Të hudhet ideja e krijimit të Bektashi Land

Opinione

Të hudhet ideja e krijimit të Bektashi Land

Nga: Nikë Gjeloshi Më: 25 shtator 2024 Në ora: 18:56
Nikë Gjeloshi

Rrespekt intelektualve shqiptarë per opinionet e tyre aq me dinjitet e patriotizëm qe po i shprehin në masmedia shqipëtare që në nismë dhe, me fakte historike e fetare, po e kundërshtojnë idenë e krijimit të „Shtetit Bektashi“ brenda Shtetit Shqipëtar. Po e kundershtojnë ate ide të krijimit të Shtetit Bektashi si ide antikushtetuese, antikombëtare e mbase ide te çmendur të kryeministrit Edi Rama!

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e qartë: „Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm“ (Parimet themelore, neni 1 pika 2). Shkelja e këtij percaktimi kushtetues është veper antikushtetuese e antikombëtare dhe sanksionohet penalisht.

Me propozimin e kryeministrit shqipëtar per krijimit e një shteti të një sekte Islame Bektashi, brënda Shtetit Shqipëtar, pos qe shkel Kushtetutën dhe është antikombëtare, prish harmonin fetare tek shqiptarët, në pergjithësi, krijon perqarje mbi baza feje (religjioni), krijon perqarje brënda per brënda kombit dhe hapë rrugë per precedent edhe per sektet apo fetë tjera qe shqiptarët i praktikojnë më shekuj. Në fund: Tokat shqipëtare do jenë te askujt!

Intelektuali Mal Berisha, me 23.9.24, u rikujtoj shqipëtarëve se kush e hudhi idenë e një feje te katert (4) nder shqipëtar, qe në vitin 1993 në Stamboll, dhe si e hodhi ate ide antikombëtare vet kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve?

-Propozimi për fenë e katërt monoteiste Bektashiane shqipëtare ishte i Kryepeshkopit Anastasios Janullatos, thekson Berisha ne shkrimin e publikuar nga Libri i tij “Ambasador i Pushtetit të Butë” („EduAlba“, Tiranë 2021,f.73). Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare tha se në Shqipëri ekzistojnë katër fé të ndryshme. Pas shumë diskutimesh duhej të nënshkruhej një rezolutë e përbashkët e feve monoteiste. Sipas disa drejtuesve aty, shqiptarët duhej të nënshkruanin të katërt. Por në të vërtetë ne kishim tri fé, jo katër, pavarësisht se Dede Reshat Bardhi përfaqësonte një sekt liberal të islamit-pra bektashizmin. Dikujt i interesonte të shtohej një fé te shqiptarët. Kjo ishte një strategji që u binte për shtat atyre që përherë shqiptarët i kanë dashur të përçarë. Ky ishte rast i mirë për t’i konsideruar ata të ndarë në katër fé.

Pasi perfaqësuesit shqipëtar të tre feve (Hafiz Sabri Koçi, Kryemyftiu i Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, kreu i fesë Katolike shqiptare dhe Anastasios Janullatos, kreu i Kishës Ortodokse shqiptare; bashkë me ta edhe kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Dede Reshat Bardhi), ishin shmangur per një konsultë mes vete, kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, Dede Reshat Bardhi, kishte deklarue: „Ju jeni njerëz të mençëm të atdheut tim. Ju e dini këtë punë më mirë se unë. Unë kurrë nuk pranoj të bëhem pjesë e një veprimi, që e dëmton sadopak vendin tim. Unë jam bektashi, jam besimtar i fesë islame, por para së gjithash jam shqiptar”.

Kështu u shmang përmendja në Rezolutën e Stambollit të Shqipërisë si vend me katër fé. Aty u shënua se Shqipëria ka tri fé monoteiste. “Dikush” ishte nismëtar i asaj teze antishqiptare në konferencë. Pas kësaj ai u largua kokëulur. Berisha konkludon: „Ajo farë e keqe egjre e asaj kohe duket se nuk ka qene rastësi. Të paktën le ta themi sepse për ta ndalur rrokullmën e kombit tonë duket se nuk do ta ndalim dot. Por të paktën të mos heshtim!“

Unë thëm: Ajo fare egjre e asaj kohe, e vitit 1993, sado qe nuk ka qenë rastësi por mbiu 31 vjet më vonë, dhe u rrit e po synon të jap frytin nga vet kreu i Qeverisë se Shtetit Shqipëtar, ajo farë egjre duhet hudhë anash bashk më ideatorin dhe ideatori kokë ulur te largohet jasht orbitrit të politikës shqipëtare! Rrokullmen e kombit tonë duhet ta ndalë vet Kombi Ynë! Unë besoj shumë se „Sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit“ (Neni 2 pika 1) dhe se shqipëtarët si komb nuk do të lejojnë t’ua prekë askush ate sovranitet, as kreu i Qeverisë Shqipëtare!

Shqipëtarët nuk duhet t’i harrojnë pervojat e popujve te ndarë mbi baza feje.

Shqipëtarët nuk duhet t’i harrojnë pasojat e instrumentalizimit politik te feve. Ne përspektivë, shqipëtarët ashtu të ndarë mbi baza feje, qe u shkon per shtati edhe armiqve të shqipëtarve, do të mund të shëndrrohen Popull pa Komb. Ne rethana të tilla do mund të lindë pyetja: Pse Shqipëtarët shekuj me radhë derdhen lumej gjaku dhe u sakrifikuen aq shumë per ta ruajt e forcue identitetin e krenarinë kombëtare dhe per ta krijua Shtetin Kombëtar e mbase synojnë Unifikimin kombëtar?

Në fund, e pergëzoj avokatin Altin Goxhaj qe ka ushtrue Kallëzim penal ndaj Kryeministrit Edi Rama per cedim të sovranitetit e integritetit territorial të Republikës se Shqipërisë dhe per Tradhëti ndaj Atdheut. Verdiktin perfundimtar duhet ta japin Shqipëtarët!

Shqipëtarët nuk duhet ta humbasin rrugën!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat