Aleksandër Vuçiq një Milosheviç apo një Tito i Ri? Çfarë mendon Baton Haxhiu?!

Opinione

Aleksandër Vuçiq një Milosheviç apo një Tito i Ri? Çfarë mendon Baton Haxhiu?!

Prof. Dr. Enver Bytyçi Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi Më 26 shtator 2024 Në ora: 10:16
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Ditën e një vjetorit të aktit terrorist të Banjskës Baton Haxhiu u shfaq në një nga emisionet televizive të Kosovës dhe shprehimisht tha këto fjalë: “Mendoj që Kurti e ka keqkuptuar edhe rolin e Bashkësisë Ndërkombëtare karshi Vuçiqit duke menduar se Vuqiçi është një Millosheviq i ri në botën politike serbe, ai i ka dhënë një dimension Vuçiqit që Bashkësia Ndërkombëtare nuk ia pranoi. Fakti se Bashkësia Ndërkombëtare e trajton më shumë si Tito Vuçiqin sesa si Millosheviqin, tregon se Kurti nuk e ka kuptuar rolin e Vuçiqit, Serbisë e Bashkësisë Ndërkombëtare karshi Serbisë, prandaj janë gjithë këto gabime për një vit”.

D.m.th. se Baton Haxhiu beson që presidenti i Serbisë i ngjan Josiph Broz Titos dhe jo Milosheviçit. Ndërkohë që kritikon Albin Kurtin, i cili vazhdimisht i ka bërë me dije opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar se Aleksandër Vuçiq është thjesht një pasues besnik i kasapit të Ballkanit, Milosheviçit. Por jo vetëm Albin Kurti. Edhe Vjosa Osmani dhe shumë politikanë të tjerë në Kosovë dhe hapësirat shqiptare besojnë se presidenti serb ngjan me Milosheviçin. Ndërkohë grupimi që rrethon kryeministrin e Shqipërisë, përfshirë dhe këtë këshilltarin e tij, Batonin, besojnë se Vuçiq është një Tito i Ri! Fjala besojnë në fakt i amniston ata, tingëllon sikur kemi të bëjmë me disa naivë, të cilët nuk e njohin realitetin konkret në rajon, në Serbi e në Kosovë. Rama, Batoni e të tjerë nuk janë naivë. Ata e njohin dhe e dijnë se çfarë ka përfaqësuar dhe çfarë përfaqëson për Ballkanin, Kosovën e shqiptarët presidenti i Serbisë së sotme.

Vetë Aleksandër Vuçiq që në vitin 2017 pati deklaruar se do të përpiqej të rikrijonte Jugosllavinë e Re dhe se e shihte veten në këtë kuptim, si një Tito i kohës së sotme. Por vetëm në veprimet taktike. Kur dështoi me këtë Jugosllavinë e Re dhe po dështonte edhe me aneksimin e veriut të Kosovës, gjë për të cilën mbështetej nga Rama dhe Baton Haxhiu, tha se “Milosheviçi kishte qëllime të mira”. Në këtë rast ai dëshmoi hapur se nga pikëpamja e realizimit të projekteve serbe, pra të strategjisë, do të vepronte si Milosheviqi, ndërsa nga pikëpamja taktike do t’i ngjante Titos. Sigurisht që Baton Haxhiu di t’i lexojë këto fakte dhe deklarime. Nuk jam unë ai që mund t’ia shpjegoj. Por ai dëshiron që ta paraqesë njeriun që urdhëroi aktin terrorist të Banjskës si njeri të moderuar, siç ishte Tito në një farë mase në kohën e regjimit komunist në ish-Jugosllavi.

Ndërsa praktikisht ka një milion argumente, fakte dhe prova, me të cilat provohet që Vuçiq mund e duhet të krahasohet me Milosheviçin shumë herë më tepër sesa me Titon. Vetë agresioni terrorist i 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zverqanit ishte vepër e Aleksandër Vuçiq dhe kjo është dëshmi e qartë se presidenti i Serbisë përdor metodat e Milosheviçit e strategjinë e tij. Pas Banjskës Aleksandër Vuçiq është identifikuar përfundimisht në qëllime e në mjetet që përdor si një Milosheviç. Dhe natyrshëm ai nuk mund të jetë ndryshe, derisa me vetëdije dhe devotshmëri prej krimineli i ka shërbyer si ministër propagande ish-kasapit të Ballkanit!

Megjithatë Baton Haxhiu gati sa nuk ndërron vendet midis presidentit serb dhe kryeministrit kosovar, duke tentuar ta bëjë zotin Kurti fajtor dhe ta nxjerrë të larë nga krimet e veta Vuçiqin. Ai thotë shprehimisht se “Këtë një vit, Kurti është marrë me gjëra të vogla dhe ka çuar në limit durimin e Bashkësisë Ndërkombëtare saqë janë detyruar që edhe pas Banjskës të vënë sanksione”. Gënjeshtër e pastër dhe e qëllimshme. Por nuk e di për ta denigruar Albin Kurtin apo për ta rehabilituar Aleksandër Vuçiq. Besoj se të dyja janë bashkë. Kundër Kosovës nuk ka sanksione, ka masa shtrënguese. Sanksionet e izolojnë një vend të caktuar, masat shtrënguese kanë të bëjnë p.sh me ndihmat që jep BE. Ato masa u vendosën pas betimit të kryetarëve të komunave të veriut në qershor, dmth para Banjskës. Dhe i pari që propozoi vendosjen e tyre ishte shefi i Batonit, Edi Rama. Dhe dihet tashmë: Masat shtrënguese vendosen lehtë e hiqen me vështirësi, sepse duhet të votojnë të gjitha vendet e BE-së për heqjen e tyre. Por Serbia i ka dy, tri ose më shumë vende mike në BE, të cilat bëjnë lojën e saj. Siç edhe Batoni në intervistën e tij të së martës që shkoi në T7 bëri po ashtu lojën e Aleksandër Vuçiq, kundër kryeministrit të vendit të tij.

Unë nuk e mbroj Albin Kurtin, por e mbroj kryeministrin Kurti për politikat e tij në veri të Kosovës. Ai nuk ka dështuar në përpjekjet e tij për vendosjen e sovranitetit atje, siç pretendon Baton Haxhiu. Ai bën përpjekje, sipas meje, për ta bërë fakt të kryer këtë sovranitet dhe të dobësojë pozicionin e Serbisë në dialog. Ndërkohë Batoni vazhdon të pretendojë, sipas asaj interviste, se pavarësisht çfarë bën Albini, zgjidhja do të jetë politike. Po, është e vërtetë, por vërejtja nuk qëndron, sepse realiteti praktik është pasqyra e dialogut politik. Banjska dhe menaxhimi perfekt që i bëri asaj politika dhe policia e Kosovës ndryshuan balancat. Serbia prej këtij momenti nuk është më në avantazh politik. Dhe ky është një sukses i jashtëzakonshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat