Provo të jetosh “i lirë...!”

Opinione

Provo të jetosh “i lirë...!”

Nga: Llesh Ndoj Më: 26 shtator 2024 Në ora: 22:59
Llesh Ndoj

E përzgjodha këtë titull nga një thënie e Emil Cioran (1911-1995), lexuar të cituar nga një shkrimtar i njohur shqiptar, sepse m’u duk mjaft përfaqësues dhe intrigues për një këndvështrim të situatës ku gjendemi ne shqiptarët, jo vetëm të asaj pjese që njihet si Shqipëri, por kudo ku jetojnë ata, qoftë në trojet e tyre, apo edhe si emigrantë. Jo vetëm e përzgjodha qëllimisht, por edhe e “cungova” atë po qëllimisht, aspak për të “vjedhur” autorësinë, por për t’i dhënë pak më shumë hapësirë dhe vlerë asaj që është esenciale, lirisë, në raport me rrethanat që e kufizojnë atë, rrethana të cilat mjerisht, jo pak herë e bëjnë atë “mollë të ndaluar” për ne, nga se kufizimet shkojnë deri në kufijtë e ekzistencës. Autori i kësaj thënie e vazhdon atë me “…do ngordhish urie…”, gjë që është pika kulmore, ajo e cila e shndërron lirinë në të kundërtën e vet, në vetburgosjen e njeriut për nevoja të mbijetesës. Është kjo ajo pika ku vërtetohet teza e njohur marksiste, se ndryshimet sasiore, konvertohen në shndërrime cilësore, por këtu cilësia e re bëhet shkak që të deformohet vetë thelbi i qënies njeri, pasi “Njeriu e ka për detyrë të jetë i lirë,…”, siç e thekson filozofi rus Nikolai Berdyaev (1874-1948) dhe në se nuk është i tillë, i lirë, ai nuk mund të jetë njeri, meqë “…nuk guxon të jetë rob, pasi është i detyruar të jetë njeri”. (nga i njëjti autor). Përtej filozofimeve teorike, le ta shtrijmë pyetjen: - A jemi të lirë ne shqiptarët? Mund të duket paradoksale kjo pyetje dhe dikush mund të më vendosë përpara fakte plot, se ne jemi të tillë, të lire, si përshembull: Shqipëria është e lire prej viti 1944 dhe sivjet feston 80 - vjetorin e sajtë çlirimit, Kosova ka fituar lirinë tash 25 vite, faktori shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut ka status të avancuar shtetformues, në Mal të Zi, po ashtu, brezi i vjetër i emigratëve kanë krijuar hapësira përfaqësuese edhe në metropolet e botës, ndërkohë që brezi i ri i tyre ka status ekonomik të përmirësuar në shtetet ku jetojnë e për ta po krijohen hapësira të reja për ndikime edhe politike përmes votës edhe atje, edhe në Shqipëri, etj. Prej kësaj kategorie pranohet vetëm mungesa e lirisë në trojet shqiptare në Serbi, ndërsa të tjerat pak a shumë janë të stabilizuara.

Nuk i përkas asaj kategorie intelektualësh që ka dëshirë të mohoje arritjet. Ato janë të dukshme, të ardhura me shumë dhimbje e sakrifica, ato janë të shtrenjta e të shenjta, e si të tilla duhen mbrojtur, por liria nuk është thjesht liri nga forma klasike të pushtimit, apo skllavërimit. Të jesh i lirë është larg formave të shthurjes shoqërore, pasi “…liria jote përfundon aty, ku fillon liria ime”. Bile, vetëhumbja e lirisë është edhe vuajtja më e madhe e jona, pikërisht nga frika e asaj që Corian e thotë dhimbshëm “Provo të jetosh i lirë, do ngordhish urie…”. Jo vetëm nuk jemi të lirë, apo të vetëçliruar, por as kemi qenë ndonjëherë të tillë plotësisht, e as nuk po punojmë për krijimin e një perskektive të tillë lirie në gjithë dimensionin që mbart ajo. Ndoshta, pushtimet e gjata, ndoshta pushtetet jo miqësore që kemi duruar mbi kurriz, ndoshta varfëria ekstreme, ndoshta ndjenja e inferioritetit nga të qënit të vegjël, ndoshta…, na kanë deformuar deri në atë shkallë sa “nuk e ndjejmë më nevojën e “të qënit të lirë”. Në e kemi mbërritur deri këtu, ky është edhe fundi i nevojës për t’u ndjerë njeri… Shembujt janë të shumtë, aq sa nuk mund të shterohen edhe po të shkruhen mijëra volume vetëm me to. Pesëqind vite sundim turk u dominuan nga “përshtatja” me sunduesin, më shumë se përpjekja për të qenë të lirë prej tij, pra për të qenë vetvetja, aq sa në vend të krenarisë së ligjshme të të qënit shqiptarë, iliro - dardanë, krijuam identitetin e rremë e servil, ndoshta edhe duke e konsideruar atë si “varkë shpëtimi”, “për të mos ngordhur nga uria”, krijuam pra identitetin mysliman. Kjo shihet qartë edhe sot si një ideologji sunduese në kokat e shqiptarëve kudo ku jetojnë ata, duke u kthyer edhe në një “limituese” e përparimit tonë në udhën e ndjekur nga popujt e tjerë të botës së zhvilluar. Në këtë aspekt e tejkalojmë edhe vetë Turqinë, nga e cila e kemi marrë atë. Bukë kemi pak, lirinë akoma më pak, por investimet më të mëdha i bëjmë për fenë! Paradoksale kjo. Në vend që të investojmë për pak më shumë liri, investojmë (pranojmë investime) për më shumë skllavëri, skllavëri e cila na shitet pët kurorë lirie.

Pse?

Do mundohem të jap mendimin tim pak më poshtë, pasi modestisht të rrjeshtoj edhe “ideologji” të tjera që na kanë mbërthyer e s’na lënë të jemi të lirë. Tregojnë se në kohën e Luftës së Dytë Botërore, një burrë kapadai shqiptar mbante në xhep dy letra: njëra e Shtabit Partizan, që dëshmonte që ajo familje ishte bazë e tyre dhe tjera e Komandës Gjermane, që dëshmonte se ishte i infiltruar i atyre. Personi në fjalë (edhe në mos qoftë një njeri konkret siç e tregojnë, është mendësi reale), qëlloi t’a ndalojnë gjermanët e ai nga hutimi, në vend të letrës së Komandës Gjermane që e mbante në të djathtë, nxori atë të Shtabit Partizan (nga e majta!) e përfundoi nën breshërinë mizore të armëve… Vitet nën socializmin e pretenduar, krijuan identitete të reja, plotësisht të nënshtruara, aspak luftëtare për liri, aq sa “njeriu i ri” u kthye në një robot (koha as që i njihte robotët!), që duartrokiste humbjen e lirisë së vet, duke ndjekur qorrazi ideologjinë komuniste marksiste - leniniste e duke u bërë vasalë të saj deri në atë pikë sa “edhe bar do të hamë e nuk nënshtrohemi” ndaj ideologjisë kapitaliste, borgjeze e revizioniste. Por “të hashë bar” mund të konsiderohesh maksimumi kafshë e zgjuar, jo njeri! Pra, asgjë nuk ka ndryshuar. Fatkeqësisht!

Sot, të jesh i lirë, mund të përkthehet vetëm në liri për të ikur nga sytë këmbët, e për t’a lënë këtë vend, por jo liri për t’a ndërtuar jetesën aty ku të ka lindur koka e ku të kanë jetuar babë e gjysh!

Pse? Sepse edhe tash ndodh si me atë rastin e sipërtreguar që mbante në xhepin e djathtë letrën e gjermanëve e në të majtin të partizanëve… Edhe sot, kur teorikisht kemi 35 vite në sistemin e pretenduar të lirive maksimale demokratike (liri absolute nuk mund të kerë!), duhet të jesh ose me PD, ose me PS në se do ta shijosh djersën tënde i lirë, bile jo një dosido, por nga ata që nanën e familjen e pranojnë me ua shá, shqiptarinë po e po, vetëm partinë dhe udhëheqësin jo! Vetëm këta tipa mundet të bëjnë hajr në këtë vend, të tjerët duhet të bëjnë kujdes “me cilën letër prezantohen”, ndërsa të gjithë bashkë zhytemi në baltën që vetë e krijuam, duke xhiruar në vend. “- Ku ishe? - Hiçgjëkundi! - Çfarë bëre? - Hiçasgjë!”, kështu mund të tipizohet situata jonë. Ose me ne, ose kundra nesh, rrugë të mesme nuk ka! Kështu ishte, kështu është edhe sot e rrezikon të vazhdoje gjatë, pasi ne nuk provojmë (guxojmë) të jemi të lirë. Është evidente që partite - shtet t’a bëjnë gropën, por mes guximit për të qenë të lirë, apo nënshtrimit për të jetuar me njërën këmbë në gropën e hapur prej tyre, duhet zgjedhur ajo e para. Ku janë sot intelektualët e vërtetë që “hanë veten”, dhe ose bëhen urë e mediokritetit partiak, ose arratisen e kthehen në pastrues të udhëve të botës? Ku janë fisnikët shqiptarë, të pasur në para e pasuri (të trashëguar ose fituar), që pranojnë t’u paguajnë haraç pushtetarëve mediokër, hajdutë e jo rrallë edhe kriminelë dhe që me paratë e tyre blejnë votat tona e rrinë në pushtet tri – katër dekada rresht (të keqen e komunizmit!), por nuk pranojnë të mirëpaguajnë punëtorët e tyre. Ku janë meritokratët e vërtetë që bëhen pjesë e shtabeve elektorale të atyre, që përveç pasaportës e diplomës së hajdutit - kriminel s’kanë çfarë tjetër ti prezantojnë shoqërisë, duke u bërë pasqyrë e rreme e tyre për të fituar votat tona? Ku janë ata që u shkruajnë fjalimet deputetëve e shtetarëve pa shkollë, të cilët e turpërojnë edhe gjuhën shqipe nga se nuk dinë as t’i lexojnë?

Kështu mund të rrjeshtoja sa të duash: Ku janë mësuesit, që në vend që të kërkojnë paga e kushte pune, duke ia bërë shtetit të pamundur të jetë “një sy qorr, e një vesh shurdh”, zgjedhin të mos bëjnë detyrën, duke dëmtuar rëndë sistemin arsimorë, të sotmen e të nesërmen, ose ushtrojnë trysni mbi nxënës e studentë për përfitime të paligjshme prej tyre. Apo s’jemi ne si shqiptarë që vdesim për grada, pranojmë dy e tri diploma të blera, që nuk i hynë në punë as dreqit, e të “përkulin” deri në shëmti për një punë në shtet, në vend të një zanati të nderuar që të bën të pavarur politikisht dhe ekonomikisht. Kështu, duam të bëhemi mjek të gjithë, ose si një trampolinë për të emigruar, ose si një “pusi e licensuar” për t’u pasuruar në menyrë të paligjëshme, në kurriz të fukarenjëve, por e shajmë gjithë ditën universitetin e mjekësisë e sistemin shëndetësorë në vend, si të papërshtatshëm… Dhe sa herë ka shenja, se ne duam të synojmë lirinë, poltika na “hedh ndonjë kockë”, e ne nisim të lehim pas saj. A nuk është kështu, përshembull, kjo e “shtetit sovran të Urdhërit Bektashi”? A thua të gjitha punët i kemi ndrequr dhe vetëm kjo na paska mbetur, e me këtë duhet të merremi tani e deri në zgjedhjet e ardhme ndoshta! Nuk di as nuk dua të prononcohem në këtë shkrim sot nëse kjo ide e Kryeministrit është e dobishme apo e dëmshme, është e tij apo “e injektuar” nga qarqe të caktuara brenda apo jashtë nesh, por mund të shprehem lirshëm e me siguri të plotë, se ajo nuk është puna më e ngutshme që na duhet ne shqiptarëve, me të cilën duhet të merremi, pasi përpara se të ndërtojmë një “shtet sovran të Urdhërit Bektashi” na duhet e mund të punojmë, që të bashkojmë shtetet tona shqiptare në trojet ku i ka falë Zoti, na duhet të ndërtojmë e shërojmë sistemin demokratik nga deformimi i qëllimshëm brenda vendit, na duhet të përkrahim shtetin e ri shqiptar të Kosovës që të përballojë me sukses sfidat e rritjes;, na duhet të rritim ekonominë e mirëqënien tonë, duke frenuar me mjete ekonomike braktisjen e vendit nga rinia, na duhet të bëhemi seriozë, të besueshëm e të denjë për t’u antarësuar në familjen e madhe të popujve të zhvilluar e të qytetëruar, ku kemi kaq vite që as në oborr nuk na qasin, jo më të na hapin derën… Por asnjë nga këto nuk arrihet pa provuar të jemi të lirë, pa guxuar të jemi të lirë, pa e parë lirinë në përmasat e saj reale, tej mbushjes së barkut, si përmbushje shpirtërore e hyjnore. Të provosh të jesh i lirë, të guxosh drejt saj, është edhe sakrificë, por sakrificë që ia vlen të bëhet.

Sot është vonë! Nesër ndoshta s’do kemi as pse të sakrifikojmë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat