A po vjen koha që perëndimi ta planifikojë të ardhmen e Serbisë, pa Vuçiqin?

Opinione

A po vjen koha që perëndimi ta planifikojë të ardhmen e Serbisë, pa Vuçiqin?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 23 shtator 2024 Në ora: 16:35
Autori Sherif Ramabaja

Me shpërthimin e agresionit rus ndaj Ukrainës u shfaqën ndryshime edhe në çështjet gjeostrategjike botërore, që sidomos Kosova po vuan nga kjo paqartësi dhe pa siguri globale.

Të gjitha këto rrethana kanë ndikuar në frustrimin e përgjithshëm te shqiptarët e Kosovës, në Kosovën Lindore, në Maqedoni e Mal të Zi, me përjashtim më të vogël në Shqipëri, pasi atje ballafaqohen tërësisht me probleme të tjera, megjithatë i prek të gjithë shqiptarët kudo qofshin.

Gjatë gjithë kësaj kohe Kosova nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, po edhe nga perëndimi, po ballafaqohet me presion të paparë për të bërë lëshime të dhimbshme, që do ta rrezikonin edhe sigurinë nacionale të shtetit.

Po ashtu në këto dy dekada Kosova po i nënshtrohet edhe një sulmi brutal dhe intensiv nga ana e strukturave shtetërore të Serbisë, e tash sidomos pamëshirshëm po atakohet nga presidenti aktual Vuçiqi, i cili serbët e Kosovës i përdor duke i manipuluar për qëllime të veta, sidomos ata të veriut.

Të gjitha këto që po ndodhin rreth Kosovës, sidomos nga perëndimi dhe opozita po fajësohet kryeministri Albin Kurti. Nga perëndimi se po vepron kokë më vete, pa u koordinuar me ta, kurse nga opozita: me veprimet e veta Kurti e ka izoluar Kosovën, duke i injoruar dhe larguar edhe miqtë prej nesh. Albin Kurti me veprimet e tij ka bërë që Vuçiqi, që ta merr edhe rolin e viktimës etj.

Kuptohet që këto janë akuza tejet të rënda si nga perëndimi, po ashtu edhe nga opozita. Shtrohet pyetja nëse kryeministri Kurti ka zgjedhur rrugët dhe mundësitë më të favorshme, me sa më pak dhimbje, ta zbatonte programin e tij qeveritar.

Po të analizohet puna 20 vjeçare e opozitës, ka zëra që thonë se, atë që opozita nuk e e ka arritur në këto 20 vite, Kurti e ka bërë realitet brenda dy vitesh. Fjala është për Veriun e Kosovës. Por sa i përket perëndimit, po ashtu ka një pakënaqësi të konsiderueshme, duke menduar se po t´i presim ata, do të na shkonin huq edhe 20 vite të tjera.

E vërtetë është se perëndimi ec me fanar dhe nuk ngutet, kurse po dështoi gjithnjë arsyetimin e kanë të gatshëm, ose rrëfejnë se si do të duhej të vepronin: siç deklaroi këto ditë sekretari i NATOS zoti Stoltenberg: Ukrainën do të duhej që nga fillimi ta ndihmonim, ( si duket fjala ishte për Krimenë dhe Donbasin). Megjithatë realitetin duhet pranuar se një hap, nuk mund ta bëjmë pa përkrahjen e perëndimit, e sidomos të SHBA - ve.

Në anën tjetër trysnia ndaj Kosovës mund të lidhet edhe me mënyrën, se si do të përfundoi konflikti Ukrainë - Rusi.

Po humbi Ukraina do të ishte shumë vështirë edhe për Kosovën, sepse përkrahja ndaj Serbisë nga Rusia, do të rritej edhe më shumë se çështë tani. Por po e fitoi luftën Ukraina, do të dorëzohej edhe Serbia.

Po të ishte perëndimi i vendosur që ta ndihmoi pa rezerva Ukrainën dhe t´i lejohej përdorimi i raketave me rreze të mesme veprimi, gjasat e fitores së Ukrainës do të shtoheshin dukshëm.

Në një rast të tillë do të duhej që perëndimi ta planifikonte të ardhmen e Rusisë dhe Serbisë pa Putinin dhe Vuçiqin.

Sa i përket fatit të Albin Kurtit, se si janë kuptuar mesazhet e tij, do të varet në zgjedhjet e planifikuara: kishte të drejtë me veprimet e tij, apo ndodhej tërësisht jashtë lojës?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat