Akti terrorist i Banjskës, lidhjet e tij me Beogradin dhe kthesa historike për Kosovën!

Opinione

Akti terrorist i Banjskës, lidhjet e tij me Beogradin dhe kthesa historike për Kosovën!

Enver Bytyçi Nga Enver Bytyçi Më 24 shtator 2024 Në ora: 22:36
Banjskë

Kaloi një vit. Më 24 shtator të vitit të kaluar ndodhi ngjarja më e rëndë në historinë e pasluftës në Kosovë. Një grup shumë i madh terroristësh serbë, mëse 100 sosh, mëngjesin e hershëm të 24 shtatorit 2023, dmth para një viti, sulmoi policinë e Kosovës dhe u përpoq për vrasjen dhe asgjësimin e atyre që po kujdeseshin për rendin, rregullin dhe qetësinë e banorëve të veriut. Ata vranë oficerin e policisë, Afrim Bonjaku dhe plagosën një tjetër polic shqiptar. Armatimi që u zbulua ato ditë në kishën ortodokse të Banjskës ishte në vlerën e 5-6 milion eurove. Pra një arsenal armësh moderne për më shumë se një batalion terroristësh dhe agresorësh.

Një vit më vonë gjithkush është i vetëdijshëm se ai sulm terrorist kishte për qëllim pushtimin e territorit të katër komunave të veriut të Kosovës. Ky ishte Plani A. Nëse do të dështonte aneksimi, do vihej në zbatim Plani B. Plani B pati si pikësynim që forcat policore e të sigurisë së Kosovës të bënin një masakër në kishën e Banjskës. Në këtë rast Kosova do të denoncohej nga ana e Beogradit për “terrorizëm”, madje për dhunë në „tempullin e shenjtë“dhe do të siguronte më shumë mbështetje për ndarjen e Kosovës!

Policia e Kosovës nuk ra në këtë kurth. Ajo zhvilloi një operacion model, profesional e proporcional me aktin e dhunës që terroristët ushtruan kundër saj. Kishin mundësi asgjësimin e të gjithë ose shumicës dërmuese të bandës terroriste të Beogradit, por nuk e përdorën as të drejtën, as ushtrimin e forcës joproporcionale dhe e dështuan Planin B të Aleksandër Vuçiq. Vuçiq u ndodh në befasi. Në befasi u kapën gjithashtu terroristët. Liderët politikë në Beograd nuk kishin llogaritur në këtë dështim spektakolar. Kreu i bandës 100 anëtarëshe të terrorit në Banjskë ishte një politikan, Milan Radoiçiq. Ai ishte nënkryetar i Partisë parlamentare në Kosovës, Lista Srbska. Ai organizoi gjithë operacionin terrorist. Por dështoi. Iku, ashtu me një këmbë të plagosur, shpatinave të Banjskës drejt territorit të Serbisë. La pas vilat, bizneset, restorantet, makinat luksoze. Gjithçka që ai kishte ëndërruar t’I shumëfishonte si shpërblim pas “anmeksimit të veriut nga ana e Serbisë”!

KFOR-i qëndroi indiferent. Nuk reagoi, Madje thuhet se ndërmjetësoi largimin e terroristëve nga vendi i ngjarjes në drejtim të Serbisë. Dhe mënyra si ata u larguan, la përshtypjen e një ndërmjetësimi të tillë. Për mire apo për keq, kjo ende nuk është provuar. Por është fakt se kreu i terrorizmit serb në Banjskë është ende i lirë në Serbi, madje bën biznes me shtetin e Serbisë, tashmë në emrin e ortakut të Radoiçiq, Vselinoviçin. Shkurt, ikja që u mundësua atë ditë ka fsheh shumë gjurmë krimesh dhe ka ndihëmuar që ideatori e frymëzuesi i atij akti, presidenti Vuçiq, të mund të mbijetojë edhe pas atij akti agresiv kundër integritetit territorial të shtetit të Kosovës.

Terrorizmi shtetëror serb në Banjskë ndodhi pas Marrëveshjes së Brukselit (shkurt 2023) dhe Aneksit të Ohrit (Mars 2023). Pra mbas angazhimit të Serbisë për njohjen de facto të shtetit të Kosovës dhe respektimit të integritetit territorial të saj. Kjo do të thoshte shumë. Akti terrorist ishte një mesazh i Serbisë edhe për Brukselin: - Ju mund të na impononi marrëveshje në letër të pafirmosur, por ne imponojmë ndryshimin e situates në terren! Ky meszh mbeti i munguar. Për shkak të veprimeve perfekte të policisë së Kosovës dhe të aktit heroik të Afrim Bunjakut. Për pasojë Serbia dështoi.

Sot, pas një viti, diplomatët perendimorë, përfshirë dhe zëdhënësin e BE-së, Stano, kërkuan sërishmi dënimin e autorëve të terrorizmit serb në Banjskë. Por nuk kërkuan ekstradimin e tyre në Kosovë, sipas kërkesës së INTERPOL-it, megjithëse për ta në Prishtinë është ngritur tashmë një akuzë e detajuar. Por akt-akuza, tha ministri Zveçla, nuk ka hetuar lidhjet e grupit terrorist me strukturat shtetërore të Serbisë. Pse duhet të ndodhte kjo, kur materialet e sekuestruara në vendngjarje dhe gjetkë e provojnë plotësisht këtë bashkëpunim? A mos gjyqësori i Kosovës është nën presionin e politikës, në këtë rast të ndërkombëtarëve?! Kujt i intereson të fshihen gjurmët e bashkëpunimit të presidentit të Serbisë, qeverisë e shërbimit sekret të tij, me Radoiçiq dhe terroristët e Banjskës?!

Fatkeqësisht politika po shkatërron edhe drejtësinë. Prandaj dhe konflikti midis Kosovës dhe Serbisë nuk zgjidhet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat