a mandate, me protesta popullore?! Nënkuptueshëm, pasi të binden se ka ardhur koha që të heqin dorë nga vegjetimi gjatë shumicës së orëve të ditës nëpër kafene?! Ose, duke u ngrohur dhe nxirë nën diell, mbi rërën e plazheve; mbledhur tufa-tufa nëpër stola lulishtesh e nën hije drurësh, duke luajtur tavëll e domino?! Apo para televizorëve për emisionet e lajmeve, duke pritur që t’u hedhë Edi Rama, nga kabineti kryeministror a Surreli, ndonjë “kofshë pule a gjeli”...?! Është vërtetë shqiptar apo globalist, që për hirë të së mirës rajonale, evropiane, botërore sakrifikon copa Shqipërie, sikur të ishin parcela rëre për plazhe të rinj në Adriatik e Jon, për ndërtim kullash, për inceneratorë që u djegin buxhetit të shtetit si dhe xhepave dhe kuletave të shumicës së shqiptarëve më shumë miliona euro se sa plehra...? A është vërtetë shqiptare apo internacionaliste, gjallë apo "e varrosur për së gjalli", Partia Socialiste, që prej 19 vitesh e ka lejuar Edi Ramën të bëjë ç' ti teket me kokën e vet “enigmatike” dhe problematike? Për më tepër e më keq, që “çojnë ujë” më shumë në mullinjtë e Beogradit, Athinës, Moskës...se sa të Tiranës dhe të Prishtinës!? Po Shqipëria a mos është shndërruar në këta mbi 11 vjet të "epokës Edi Rama-Xhorxh e Aleks Soros" e “nën hundën” e aleatëve të mëdhenj, të mesëm apo të vegjël ndërkombëtarë një "varrezë për të gjallë" apo "një çmendinë për të mençur"???!!!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat