Humbja e pushtetit ia ka humbur edhe torruan Edita Tahirit; marrëzirat e saj nuk kanë fund. Kërkesat e saj për dorëheqje të Kurtit dhe Osmanit janë qesharake, aq edhe të mjerueshme. Të biesh në nivel me militanët e opozitës nuk i bën nder. Ish-kryenegociatorja e Kosovës në dialogun me Serbinë vazhdon të kritikojë qeverinë për bisedimet me Serbinë, sidomos për veriun. Ironi është se Edita Tahiri beson se sovraniteti që është arritur në kohën kur ishte kryenegociatore nuk ekziston më. Duket se humbja e pushtetit e ka lënë me pasoja në shikimin e realitetit, duke e kthyer atë në një ish-kryenegociatore që mbetet me publikime në statuse në rrjetet sociale.
E kuptueshme është halli i saj, por e pabesueshme është çfarë llumi ka duruar kjo shoqëri për njëzet vjet. Veriu, si kurrë më parë, është i çliruar nga bandat terroriste; nëse do të ishin ende në pushtet ata që ishin, Radoiçiqi do të ishte ende në vilën e tij në veri, si bossi kryesor atje.
Krejt bota e di se sovranitet në veri s’ka pasur, e tani ka, por verbëria e ka shndërruar Edita Tahirin në miope. Thua se kur ajo ishte në qeveri, sovraniteti në veri ishte i plotë dhe se me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, sovraniteti u tkurr deri në masën sa bandat të kontrollonin veriun e vendit. Përkundër këtij fakti, ish-kryenegociatorja gënjen se gjoja “në qeveritë e kaluara e shtrimë sovranitetin në veri, vendosëm policinë shtetërore në veri dhe kufirin verior, vendosëm institucionet e drejtësisë dhe të tjera, ndërsa i shuam strukturat paralele serbe.” Këto struktura ishin jo vetëm në veri, por në kohën kur Edita ishte pjesë e asaj qeverie, Radoiçiqi rrinte në zyrën e kryeministrit, duke qenë edhe kreator i koalicionit.
Qytetarët e dinë shumë mirë se kush duhet të rrijë në opozitë e kush në qeveri; Edita është simbol i dështimit të Kosovës në Bruksel. Qytetarët e dërguan në opozitë si formë ndëshkimi. Mungesa e pushtetit, privilegjeve dhe të mirave të tjera duket se i mungon Editës. E kuptoj hallin e saj, por qytetarët kanë zgjedhur t’i mbështesin ata që punojnë për shtet e jo për pushtet.